I dërguari special i presidentit Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë u “përjashtua” nga bisedimet e nivelit të lartë për përfundimin e luftës pasi Kremlini tha se nuk e donte atë atje, i thanë NBC News një zyrtar i administratës amerikane dhe një zyrtar rus.

Gjenerali në pension Keith Kellogg mungoi dukshëm në dy samitet e fundit në Arabinë Saudite - një me zyrtarë rusë dhe tjetri me ukrainas - edhe pse bisedimet janë nën përgjegjësinë e tij.


"Së bashku", tha Trump kur njoftoi nominimin e Kellogg në nëntor, "ne do të sigurojmë PAQEN PËRMES FUQISË".

Por Kellogg nuk mori pjesë në bisedimet SHBA-Rusi në Riad, kryeqyteti saudit, më 18 shkurt, përcjell Telegrafi.

Presidenti rus Vladimir Putin mendoi se ai ishte shumë pro-Ukrainas, tha për NBC News një zyrtar i lartë rus me njohuri të drejtpërdrejta.

“Kellogg është një ish-gjeneral amerikan, shumë i afërt me Ukrainën. Jo i llojit tonë, as i kalibrit që kërkojmë”, ka thënë zyrtari, i cili nuk është i autorizuar të flasë publikisht për këtë çështje.

Një zyrtar amerikan në administratën Trump, i cili gjithashtu nuk është i autorizuar të flasë publikisht, konfirmoi për NBC News se Rusia nuk donte që Kellogg të përfshihej.

Zyrtari nuk e dinte se kur kjo iu komunikua Shtëpisë së Bardhë.

Zyra e Kellogg nuk iu përgjigj kërkesave për koment se pse ai nuk është përfshirë në negociata dhe nëse Rusia kishte kërkuar që ai të mos merrte pjesë.

Ndërsa zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, James Hewitt, tha se Trump kishte “shfrytëzuar talentin e shumë zyrtarëve të lartë të administratës për të ndihmuar në sjelljen e luftës në Ukrainë në një zgjidhje paqësore”.

Ai shtoi se Kellogg mbeti “një pjesë e vlerësuar e ekipit, veçanërisht sa i përket bisedimeve me aleatët tanë evropianë”.

Kellogg, 80 vjeç, është një besnik i vendosur i Trumpit, i cili shërbeu në role të ndryshme në mandatin e parë të presidentit. /Telegrafi/