Site icon Telegrafi

Nga Rashica te Muriqi, Zhegrova, Rashani e Bytyqi – tetë sulmuesit e Kosovës për ndeshjet e muajit mars

Kanë mbetur edhe katër ditë deri në grumbullimin e parë për vitin 2023 të Përfaqësueses së Kosovës, ku këtë muaj do të zhvillojnë dy ndeshje.

Përfaqësuesja e Kosovës do të nisë kampanjën kualifikuese për Euro 2024 dhe trajneri Alain Giresse tanimë ka ndarë mendjen se kënd do ta ketë në listë pasi ftesat kanë shkuar një javë më parë.

Faza më e fortë e Dardanëve ka qenë sulmi në vitet e fundit dhe njësoj do të jetë edhe këtë vit pasi në këtë repart ka konkurrencë të madhe ku edhe po bëjnë mirë futbollistët tanë nëpër Evropë.

Telegrafi merr vesh se për dy ndeshjet e para të kualifikimeve të Euro 2024, ndaj Izraelit dhe Andorrës, trajneri Alain Giresse ka ftuar plot tetë futbollistë, ku nuk mungojnë prurjet e reja në Përfaqësuesen A.

Në listën e trajnerit Alain Giresse janë gjashtë sulmues anësorë dhe dy qendër sulmues.

Lojtarët e vjetër në listë për ndeshjet e muajit mars

Elbasan Rashani, Edon Zhegrova dhe Arbër Zeneli do të jenë tre futbollistët nga elita e futbollit francez Ligue 1 në listën e trajnerit Alain Giresse.

Rashani ishte në dyshim për këtë grumbullim, por ai ka shtrënguar dhëmbët dhe do të jetë të hënën në Prishtinë për ta ndihmuar vendin e tij për të marrë rezultate pozitive.

Sulmuesi më në formë i Kosovës është padyshim Vedat Muriqi, që po shkëlqen në elitën e futbollit spanjoll La Liga me fanellën e Mallorcas duke shënuar rregullisht.

Zymer Bytyqi është një tjetër futbollist në listën e Giresse, me trajnerin francez që vazhdon t’i besojë anësorit përkundër se ka pasur vështirësi në klubin e tij të ri Olympiacos.

26-vjeçari bëri hapin e madh në karrierë duke iu bashkuar gjigantit grek, por Giresse vazhdon t’i besojë atij dhe e ka ftuar edhe për dy ndeshjet e muajit mars.

Emri tjetër që është në listën e Dardanëve është i përhershmi Milot Rashica që gjithashtu ka shfaqur formë të mirë me skuadrën e madhe turke Galatasaray.

Emrat e rinj në listën e Kosovës, Arbnor Muja dhe Albion Rrahmani

Risia në repartin ofensivë janë dy futbollistë të ftuar për këtë grumbullim, të dy prodhim i kampionatit vendor.

Arbnor Muja bëri hapin e madh në karrierë duke iu bashkuar skuadrës së madhe belge Royal Antwerp nga Drita pas paraqitjeve fantastike.

24-vjeçari ka shkëlqyer në elitën e futbollit belg, ku është një titullar i padiskutueshëm dhe shënon e asiston.

Në 21 ndeshje zyrtare, Muja ka realizuar tre gola dhe ka asistuar në katër të tjerë.

Emri tjetër në listën e Giresse është top golashënuesi i Superligës së Kosovës, Albion Rrahmani.

22-vjeçari ka shkëlqyer me Ballkanin, ku këtë edicion ka realizuar 16 gola dhe ka asistuar në tre të tjerë vetëm në Superligë.

Rrahmani ka edhe shtatë gola në kualifikimet e Ligës së Konferencës si dhe një tjetër në Kupën e Kosovës.

Për sulmuesin llapjan kjo është hera e parë që vesh fanellën e Përfaqësueses A të Kosovës dhe ai pret të ketë minuta në sfidat ndaj Izraelit dhe Andorrës. /Telegrafi/ 

Exit mobile version