Site icon Telegrafi

Netanyahu po shqyrton planin për të detyruar të gjithë civilët palestinezë të largohen nga Gaza veriore “për të rrethuar Hamasin”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po shqyrton një plan për të detyruar të gjithë civilët palestinezë të largohen nga Gaza veriore, duke përfshirë qytetin e Gazës, në mënyrë që të “rrethojë” Hamasin dhe të detyrojë lirimin e pengjeve.

Është e paqartë se sa palestinezë mbeten në veri të të ashtuquajturit Korridori Netzarim, i cili ndan Gazën në dysh, por vlerësimet shkojnë në qindra mijëra njerëz.

Dhe siç shkruan CNN, përcjell Telegrafi, plani nuk përmend nëse, kur dhe si do të lejohen civilët të kthehen në Gazën veriore.

Siç vë në pah mediumi në fjalë, pas gati një viti lufte, pa asnjë pjesë të Gazës të mbrojtur nga sulmet ajrore izraelite, palestinezët nuk kanë qenë gjithnjë e më të gatshëm “t’i vënë veshin” kërkesave izraelite për t’u zhvendosur.

Ideja vjen nga një grup gjeneralësh ushtarakë izraelitë në pension, të cilët ia kanë paraqitur atë zyrtarisht kabinetit izraelit dhe një komiteti të fuqishëm parlamentar.

Synimi, thonë ata, është përdorimi i taktikave “për të lodhur nga uria” luftëtarët e Hamasit dhe për t’i detyruar ata të lirojnë 101 pengje ende të mbajtura në territor.

“Ata që largohen do të marrin ushqim dhe ujë”, thotë Giora Eiland, një gjeneral ushtarak izraelit në pension që është në krye të propozimit.

“Por brenda një jave i gjithë territori i Rripit verior të Gazës do të bëhet territor ushtarak dhe ky territor ushtarak për sa na përket neve, asnjë furnizim nuk do të hyjë në të”.

Transmetuesi kombëtar izraelit Kan, një degë e CNN, raportoi të dielën se Netanyahu, në një takim me dyer të mbyllura me Komitetin e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Knesset, tha se plani “ka shumë kuptim”.

Një zyrtar izraelit konfirmoi vërtetësinë e këtij citati, por tha, “të shohësh pozitivisht nuk do të thotë ta miratosh atë”.

Zyrtari tha se kreu i divizionit strategjik të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në ditët në vijim do t’i paraqesë Netanyahut “disa alternativa” se si “të privojë Hamasin nga aftësitë e kontrollit civil në Gaza”. /Telegrafi/

Exit mobile version