Presidenti i Republikës Serbe (RS), Milorad Dodik, mendon se skenari i vetëm kushtetues dhe i ligjshëm është ndërprerja e procesit kundër tij në Gjykatën e Bosnje dhe Hercegovinës ose një aktgjykim lirues. Në të kundërtën, ai paralajmëron se organet më të larta të entitetit RS do të marrin vendime në përputhje me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.
“Nëse ndodh ndryshe, atëherë është një përndjekje e pastër politike dhe ne do të përgjigjemi me vendime politike. Kjo përfshin marrjen e vendimeve në organet më të larta të Republikës Serbe, siç është rënë dakord këto ditë në nivele të ndryshme, dhe do të kthehemi ekskluzivisht te Marrëveshja e Dejtonit”, tha ai.
Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës shtoi se kjo nënkupton që Republika Serbe do të anulojë ose do të tërhiqet nga të gjitha reformat, të cilat sipas tij, janë imponuar herë nga Bashkimi Evropian dhe herë nga qendra të tjera.
“Kjo do të thotë që Republika Serbe do të anulojë çdo prani të gjykatës dhe prokurorisë, SIPA-s dhe organeve të tjera të imponuara dhe jokushtetuese në nivelin e Bosnje dhe Hercegovinës, do të ndalojë punën e tyre në territorin e Republikës Serbe, do të miratojë ligjin e saj zgjedhor dhe do të bëjë gjithçka për të kthyer 83 kompetenca në pozitën kushtetuese të përcaktuar nga Kushtetuta e Bosnje dhe Hercegovinës”, tha Dodik.
Sipas tij, Republika Serbe është duke mbrojtur Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës dhe se të gjitha shkeljet që kanë ndodhur në 25 vitet e fundit do të rishqyrtohen dhe vihen në pikëpyetje.
I pyetur nëse pret trazira në Republikën Serbe, Dodik theksoi se ky entitet do të mbetet i qetë, shkruan klix.ba.
“Republika Serbe do të mbetet e qetë, do të veprojë në përputhje me ligjet. Të gjitha vendimet do t’i marrim në nivelin e parlamentit të RS-së, dhe në një fazë të caktuar mund të mbajmë edhe një referendum për këtë çështje”, theksoi ai.
Sipas tij, kjo është ajo “çka e frikëson Sarajevën. Mund të them vetëm se po përcjell vullnetin e udhëheqjes politike të Republikës Serbe. Pra, ne nuk mund të heshtim dhe nuk mund të përgjigjemi ndryshe përveçse ndaj këtij procesi politik të turpshëm, të papranueshëm, antikushtetues dhe antidejtonian”, deklaroi ai.
Dodik theksoi gjithashtu se edhe nëse i ndalohet veprimtaria politike, ai do të vazhdojë të merret me politikë.
“Pra, nuk do të ndodhë asgjë, Milorad Dodik mbetet këtu, mbetet president i Republikës, madje edhe nëse ata ndalojnë veprimtarinë time politike, unë do të vazhdoj të merrem me politikë”, përfundoi ai.
Ndryshe, Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës kërkoi në seancën përfundimtare më 19 shkurt që Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës ta dënojë me pesë vjet burg presidentin e Republikës Serbe, Millorad Dodik, dhe t’i ndalojë atij veprimtarinë politike për dhjetë vjet.
Dodik është akuzuar për nënshkrimin e dekreteve që shpallën të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Serbe, të cilat ishin anuluar nga Përfaqësuesi i Lartë. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve, të cilat e kundërshtojnë zbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës në territorin e Republikës Serbe. /Telegrafi/