LAJMI I FUNDIT:

Në pritje të verës së tretë të luleve: Si e ndryshoi LSD-ja, kulturën perëndimore?

Në pritje të verës së tretë të luleve: Si e ndryshoi LSD-ja, kulturën perëndimore?

Kur mendoni për LSD-në, një estetikë specifike futet në mendje: spiralet psikodelike rozë dhe portokalli të viteve 1960; njerëz të zhveshur me lule në flokët e tyre; shkëlqimi i sitarit… Pasi vetitë psikodelike u zbuluan rastësisht në laborator, nga Albert Hofmanni më 1943, kjo drogë u ndalua në Britani të Madhe më 1966. LSD-ja edhe sot ndërlidhet me hipikët që e përdorën dhe me mendjen e hapur me të cilën u karakterizuan! Drama e re “All You Need is LSD” (E tëra që ju duhet është LSD-ja), trajton rëndësinë e këtyre drogave psikodelike dhe nevojën për një verë të tretë të luleve, shkruan Holly Williams, transmeton Telegrafi.

Efektet e drogës kanë depërtuar në pjesën më të madhe të kulturës perëndimore, që nga arti pamor, letërsia, e sidomos muzika që nuk ishte më e njëjtë qëkur Bob Dylan, The Beatles dhe Jimi Hendrix ranë në drogë. Të gjitha zhanret i kanë borxh substancës që ndryshon mendjen: rocku psikodelik, psytrance e acid house me të cilën në vitet 1980-90 do të karakterizohet kultura rave. Ndonëse ekstazia është droga që ndërlidhet më shumë me verën e dytë të dashurisë, LSD përjetoi atëherë një ringjallje.

Kjo ndodhi 30 vjet më parë. A jemi pranë një rilindjeje psikedelike?


Dramaturgu britanik Leo Butler shpreson se po.

“Kishte nevojë – politike, shoqërore – për atë shpërthim të LSD-së në vitet 1960 dhe të ekstazisë në fillim të viteve 1990”, thotë ai. “Shikojeni botën tash dhe mendoni se a ju duhet një psikodeli e fortë! Kemi nevojë për diçka që na bashkon. Le ta bëjmë verën e tretë të dashurisë”.

Portreti i kimistit zviceran, Albert Hoffman, që aksidentalisht zbuloi vetitë e LSD-së

Duke eksperimentuar me droga qëkur ishte i ri, Butleri donte të shkruante një vështrim të ndershëm të përvojës së tij psikodelike. Por, gjithashtu donte të pranonte ndikimin e LSD-së përtej fuqisë së luleve. Shfaqja e tij e re, “All You Need is LSD”, këtë mëton ta trajtojë.

Në vitet e fundit, LSD ka përjetuar një ndryshim në imazhin publik, qëkur Steve Jobsi foli për përvojën e tij në Luginën e Silikonit, në mbështetje të mikrodozimit (sasi të vogla droge për të shtuar kreativitetin). Studimi i parë i kontrolluar me placebo në mikrodozim nisi në shtator, në Imperial College të Londrës, ndërkohë që Britania zhvilloi teste tjera mjekësore për përdorimin e mundshëm terapeutik të LSD-së.

Nëse nuk mund të ketë një verë e dashurisë, mund të nis një epokë e re e hapjes, apo madje respektit për drogën. Ky interesim mjekësor e gjeti rrugën në dramën e Butlerit. Më vitin 2015, ai intervistoi profesorin David Nutt, i cili tha se ishte gati të fillonte gjyqin e parë mjekësor për LSD-në në këto 50 vjet.

A do të donte Butler të merrte pjesë në të?

Shumë artistë, shkrimtarë dhe muzikantë janë të njohur për përdorimin e LSD-së, përfshirë shkrimtarin e madh, Aldous Huxley

Ky moment e ndryshoi qasjen në dramë: “All You Need is LSD” shfaq udhëtimin e monitoruar mjekësor të Butlerit. Kjo e lejoi të kërcejë lirshëm në hapësirë dhe në kohë dhe që në mënyrë surreale të prezantojë figurat kryesore të historisë së drogës (Hofmann, Timothy Leary) dhe artistët të cilët e kanë përdorur, që nga Aldous Huxley e deri te Miles Davis apo Helen Mirren.

“Duhej t’i kisha The Beatles, e po ashtu The Monkees dhe Dylanin”, thotë Butler, pak i shqetësuar për personalitetet e mundshme për të cilët nuk gjeti vend. “Do të ishte mirë të shkoja në vitet 1970, të kisha The Velvet Underground, Andy Warholin, David Bowien… dhe ata nga skena Madchester – Happy Mondays dhe The Stone Roses”.

Ndikimi më i dukshëm dhe më i madh i LSD-së në kulturë haset në muzikë. Kjo mbase muzika mund të forcohet nga droga, duke shkaktuar reagime sinestetike: duke parë tingujt si ngjyra, modele e forma. Atë që LSD-ja nuk mund ta bëjë është të lehtësojë leximin e një libri, ose të përqendrohet në komplot. Pra, vetëm në muzikë ekziston një mbivendosje midis punës së bërë rreth drogës dhe punës së bërë për t’u kënaqur kur je nën drogë…

The Beatles, duke pozuar pranë karaktereve të albumit “Yellow Submarine” të vitit 1967, stili viziv i të cilit reflekton kulmin e epokës psikodelike

Shumë yje ishin në të: The Beatles, Brian Wilson, Pink Floyd … ndikimi i të cilëve është i madh dhe i pashmangshëm. Pak muzikantë të sotëm mund të thonë se nuk ishin të ndikuar nga p.sh. albumi “Revolver”. Ky album “droge” i grupit The Beatles doli në vitin 1966 dhe ishte një hap i madh para në teknikë të tonit, në përdorim të loop-ave nga shiritat, kitarave reversë dhe ndryshimin e tempos. Kënga “Tomorrow Never Knows” – me tekst të bazuar nga “Përvoja Psikodelike” e Timothy Learyt – mund të tingëllojë sot si tripi-hipi, por ishte revolucionar për atë kohë.

Dhe, teksa eksperimentimi sonik i nxitur nga LSD-ja shkaktoi dikur një valë në muzikën pop, ndikimi i tij nuk është ndalur kurrë. Këtë mund ta vëreni tek lëviz te grupet dhe këngëtarët, si: The Flaming Lips, Ariel Pink, Connan Mockasin dhe Tame Impala.

Por, çfarë mund të thuhet për format tjera të artit? A ka dramë të mirë të LSD-së?

“Nuk kishte, dhe kjo është një nga arsyet se pse doja të shkruaja këtë. Por, në vitet 1960 ishte ‘Hair’. Ky mjuzikël për hipikët e izoluar, që ishte i sinqertë për drogat dhe lakuriqësinë, u dha në West End më 1968, një ditë pasi u hoq censura në skenat e Britanisë së Madhe. Kjo ishte pjesë e një hapjeje të përgjithshme të kulturës dhe të lulëzimit të eksperimentimeve. Dramaturgët dhe teatrot mund të ishin më të lira”, thotë Butler. “Edhe nëse nuk mund ta paramendoni me LSD, dikë si Edward Bondi apo Harold Pinteri, ka diçka që nxit se si u bë drama e tyre e se cila ishte përvoja e publikut që ishte goxha kundërkulturore. Caryl Churchill është shkrimtare e mrekullueshme psikodelike. A e ka përdor ajo drogën? Ndoshta jo, por ka diçka të tillë në punën e saj”.

Drama e Leo Butlerit, “All You Need is LSD”, hulumton ndikimin e drogës në kulturë

Ai flet gjithashtu për punën krijuese në vitet 1990 – në teatrin e ashtuquajtur in-yer-face, me emrat si Sarah Kane dhe Mark Ravenhill: “Ata ishin fëmijët e verës së dashurisë të viteve 1980. Ai rebelim nuk ishte vetëm tek ajo që thoshin, por në formën e dramave të tyre”.

Ndryshe nga teatri, ikonografia e LSD-së në artin vizual është shumë më e qartë. Ekziston një mbivendosje me muzikën: imazhet e vërteta psikodelelike shihen në kopertinat e albumeve dhe te posterët. Mendoni për piktorin Matit Klarwein, i cili ka bërë kopertinën e albumit “Bitches Brew” të Miles Davisit; Martin Sharpin i cili bëri kopertinën e albumit “Disraeli Gears” të grupit Cream; apo grupet e dizajnerëve, si Hipgnosis me kopertinat e grupit Pink Floyd; The Fool për kopertinën e grupit The Incredible String Band dhe veshjet e grupit The Beatles për filmin “Magical Mystery Tour”… Wes Wilson, Victor Moscoso dhe Bonnie MacLean ndihmuan që me posterët e tyre të përcaktohet dukja e epokës psikodelike të San Franciskos.

Mati Klarwein bëri kopertinën e albumit “Bitches Brew”, një shembull klasik i imazhit psikodelik

Ajo që është interesante në art është se si ndikimi shtrihet para dhe prapa; nuk ka ndarje të dukshme në mes të lakoreve në Art Nouveau dhe Jugendstil, e as nga eksperimentet e surealizmit. Çfarë mund të jetë më tripi se koha e shkrirë te vepra e Slavador Dalit, “The Persistence of Memory”? Ndaj, mund të thoni se droga gjithmonë ka përgjuar në subkoshiencën tonë. Sidomos bota surrealiste!

Duke eksperimentuar me drogat halucinogjene, artisti gjerman Sigmar Polke ka pikturuar kërpudhat kuqe-e-bardhë dhe vemjet nga “Liza në Botën e Çudirave”. Në fakt, rrëfimi për fëmijë i Lewis Carrollit kishte ndikim të madh te të rriturit: ishte referencë te kënga “White Rabbit” e grupit Jefferson Aorplane apo te “Alice” e Adrian Piperit, e madje edhe te shfaqja e re e Butlerit.

Artisti gjerman Sigmar Polke, e bëri këtë vepër të quajtur “Bunnies”, nën ndikimin e LSD-së

Yayoi Kusama gjithashtu e bëri një version të Lizës. Kjo artiste japoneze sigurisht se e gjen mënyrën se si psikodelia të rezonojë me Milenialët. Me pikat dezorientuese, hapësirat e pafundme, kërpudhat e përdredhura dhe lulet e neonit… qasja e saj psikodelike e bëri të jetë një nga artistet më të famshme sot (në Instagram). Pastaj është Carsten Holler me instilacionin “Upside Down Mushroom Room” (2000), me tavanin nga ku varen kërpudhat, apo “Cosmic Cavern” e Kenny Scharfit…

As Gjeneratë X, as Gjeneratë Y: Studim i ri për brezin më të “mirë” – ksenialët “analogo-digjitalë”!
Lexo po ashtu As Gjeneratë X, as Gjeneratë Y: Studim i ri për brezin më të “mirë” – ksenialët “analogo-digjitalë”!
Vepra e Carsten Hollerit

Në vitet 1990, vala e Artistëve të Rinj Britanikë po ashtu e gjeti atë mbivendosjen krijuese (dhe fitimprurëse) ndërmjet substancave që ndryshojnë mendjen dhe artit, kundërkulturës dhe konsumit të kulturës. Damien Hirst i quajti pikturat e tij si pika, pas përdorimit të drogës. Njërën e ka quajtur LSD dhe në një realizim tjetër dollapin e mbushi me ilaçe.

Edhe filmbërësit kanë hulumtuar potencialin e kinemasë në krijimin e eksperiencave “ëndërrimtare”, që nga viti 1929 me artistin surrealist, Luis Bunuel. Kapaciteti për të shtrembëruar realitetin e dukshëm, është manipuluar nga regjisorët e shumtë, nga Alejandro Jodorowsky, David Lynchi apo Leos Caraxi.

Peter Fonda, Jack Nicholson dhe Dennis Hopper te filmi “Easy Rider”

Në kulmin e epokës psikodelike të viteve ’60, stili i tij vizual lulëzoi edhe në filma. Sërish kjo ndërlidhej me muzikën: p.sh. filmi “Head” ku shfaqjen The Monkees apo animacioni i këngës “Yellow Submarine” i grupit The Beatles. Shumë filma synuan të rikrijojnë përvojën e drogës, si “The Trip” (i censuruar në Britani të Madhe) dhe “Psych-Out”. Jack Nicholson e shkroi të parin dhe luajti te i dyti, e po ashtu luajti te “Easy Rider” me Dennis Hopperin dhe Peter Fondan – film ky që shfaq një rrugëtim nëpër rrugë fizike dhe në përvojë halucinogjene.

Si me artin e muzikën, edhe regjisorët e rinj vazhduan me stilin psikodelik. Më i dukshmi ndër ta është Gaspar Noe, filmi i të cilit, “Enter the Void”, mund të cilësohet si “melodramë psikodelike” (e bazuar në “Librin e të vdekurve” të Tibetit, që ishte bazë për “Përvojën Psikodelike” të Learyt). Dritat e shpejta ndezëse dhe ngjyrat e neonit tërhoqën vëmendjen e shikuesit. Filmi i tij i fundit, “Climax”, bazohet në ngjarje të vërtetë nga përvojat me LSD-në në vitet 1990.

Gaspar Noe zhvillon një stil psikodelik në kinematografi

Pa kinematografisë, letërsia duket se ka luftuar për të evokuar gjendjen e ndryshuar, ndaj nuk është çudi se veprat e tilla janë përkthyer edhe në ekran. Vepra e Hunter S Thompsonit, “Fear and Loathing in Las Vegas”, dhe adaptimi kinematografik nga Terry Gilliam, janë sot kulte dhe adhuruesit mahniten se sa saktë është kapur përvoja e drogës.

Ram Dass ka shkruar “Be Here Now” e ldous Huxley veprën “The Doors of Perception”. Në këto vepra flitet për LSD-në. Por, vepra “The Electric Kool-Aid Acit Test” nga Tom Wolfe, që flet për shkrimtarin Ken Kesey dhe grupin “Merry Pranksters” që udhëtuan nëpër SHBA të mbushur me LSD, është shembulli më i mirë i “Gazetarisë së re” që ndryshon mënyrën se si e vërteta mund të thuhet më së miri.

Posteri i filmit “Fear and Loathing in Las Vegas”, sipas veprës së Hunter S Thompsonit

Ky është rrëfimi se si kultura është ndikuar nga droga: për të përhapur përvoja të reja, shpesh për të krijuar forma të reja. Shpikjet e tilla e ndryshuan kulturën, madje edhe për ata që kurrë nuk janë droguar.

“Është tunduese të shkruash për psikodelinë “, thotë Butler. “Ne mund t’i ndjejmë ato valë”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
KANGË

KANGË

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
DURIMI

DURIMI

Fjala+
Kalo në kategori