LAJMI I FUNDIT:

Në Podujevë u hap Panairi i produkteve vendore

Në Podujevë u hap Panairi i produkteve vendore

Në sheshin e qytetit në Podujevë sot është hapur Panairi i produkteve vendore, në të cilin produktet e tyre i kanë ekspozuar prodhues nga e gjithë Kosova.
Panairin e organizuar nga Komuna e Podujevës, në emër të Kryetarit të Komunës, Agim Veliu, e ka hapur Avni Fetahu – drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Me këtë rast drejtori Fetahu tha se Panairi i produkteve vendore në Podujevë tashmë është bërë tradicional dhe është një mundësi e mirë që prodhuesit t’i plasojnë produktet e tyre. Ai tha se kjo është një mundësi e mirë që prodhuesit t’i promovojnë dhe shesin produktet e tyre, meqë panairi vizitohet nga qytetarë të shumtë.

Panairi i sivjetmë është hapur në kuadër të projektit “Themelimi i Qendrës për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve të Llapit dhe Gollakut” në Sfeçël, projekt i financuar nga BE-ja dhe Komuna e Podujevës.


Në panairin që do të qëndrojë i hapur dy ditë, më 4 dhe 5 nëntor, përveç prodhuesve nga Podujeva, produktet e tyre vendore, artizanale, bujqësore e ushqimore, do t’i ekspozojnë edhe prodhues nga lokalitete të ndryshme të Kosovës./Telegrafi/