“Me pikëllim të madh ju njoftojmë se aktori i shkëlqyer dhe njeriu i jashtëzakonshëm, Dennis Farina, ka ndërruar jetë. Ka qenë njeri me zemër të madhe dhe një profesionist me sens të bukur humori dhe pasion ndaj profesionit të tij. Do të na mungojë”, ka thënë zëdhënësja e tij, Lori De Waal, duke shtuar se shkaktar i vdekjes së tij ka qenë një trombo-emboli mushkërore.

Farina, i cili për shumë vite ka qenë pjesëtar i forcave policore të Chicagos, e filloi aktrimin me ftesë të regjisorit Michael Mann në filmin e vitit 1981, “Thief”. Më pas ai u bë i njohur me pjesëmarrjen në serialet “Miami Vice” dhe “Crime Story”, për të vazhduar me filmat “Midnight Run”, “Get Shorty”, “The Mod Squad”, “Snatch” etj. Në vitet e fundit ka qenë pjesë e serialeve “Law & Order”, “Luck” dhe “Girls”.


Rolet e tija kanë qenë kryesisht ato të policëve ose të gangsterëve, pasi që përshtateshin me të kaluarën e aktorit me origjinë siciliane.

Farina ka lënë pas vetes tre fëmijë nga martesa me Patricia Farina, me të cilën është ndarë në vitet e tetëdhjeta. /Telegrafi/