LAJMI I FUNDIT:

“Na duhet përkrahje”, kriteret e vështira për grante dekurajojnë gratë fermere

“Na duhet përkrahje”, kriteret e vështira për grante dekurajojnë gratë fermere

Ora pesë e gjysmë e mëngjesit rëndom e gjen Valdete Sahitin në serrën e saj.

Aty ajo ka mbjellë tranguj të vegjël, që përdoren për turshi.

“Në ora shtatë e gjysmë nuk mund të rrish aty (nga i nxehti)”, thotë Sahiti duke shpjeguar pse puna në serrë duhet të kryhet herët.


Vjelja e trangujve përbën vetëm fillimin e punës së përditshme për këtë fermere në Skifteraj të komunës së Vitisë, e cila kultivon perime si lëndë të parë, të cilat më pas i përpunon si turshi, për t’i shitur në treg.

Valdetja, me profesion ekonomiste, thotë se nuk ishte e punësuar për rreth 15 vjet pas martesës teksa kujdesej për katër fëmijët e saj.

Ajo nisi të merret me bujqësi rreth vitit 2015, fillimisht si pjesë e një shoqate të grave të rrethinës.

“Për këtë veprimtari, më herët nuk kam pasur njohuri aspak, mirëpo këtu (në Viti) e kam parë që është një tokë shumë pjellore, shumë e mirë”, rrëfen ajo.

Që nga viti 2022, Sahiti e regjistroi biznesin e saj të quajtur “Loel” dhe tani produktet e turshive dhe ajvarit i shiten në disa markete në zonën e Gjilanit.

Duke u rritur interesimi për produktet e saj, Sahiti thotë se vazhdimisht i duhet përkrahje për pajisje, si dhe shtim i hapësirës për të rritur prodhimin.

Tani për tani, ajo së bashku me dy punëtore prodhojnë produktet në bodrumin e shtëpisë së saj, të cilin ndër vite e ka adaptuar përmes granteve nga organizatat e huaja.

“Jemi shumë ngushtë, e kam një pajisje që akoma nuk kam mundur ta fus në përdorim për shkak të hapësirës”, thotë ajo.

Dyzetegjashtëvjeçarja thotë se është interesuar shpesh për të aplikuar për grante qeveritare, në veçanti nga Ministria e Bujqësisë, por thotë se është dekurajuar nga kriteret që në disa raste është edhe pasja në pronësi e tokës që e punon.

“Toka është e familjarëve, nuk është as në emrin tim as në emër të burrit, por në emër të gjyshit të burrit. Pak problem po na sjell, por jemi në procedurë duke i rregulluar dokumentet”, tregon ajo.

Kriteri i të qenët pronar i tokës për të marrë disa lloje të granteve nga Ministria e Bujqësisë është kritikuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në një raport të vitit 2024.

Ky raport ka analizuar masat e ndërmarra nga institucionet për punësimin e grave në zonat rurale.
Në veçanti ata kanë analizuar procesin e shpërndarjes së granteve nga Ministria e Bujqësisë për bujqit, dhe në këtë rast grave që merren me bujqësi.

Kjo Ministri ndër vite ka aplikuar ato që quhen masa afirmative, duke dhënë pikë shtesë për gratë që aplikojnë për grante.

Por, sipas ZKA-së, këto masa nuk patën efektin e vet për shkak se u kushtëzuan me kritere si ajo për pronësinë e tokës, apo edhe kohëzgjatjes së pronësisë së biznesit për të paktën tre vjet.

“Gratë në gjithë Kosovën gëzojnë pronësinë e paluajtshme në vetëm 17 për qind të pronave dhe për tokat bujqësore kjo përqindje mezi arrin në 4, prandaj kushtëzimi i masës me pronën e paluajtshme ka përjashtuar shumë më tepër gra se burra”, thuhet në raportin e Auditorit.

“Unë nuk e përjashtoj këtë (kriter) që duhet ta kesh tokën në emër tëndin. Është kriter i mirë, por nuk është realist”, thotë Valdetja duke theksuar se shumica e grave që njeh, nuk kanë tokë në pronësi.

Shumica e grave në Kosovë, nuk trashëgojnë prona nga prindërit njësoj si burrat, ndërsa pasuria pas martesës shpesh nuk regjistrohet në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve.

Kundër këtij fenomeni ka vite që avokon Habibe Haxhimustafa nga komuna e Rahovecit, e cila udhëheq shoqatën “Gruaja Fermere”.

“Në komunën tonë është faktike. Gratë punojnë shumë në bujqësi, por nuk janë të regjistruara. Ose punojnë bashkë me bashkëshortin ose nëse e udhëheqin biznesin nuk e regjistrojnë në emër të vet. Edhe në emër të djalit e regjistrojnë shpesh”, thotë Haxhimustafa.

Qeveria e Kosovës, në vitin 2016, kishte hartuar një udhëzim administrativ, i cili i obligon bashkëshortët që pronën e blerë së bashku, ta regjistrojnë në emër të të dyve, përveç nëse ndonjëri heq dorë në mënyrë vullnetare.

Për stimulim, Qeveria ka paraparë edhe që regjistrimi i pronës të përbashkët të bëhet falas.

Sipas Haxhimustafës, kjo masë stimuluese “ka ndikuar shumë pak”. Ndërsa, sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës, që nga koha kur ky udhëzim ka hyrë në fuqi, numri i pronave të regjistruara në emër të grave është rritur për rreth 4 për qind”.

“100 dokumente t’i kërkojnë dhe në fund nuk e fiton”

Speca, tranguj e majdanoz i freskët janë renditur në tezgën e shitjes së Raza Demollit, që më 10 korrik ishte vendosur në sheshin “Bill Clinton” në Prishtinë.

Demolli që thotë se merret me bujqësi prej më shumë se 20 vjetësh, është shitëse e rregullt në tregun mobil, i cili organizohet tre ditë të javës, në tri lokacione të kryeqytetit.

Në këtë treg shiten kryesisht produkte bujqësore dhe punëdore nga shitës që vijnë nga zona të ndryshme të Kosovës.

Demolli tregon se serrat ku i ka mbjellë perimet që po i shiste, gjenden rreth 35 kilometra larg Prishtinës, në fshatin Gllogicë.

“(Së bashku me familjen) i kemi tri serra dhe 50 arë fushë të hapur. Nuk është lehtë aspak nëse nuk i ke mjetet, e nëse i ke (mjetet) edhe për një grua nuk është punë e vështirë nëse e do punën”, tregon Demolli.

Pikërisht për të kërkuar mjete shtesë apo më të reja të punës, Raza thotë se interesohet shpesh për të aplikuar për grante, jo vetëm te Ministria e Bujqësisë.

“Është zor boll se 100 dokumente t’i kërkojnë, krejt ato do t’i kompletosh dhe në fund nuk ta pranojnë. Në fund nuk e fiton”, thotë ajo.

Sipas Demollit, kriteret për fitimin e granteve shpesh janë specifike dhe shpesh vështirë të arritshme.

“Ndoshta dikujt i ndihmojnë, por mua jo. Unë kam dëshirë të më vizitojnë një herë, të shihet se çfarë punoj. Na duhet përkrahje”, thotë Demolli.

Në raportin e ZKA-së kritikohet edhe një kriter tjetër që kërkohet për grante e që ka të bëjë me moshën e fermerëve, ku kanë përparësi të rinjtë.

“Meqenëse në Kosovë mosha e grave që merren me bujqësi është kryesisht 45-55 vjeç, përfitimi i pikëve si fermer i ri ka stimuluar moshat e reja, por ka përjashtuar gratë fermere”, thuhet në raport.

Ministria e Bujqësisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me gjetjet e Auditorit, veçse ka dhënë qasje në shifrat e granteve dhe subvencioneve (pagesave direkte) të dhëna ndër vite për gra dhe burra.

“Të paktën të paguhet mundi”

Në lindje të Kosovës, në qytetin e Kamenicës, punës në bujqësi i është përveshur edhe Rufadije Shillova.

Shillova thotë se vendosi që në tokën prej rreth 10 arësh, që e ka ngjitur me shtëpinë, të nisë mbjelljen e mjedrave, tre vjet më parë.

Duke qenë se ka të kryer vetëm shkollën fillore, për Rufadijen, biznesi me mjedra është mundësia e vetme për të ardhura financiare për të, pasi thotë se e ka vështirë të gjejë tjetër vend pune.

Ajo thotë se e ka pasur përkrahjen edhe të burrit e fëmijëve, por është dekurajuar për shkak të mungesës së përkrahjes shtetërore dhe për shkak se aktualisht shitja e mjedrave nuk është e leverdishme.

“Çmimi i mjedrave ka rënë shumë në treg. Nuk po paguhet mundi. Po më rrjedhin djersët. Në pikë të vapës po i ujis”, tregon ajo.

Rufadija, 51-vjeçare, thotë se është dekurajuar të aplikojë për grante, pasi zakonisht kërkohet që një pjesë të financimit të projektit ta bëjnë edhe vetë.

“Po kërkojnë shumë. Kërkojnë të japim edhe ne (para)”, thotë ajo.

Rufadija ka frikë se mungesa e leverdisë nga puna bujqësore do t’i ftohë djemtë e saj adoleshentë nga “dashuria që kanë për vendlindjen dhe shtëpinë e tyre”.

“Ata mund të kërkojnë të largohemi (nga Kosova)”, thotë ajo.

E zhgënjyer nga vështirësitë për të zhvilluar biznesin në fshat thotë se ndihet shpesh edhe Valdete Sahiti.

“Nganjëherë më shkon mendja të tërhiqem, por prapë e kam atë inatin (sepse) llogaris se çfarë të bëj tërë ditën, pasi nuk kam një vend tjetër të punës”, thotë ajo. /REL/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Ndërhyrja Tavi – Zëvendësimi i valvulës së aortës pa operacion në “Acibadem Sistina”

Ndërhyrja Tavi – Zëvendësimi i valvulës së aortës pa operacion në “Acibadem Sistina”

Ekonomi
Nga kosherret, në tryezë, mjaltë që bart shijen e traditës dhe përkushtimit ndër breza!

Nga kosherret, në tryezë, mjaltë që bart shijen e traditës dhe përkushtimit ndër breza!

Ekonomi
Shkolla e notit STEP Sports Center vjen me zbritje 20 dhe 30% për Black Friday

Shkolla e notit STEP Sports Center vjen me zbritje 20 dhe 30% për Black Friday

Ekonomi
Telegrafi Jobs: Vendi ku fillon suksesi juaj

Telegrafi Jobs: Vendi ku fillon suksesi juaj

Ekonomi
Suksesi në rrota - PEUGEOT E-5008 shpallet vetura më e mirë familjare në 2024!

Suksesi në rrota - PEUGEOT E-5008 shpallet vetura më e mirë familjare në 2024!

Ekonomi
Çmimet e grurit dhe vajit në tregjet ndërkombëtare bien, por jo edhe edhe në Kosovë - Murati dhe Bajrami me akuza të ndërsjella

Çmimet e grurit dhe vajit në tregjet ndërkombëtare bien, por jo edhe edhe në Kosovë - Murati dhe Bajrami me akuza të ndërsjella

Ekonomi
Kalo në kategori