LAJMI I FUNDIT:

Muaji nëntor shtrenjton çmimet e konsumit

Muaji nëntor shtrenjton çmimet e konsumit

Në krahasim me muajin tetor, muaji nëntor i këtij viti shënoi një rritje të lehtë të përgjithshme të çmimeve të konsumit, ndërsa krahasuar me muajin nëntor të vitit të kaluar ky indeks është më i lartë për 0.9 për qind.

Të dhënat dolën nga “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK)” i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

“Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: bukë dhe drithëra me 2.9 për qind, mish me 0.5 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 1.2 për qind, vajra dhe yndyra me 3.6 për qind, pemë me 12.8 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 8.4 për qind, ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 1.2 për qind, duhan me 6 për qind, përdorim i pajisjeve për transportin personal me 2.4 për qind (ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.3 për qind në IHÇK”, thuhet të raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.


Sipas ASK-së kjo ngritje është neutralizuar kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupet: rrymë, gaz dhe lëndë të tjera djegëse me -3 për qind si rënie e çmimit të energjisë elektrike në muajin nëntor 2017 për -10.6 për qind, krahasuar me tarifat dimërore të muajit nëntor të vitit 2016, blerja e automjeteve me -1.6 për qind, pajisjet telefonike dhe të telefaksit me -8.8 për qind, pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave me -6.5 për qind me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.4 për qind në IHÇK.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin nëntor 2017 me të njëjtin muaj të vitit 2016 ishte 0.9 për qind.

Indeksi i çmimeve është më i lartë për 0.1 për qind edhe kur krahasohet nëntori i këtij viti me nëntorin e vitit të kaluar. /Telegrafi