LAJMI I FUNDIT:

Mësuesja e ciklit fillor që u shndërrua në gruan e parë nobeliste në letërsi

Mësuesja e ciklit fillor që u shndërrua në gruan e parë nobeliste në letërsi

Nga: Gladiola Jorbus

Mund të konsiderohet si gruaja më e shquar në botën suedeze. Selma Ottilia Lovisa Lagerlof lindi më 20 nëntor 1858 në Marbaka të Varmlandit të Suedisë, rajon i cili kufizohet me Norvegjinë në perëndim.

Varmlandi, kryesisht ka qenë i populluar nga njerëz të thjeshtë, të pajisur me një frymë të thellë fetare, të prirur drejt misticizmit, besëtytnive dhe fantazisë së mbështetur në legjenda që kishin protagonistë shpirtra apo heronj. Janë pikërisht këto legjenda, që pikturuan fëmijërinë e Selmas, teksa i dëgjonte para zjarrit që ngrohte netët skandinave. Kështu ajo krijoi një lidhje të veçantë me Suedinë, historinë dhe kulturën e saj.


Selma Lagerlof mori një arsimim të mirë në fëmijëri; mësoi anglisht dhe frëngjisht. Duke bërë një zotim për të shpëtuar të atin nga një sëmundje e rëndë, në moshën dhjetëvjeçare lexoi të gjithë Biblën. Kjo përvojë pati një ndikim të rëndësishëm te vajza e vogël, veçanërisht stili poetik dhe tejet solemn biblik, plot analogji të vazhdueshme.

Me kalimin e viteve, Selma u zhvendos në Stokholm për të studiuar mësuesinë, kurse më 1885 u transferua në Landskrona për të ndjekur karrierën si mësuese e ciklit fillor ku shfaqi interes për çështjen e votës së grave. Në Konferencën e VI-të të Aleancës Ndërkombëtare të Zgjedhjeve për Gratë që u mbajt në qershor të vitit 1911 në Stokholm, ajo u shpreh: “Gruaja me burrin në krah të saj ka krijuar Shtëpinë ideale; tani është koha që gruaja duhet të bashkëpunojë me burrin dhe së bashku ata të mund të krijojnë Shtetin ideal”.

Në vitin 1891 botoi librin e saj të parë, “Saga e Gosta Berlingut”. Heroi eponim i romanit, një pastor vendas, me një varësi të fortë ndaj alkoolit dhe tejet indiferent, i jep fund karrierës së tij. Romani përshkruan aventurat e 12 kalorësve endacakë suedezë, të udhëhequr nga i parezistueshmi Gosta  i cili përfshihet në një luftë për pushtet me gruan më të pasur të provincës. Libri ka një temë faustiane që merret me një marrëveshjeje të mundshme me djallin, por gjithashtu trajton dhe çështje sociale si varfëria apo depresioni. Në këtë roman vërehet përzierja e elementeve mitike dhe e linjës humoristike të dashurisë. Fillimisht, rrëfimi epik nuk u vlerësua shumë. Sidoqoftë, në vitin 1893 shkrimtarja suedeze krejt papritur shënoi një sukses të madh, jo vetëm në Suedi, por në mbarë botën. Romani i solli asaj një çmim letrar që konsistonte në një shumë të madhe parash. Kështu që autorja vendosi të mos punonte më në fushën e mësimdhënies dhe nisi të udhëtojë rreth Evropës.

Fillimisht, Lagerlof përzgjodhi Italinë si destinacionin e saj të parë, në veçanti ishulli i Sicilisë i dha asaj frymëzimin për “Mrekullitë e Antikrishtit”, roman i botuar në vitin 1897. Teksa qëndronte atje, dëgjoi një legjendë siciliane: ‘Kur Antikrishti të vijë, ai do të shëmbëllejë si Krishti. Do të ketë një skamje të madhe në botë dhe Antikrishti do të shkojë nga toka në tokë e do t’u japë bukë të varfërve. Dhe, kështu ai do të ketë shumë pasues”.

“Mrekullitë e Antikrishtit” është roman filozofik, me ngjarje të vendosura në Sicili, me një romancë dashurie midis një të riu socialist e ateist Gaetanos dhe Donna Mikaelës – besimtare e krishterë. Ky roman përfaqëson kritikën e autores ndaj socializmit. Historia përqendrohet rreth statujës së Antikrishtit, së cilës i lutet dhe i falet Mikaela. Statuja e shenjtorit të rremë duket se bën mrekulli që nuk dallojnë nga ato të Krishtit.

Pas Italisë mahnitëse, ajo lëvizi drejt Egjiptit, udhëtim që shërbeu për të krijuar romanin tjetër “Jerusalem” që u botua midis viteve 1901-1902, në dy pjesë. Rrëfimi përfshin disa breza që jetuan në shekullin XIX dhe përqendrohet në një sërë familjesh nga Dalarna e Suedisë, që përbënin komunitetin e emigrantëve suedezë në Jeruzalem. Romani bazohet në një emigracion të vërtetë që ndodhi nga famullia e Nasit në vitin 1896. Një predikues amerikan u kishte thënë këtyre njerëzve të varfër se Zoti dëshironte që ata të udhëtonin drejt Jerusalemit. Në këtë roman, në sajë të përshkrimit të autores mund të ndjesh aromën e djersës, dhembjen e tyre, urinë dhe pasionin. Familja mbretërore dhe Akademia Suedeze i dhanë asaj mbështetje të konsiderueshme financiare për të realizuar veprën e saj. “Jerusalemi” u vlerësua gjerësisht nga kritika të cilët nisën ta krahasonin Lagerlofin me Homerin dhe Shekspirin. Kësisoj ajo u bë një figurë e mirënjohur si në Suedi, ashtu edhe jashtë saj.

Disa vjet më vonë, krijimtaria e saj vijoi me “Aventurat e Nils Holgerssonit” (1906-1907), një ndër veprat më të famshme në nivel botëror. Lagerlofit iu kërkua nga Shoqata Kombëtare e Mësuesve, në vitin 1902, që të shkruante një libër gjeografie për fëmijë. Në këtë mënyrë, ajo kombinoi fakte dhe informacione nga gjeografia e Suedisë, me një djalë çapkën që ngacmonte kafshët, të quajtur Nils Holgersson. Ky djalë nga pjesa më jugore e Suedisë, i tkurrur sa madhësia e gishtit të madh, që fliste gjuhën e kafshëve, udhëton anembanë vendit, i vendosur mbi kurrizin e patokut Martin. Aventurat dhe udhëtimet e tij në shumë rajone suedeze ndikuan pozitivisht në interesin e fëmijëve për të mësuar sa më shumë rreth vendit të bukur skandinav. Ky libër, i konceptuar si një tekst gjeografik arsimor që do të përdorej në shkolla, arriti të shndërrohej në një sukses të tillë që i dhuroi Selmas reputacionin më të madh në të gjithë vendin. Ky roman shënjoi kulmin e karrierës së saj, aq sa Universiteti i Upsalës – institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në Skandinavi – e vlerësoi me një diplomë nderi në Filozofi në 1907; kurse në vitin 1909, Akademia Mbretërore e Suedisë i akordoi Çmimin Nobel në Letërsi. Ndërsa, në vitin 1914, Akademia e përfshiu në mesin e 18 anëtarëve që përbënin jurinë. Kështu, Selma Lagerlof nuk është vetëm gruaja e parë që ka fituar çmimin Nobelin, por edhe e para që radhitej ndër anëtarët e jurisë.

Me kalimin e viteve, ajo vazhdoi të shkruante, duke u endur me përkushtim nga romanet për të rritur tek tregimet për fëmijë. Veprat e saj karakterizohen nga idealizmi i lartë, imagjinata e gjallë dhe perceptimi shpirtëror. Autorja dëshironte të rizbulonte dhe të lartësonte trashëgiminë letrare e kulturore dhe patosin tradicional të trillimeve popullore suedeze.

Selma vdiq si pasojë e një ataku kardiak, në qytetin e saj të lindjes, Marbacka, më 16 mars 1940, në moshën 82-vjeçare. Veprat e saj i shpëtuan njëfarësoj realizmit të kohës, nën ndikimin e një stili lirik përrallor plot patos.

Duke përqafuar legjendat e traditës skandinave dhe duke i mbushur ato me elemente magjike të mbinatyrshme, Lagerlof maskoi rrëfimin e pastër pagano-fantastik dhe e veshi me mësime e konotacione të krishtera. E lidhur thellë me traditën folklorike dhe legjendat varmlandase të përcjella në fëmijëri nga gjyshja e saj, ajo mishëroi magjepsjen epike të përrallës skandinave.

Shkrimtarja suedeze, autorja e shumë romaneve ka lënë trashëgimi disa ndër frazat më të paharrueshme të shkruara ndonjëherë:

“Të dhurosh do të thotë t’i japësh tjetrit atë që do të parapëlqeje ta mbash për vete”.

“Ajo kishte mësuar ta donte dashurinë me të gjitha mundimet, lotët, mallin e saj. Më mirë të trishtohesh me të, sesa i lumtur pa të”.

“Mësoni të ndërtoni pallate të përjetshme ëndrrash dhe vizionesh!”.

“Inteligjenca dhe mençuria ishin dhe ende janë cilësitë që e transformojnë lypësin në një princ”.

“Kush kupton nuk urren”.

“Për këdo që nuk ndjen rrahjet e zemrës, as trishtimin dhe as gëzimin, nuk mund të konsiderohet një qenie njerëzore e vërtetë”.