Pas lajmit të mbytjes së një turisteje gjermane në kanionin e Langaricës në jug të Shqipërisë, një prej njësive pjesëtare e shoqatës së raftingut në Shqipëri, Zamo Rafting ka reaguar duke kërkuar ndërhyrjen e ministrisë për ndalimin e futjes së turistëve në kanione pa mjetet e nevojshme dhe pa guida të certifikuara.
Sipas Zamo Rafting, kanionet janë të rrezikshme pasi janë zona të mbyllura ku uji i shirave e sidomos i digave (Langarica ka digë) krijojnë rrezikshmëri shumë të lartë në këto zona.
“Një tjetër lajm tragjik! Mbytet turistja gjermane në kanionin e Langaricës, shpëton bashkëshorti i saj. Gjendje e jashtëzakonshme në kanionet e Shqipërisë! Turistë pa veshjet dhe pajisjet e duhura profesionale si kostumet neoprene, jelek shpëtimi, skafandra dhe më e rëndësishmja pa guida profesionale të canyoning apo te eksplorimit të kanioneve te pajisur me mjete te sigurisë si litarë shpëtimi, radio dhe veshje profesionale”, shkruan në Facebook, Zamo Rafting.
“Kanionet nuk eksplorohen pa guida profesionale të pajisura me mjetet e sigurisë dhe pajisje profesionale për turistët! Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet ti ndalojë, janë shumë të rrezikshëm”, sqaron guida e raftingut që operon në zonën e Beratit. /Telegrafi/