Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku në një intervistë për Emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com ka thënë se në Kosovë janë 110 mijë automjete të pa siguruara deri sa pagesa e dëmeve nga aksidentet në komunikacion shkon në 400 milionë euro.
“Në periudhën 2001-2018, kompanitë e sigurimeve kanë paguar 400 milionë euro dëme nga automjetet e siguruara dhe të pasiguruara. Kemi rritje të hyrjeve dhe pagesë të dëmeve. Ne vazhdimisht po kërkojmë që të gjendet një mundësi, që nga Ministria e Punëve të Brendshme të pastrohet lista e veturave të paregjistruara. Sipas një të dhëne janë 110 mijë automjete të paregjistruara dhe kërkesa jonë ka qenë që ta gjejmë formën ligjore që t’i pastrojmë këto lista dhe të dihet saktë sesa mjete janë të paregjistruara”, tha Mazreku.
Dëmet e automjeteve të pasiguruara brenda vitit shkojnë në miliona euro.
“Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, ka thënë se Vetëm pagesa nga këto automjete është nga 2.7 milionë euro deri në 3.5 milionë euro nga automjetet e paregjistruara për çdo vit. Vlen të theksohet se ky dëm kompensohet nga fondi i kompanive të sigurimit. Është një barrë shtesë e kompanive që janë të obliguar që atë pjesë ta paguajnë pjesën e vet”, tha Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku.
Ndryshe, sipas tij, mosha mesatare e vjetërsisë së automjeteve në vendin tonë është 19 vjet. /Telegrafi/