Site icon Telegrafi

Mantia me djathë dhe spec djegës

shutterstock

Racion i përsosur për adhuruesit e kafshatës së mirë

Ju mjafton ta përgatisni sipas recetës më poshtë dhe shija e mirë është e garantuar.

Përbërësit:

– 400 g miell;
– 2 dcl ujë të vakët;
– 100 g gjalpë të shkrirë;
– 2 dcl vaj;
– 700 g djathë taze të lopës;
– 4 speca turshi djegës të grirë imët;
– 2 dcl jogurt;
– 3 thelpinj hudhre të grirë imët;
– kripë.

Përgatitja:

Në një enë për përzierje qesim 400 g mielli, i qesim krip dhe bëjmë brumin duke shtuar 2 dcl ujë të vakët.

Brumin e ringjeshim në tavolinë pune duke i shtuar pak miell. Kur ta ngjeshim e ndajmë në 4 pjesë dhe nga secila, duke e ngjeshur, bëjmë 4 toptha. I vendosim në tabaka dhe i qesim sipër pak përzierje të bërë nga 100 g gjalpë të shkrirë dhe 1 dcl vaj.

I mbulojmë me leckë dhe i lëmë gjysmë ore.

Ndërkohë në enën për përzierje përziejmë 700 g djathë të freskët lope dhe 4 speca turshi djegës të grirë imët. I përziejmë mirë që specat të përhapen mirë në gjithë përbërjen.

Në dërrasë rrethore të mbuluar me sofrabez i përhapim petët nga topthat e bërë duke i lyer vazhdimisht përbërjen e gjalpit dhe vajit.

Kur t’i kemi përhapur radhisim përbërjen e djathit dhe ngadalë e mbështjellim brumin në mënyrë të barabartë nga të gjitha anët.

Me dorë i heqim copat e mbështjella të petës, formojmë toptha dhe i radhisim në tepsi të rrumbullakët të bërë me vaj duke bërë rrathë.

I pjekim 45 minuta në furrë të nxehur në 200 gradë Celsius.

Ndërkohë bëjmë shtesën për mantia ashtu që në 2 dcl jogurt shtojmë 3 thelpinj hudhre të grirë imët.

Kur të piqen mantiat, i qesim sipër përzierjen e jogurtit dhe hudhrës dhe i shërbejmë.

Ju bëfshin mirë, transmeton Telegrafi.

Exit mobile version