Site icon Telegrafi

Lirohet nga paraburgimi njëri nga ish-administratorët e “Albkings”

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka ndërprerë masën e paraburgimit E.N, i cili është i dyshuar si njëri nga administratorët e grupit në Telegram “AlbKings”, nga i cili po denigroheshin gratë dhe vajzat.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Sipas saj, lirimi i tij është bërë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

“Për njoftimin tuaj me datë 17.10.2024 gjykata ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkesën për ndërprerjen e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit E.N. Prokuroria e ka njoftuar gjykatën se ka ardhur në përfundim, që ndaj të pandehurit E.N kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti në prezencën e mbrojtësit të tij sipas autorizimit, ka arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, po ashtu i pandehuri ka dhënë adresë të saktë të vendqëndrimit në Republikën e Kosovës, ku janë edhe familjarët e tij dhe ka premtuar se deri në përfundim të procedurës penale do të paraqitet çdo herë, kurdo që t’i kërkohet nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, të dyshuarit masa e paraburgimit nuk i është zëvendësuar me ndonjë masë tjetër, pasi siç tha ajo “nuk ka pasur kërkesë nga prokuroria”.

“Gjykata pas vlerësimit të propozimit të Prokurorit të Shtetit ka vlerësuar se kanë pushuar kushtet ligjore për mbajtjen e mëtejme nën masën e paraburgimit, andaj, duke zbatuar nenin 182 par.3 të KPPRK-së, të pandehurit E.N i është ndërprerë masa e paraburgimit, të njëjtit nuk i është zëvendësuar me ndonjë masë tjetër, pasi nuk ka pasur kërkesë nga prokuroria”.

Ndryshe, i dyshuari E.N ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version