Liga Total: Centrum shpallet kampion i Lipjanit

Gjatë këtij sezoni skuadra e Centrum ishte në situata të vështira duke mos mundur të marrë kreun e tabelës deri në fund të kampionatit, ku Standard Benz dështoi në sfidën vendimtare ndaj Dobrajes dhe më pas ishte Centrum që arriti të marrë kreun vetëm në fund të kampionatit. Skuadra e Centrum kishte në përbërje lojtarë jashtëzakonisht të mirë, si Azem Ibrahimi, Agon Ramadani, Haki Ahmeti, Bujar Sinani e Nehat Flugaj.
Armata e Centrum njihet si një skuadër që luan futboll mjaft të bukur për sy dhe korrekt. Centrum ishte në garë të ethshme me Standard Benz-in dhe Bajramin nga Banulla deri në fund të kampionatit. Ata sezonin e mbyllen me plot 45 pikë dhe 87 gola të shënuar. Në ndeshjen e fundit Centrum mposhti 6-1 AL Comin për t’u shpallur dhe zyrtarisht kampion i Lipjanit.
Në vend të dytë përfundoi Standard Benz që ndoshta meritoi më shumë këtë sezon meqenëse për plotë 16 xhiro ishte në krye të kampionatit. Bajrami në anën tjetër përfundoi e treta në tabelë, teksa top katërshja u mbyll me ish kampionët e Dobrajës. Pjesë e Super Ligës për sezonin e ri do jetë skuadra e madhe e Avni Ites në krye me Kemajl Gashin dhe ajo e Mbretërve të cilët u inkuadruan nga Liga e Dytë.
Më të dalluarit e këtij sezoni
Bujar Sinani u shpall lojtari më i mirë i sezonit. Sinani ishte vendimtar për ekipin e tij dhe nuk mungoi pothuajse në asnjë sfidë duke shënuar edhe 16 gola. Golashënuesi më i mirë u zgjodh ish-antari i FC Prishtinës, Ardian Kozhani, me 29 gola të shënuar, ndërsa portieri më i mirë u shpall Suad Bikliqi i Janjevës. Gjithashtu me mirënjohje për kontributin e dhënë këtë sezon u nderuan dhe gjyqtarët e ligës, Besart Ismajli dhe Alban Zejnullahu, si dhe u ndanë mirënjohje edhe për lojtarët e skuadrat më korrekt të këtij sezoni. /Telegrafi/


























































