Lifestyle Conference 2025 në Kosovë: Çfarë synon reduktimi i dëmit dhe si kujdesemi për shëndetin gjatë gjithë jetës?

Lifestyle Conference 2025 “Lifelong Health and Harm Reduction”, e organizuar për herë të parëmë 13 nëntor në Prishtinë, solli një platformë gjithëpërfshirëse informimi, diskutimi dhe ndërgjegjësimi mbi stilin e jetesës dhe konceptin e reduktimit të dëmit.
Freskida Miloti, gazetare shëndeti, farmaciste dhe eksperte e shëndetit publik në Shqipëri, theksoi se kjo platformë, nëpërmjet prezantimeve shkencore, paneleve të diskutimit dhe paraqitjes së të dhënave më të fundit, kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e shëndetit publik dhe cilësisë së jetës si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Në panelet e konferencës u trajtuan disa tema që lidhen me stilin e jetesës dhe reduktimin e dëmit, si përdorimi i alkoolit, duhanit dhe substancave, shëndeti mendor dhe fizik, raporti meteknologjinë dhe marrëdhëniet ndërpersonale. Pjesëmarrës nga fusha të ndryshme, përfshirë shëndetin publik, shërbimet mjekësore, kardiologjinë, endokrinologjinë, akademinë, shëndetin mendor, nutricionin dhe gazetarinë, ndanë përvojat e tyre mbi mënyrat se si kujdesi ndaj shëndetit dhe zgjedhjet e informuara mund të përmirësojnë stilin e jetesës në tërësi.
Varësia dhe grupet në risk: thirrje për ndërgjegjësim dhe reduktim të dëmit
Ekspertët në panelin e varësisë dhe përdorimit të substancave theksuan nevojën për vëmendje të shtuar ndaj grupeve në risk, sidomos të rinjve. Ata kërkuan që institucionet publike, bizneset,shitësit, komuniteti dhe familjarët të forcojnë masat dhe të ndërgjegjësohen për parandalimin e aksesit të të miturve në produktet e alkoolit dhe duhanit.
U theksua gjithashtu thirrja për konsumatorët e duhanit, të cilët duhet të largohen përfundimisht nga duhani. Për ata që nuk e lënë, u nënvizua rëndësia e orientimit drejt alternativave me risk të reduktuar për të ulur dëmet në shëndet.
Një zhvillim pozitiv në këtë drejtim është njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë për hapjen e Qendrës së Varësisë në Kosovë, një hap i rëndësishëm drejt mbështetjes së individëve qëpërballen me varësi, duke ofruar ndihmë dhe jo stigmatizim.
Shëndeti gjatë gjithë jetës: nga fëmijëria te mosha adulte
Pranvera Selimi, influencuese e stilit të jetesës, theksoi se përqafimi i një stili të shëndetshëm jetese, qoftë përmes vrapit apo stërvitjes, është një zgjedhje personale që lidhet me mirëqenien e brendshme dhe jo vetëm me pamjen. Ajo vuri në dukje se ndryshimi i rutinës kërkon kohë dhe vazhdimësi.
Endokrinologu Elton Bahtri e përshkroi ndryshimin e stilit të jetës si një proces që nuk ndodh menjëherë, por nis me ndërgjegjësimin e përditshëm, përpara se të shfaqen problemet shëndetësore dhe para se të jetë e nevojshme ndërhyrja mjekësore.
Ky mesazh u mbështet nga nutricionistja Vala Pupovci dhe trajneri i fitnesit Neshat Krasniqi, të cilët theksuan se edukimi shëndetësor fillon në moshë të hershme dhe lidhet me shembullin që familja u jep fëmijëve
.Psikiatrja Vera Ora ndau perspektivën e saj mbi shëndetin mendor duke theksuar se ështënormale të përjetosh ankth, shqetësime ose sfida emocionale. Sipas saj, e rëndësishme është qasja: pranimi, kërkimi i ndihmës, të folurit me dikë dhe mbushja e ditës me përvoja pozitive, nga ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik te përmbajtja online që konsumojmë. Të njëjtin qëndrim e theksoi edhe Rita Parashumti, specialiste e mjekësisë parandaluese dhe holistike.
Në panelin “Post Trauma dhe Shëndeti Mendor: nga ndërgjegjësimi te shërimi”, ekspertët theksuan rolin thelbësor të profesionistit të shëndetit mendor dhe rëndësinë që ai të jetë i pranishëm në familje, shkolla, kompani dhe institucione si hallka e parë drejt reduktimit të dëmit.
Reduktimi i dëmit: një qasje realiste, e bazuar në shkencë dhe e provuar në raste suksesi
Sa i përket reduktimit të dëmit, ekspertët nënvizuan se përmirësimi i shëndetit fizik dhe mendor nuk ndodh brenda natës. Ai është rezultat i një sërë zgjedhjesh të përditshme që ndikojnë pozitivisht në jetën tonë.
Mesazhi kryesor i konferencës ishte nevoja për të qenë realistë, për të mbështetur vendimet tona në të dhëna shkencore dhe për t’u frymëzuar nga vendet që kanë arritur rezultate domethënëse në shëndetin publik duke përqafuar qasjen e reduktimit të dëmit.
















































