LAJMI I FUNDIT:

Lajmet propaganduese në mungesë të gazetarisë konstruktive dhe inovative

Lajmet propaganduese në mungesë të gazetarisë konstruktive dhe inovative

Gazetaria konstruktive lindi si nevojë e riorganizimit profesional dhe gazetaresk në epokën digjitale

Behare Bajraktari,
Gazetare dhe Publiciste

Për shumë njerëz Danimarka njihet si parajsa liberale, megjithatë danezët në platformat online po ballafaqohen me çdo të njëzetin koment negativ, sipas disa të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të prezantuara në punëtorinë informuese për gazetarët e Ballkanit Perëndimorë në tetor 2023. Këto mund të jenë si arsye të mjaftueshme se përse në Danimarkë lindi nevoja për gazetari konstruktive, në një prej vendeve nordike më të demokratizuara, të përparuara si dhe, si një prej vendeve më paqësore.


Gazetarët e Ballkanit të zjarrtë e kanë një mundësi të mirë që të marrin përvojën daneze për një raportim më konstruktiv, sidomos kur bëhet fjalë për numrin e madh të komenteve negative dhe gjuhën e urrejtës që shpërndahen orë e çast në platformat online dhe në raportimet e tyre të përditshme, por edhe se si vetë gazetarët bëhen nxitës të një gjuhe të tillë me apo pa dashje.

Po vetë gazetarët a janë nxitës dhe shpërndarës të gjuhës së urrejtjes, manipulimit dhe propagandës?

Zyrtarja e punëve të jashtme të shtetit danez znj. Siri sapo ishte kthyer prej vendeve të Ballkanit siç është Bosnja & Hercegovina dhe Serbia, e cila po tregonte se si është gjendja e mediave dhe gazetarëve sidomos në Serbi, në ligjëratën e saj të mbajtur për gazetarët e Ballkanit në programin e BE-së të Shërbimit Diplomatik “Rritja e Kapaciteteve të Gazetarisë Konstruktive për Gazetarët e Ballkanit Perëndimorë”.

Në këtë punëtori informuese mediat serbe i pozicionoi në vendin e parë për nga mungesa e lirisë, mungesa e pavarësisë editoriale dhe ndërhyrjet politike.

Gazetarët serb në këtë rast e kishin një reagim të pashoq (por i njohur botërisht) nuk pajtoheshin përballë fakteve, përkundër që secila organizatë ndërkombëtare siç është Transparency International Freedom House, Raport of Progress etj, paraqesin realitetin, ashtu bëri edhe znj. Siri duke iu referuar këtyre raporteve dhe gjendjes së mediave nga ajo vizitë informuese nga vet ajo. Gjuha e mosdurimit shkon përtej , ku njëri prej gazetarëve të Radio Televizioni të Serbisë shante dhe fyente në gjuhën serbe zyrtaren dhe danezët “ U pi..u materinu”(në p… të s’amës) duke kapërcyer çdo etikë dhe përballje me faktet apo edhe informatat rreth punës së tyre si gazetarë. Këto sharje dhe fyerje ndodhen në një prej sallave të Parlamentit Danez ku mbaheshin këto punëtori informuese për propagandën, dezinformatat dhe lajmet e rrejshme. Kundërshtimet e gazetarëve serb për këto të dhëna ishin agresive dhe nuk kishin asnjë lidhje me gazetarinë konstruktive.

Programi ku morën pjesë gazetarët e Ballkanit Perëndimor ishte Gazetaria Konstrukive, ndërsa një natë më herët po në vendin ku lindi kjo gazetari Aarhus, gazetarët serb jo vetëm e mohuan Kosovën dhe pavarësinë e saj, madje iu bënin thirrje danezëve të bashkoheshin në këtë mohim siç po bëjnë pesë shtetet e BE-së, duke harruar faktin se Danimarka e ka njohur pavarësinë e Kosovës si një ndër shtetet e para, edhe si mbështetëse dhe promotore e vlerave liberale dhe demokratike.

Gazetarët ballkanas ishin ndarë në palë sipas etnive (dallimet mes gazetarëve ‘konstruktiv’ ishin të ndara në etni, gazetarët shqiptar të Kosovës nuk pëlqeheshin nga gazetarët serb). Si erdhën, ashtu edhe u kthyen me dekonstruktivitet.

Pse u themelua Instituti i Gazetarisë Konstruktive?

Mbase gazetaria humbet realitetin në dy situata, kur ka shumë ‘liberalizëm’ siç është Danimarka dhe kur pushteti kontrollon mediat siç ndodhë në Serbi, dhe në atë drejtim po shkojnë mediat e gjithë Ballkanit, pa përjashtim do të thoni ju?

Gjasat janë shumë të mëdha që ka humbur roli i vërtet i medias dhe i gazetarisë, duke ua lënë në dorë gjithçka përdoruesve të platformave online, ku lajmet, informatat janë pa filter, gjysmake dhe nxitëse. Nevojitet një mendësi e re gazetareske, inovative dhe të vetëdijshëm për rolin e tyre në epokën digjitale, prandaj lindi nevoja për themelimin e gazetarisë konstruktive të mësohet gazetaria nga brendia universitare e Aarhusit.

‘Audiencat janë të ngopura me sensacionalizmin dhe paragjykimet negative të lajmeve, por media mund të korrigjojë kursin dhe nga ana tjetër t’u shërbejë më mirë demokracive tona’, thotë themeluesi i institutit, Ulrik Haagerup.

Themelet e gazetarisë konstruktive u vunë në vitin 2017 kur gazetari danez Ulrik Haagerup pas më shumë së 20 vite në gazetari dhe pas një pune shumë vjeçare si folës publik, dhe në pozita udhëheqëse të mediave më të mëdha daneze, ndër të tjera, pa se gazetarët duhen të ndryshojnë mënyrën e raportimit.

Gazetaria konstruktive si një përgjigje ndaj sensacionalizmit në rritje dhe paragjykimeve negative të medias së lajmeve sot

Misioni i saj kryesor është të rivendosë besimin në idenë se faktet e përbashkëta, njohuritë e përbashkëta dhe diskutimet e përbashkëta janë shtyllat mbi të cilat balancojnë komunitetet tona, dhe ajo përqendron funksionin demokratik të gazetarisë si një mekanizëm reagimi që ndihmon shoqërinë të korrigjohet vetë.

Ndërsa në mendësinë ballkanike akoma demokracia është në fillet e saj e këtë pasojë e vuan edhe media ku qeveritë besojnë të shtrijnë autoritetin dhe ndikimin e tyre për të kontrolluar masën. Në Ballkan akoma besojnë që një individ apo vetëm një grup i caktuar njerëzish duhet të vendos për fatin e njerëzve, në rastin e mediave se çfarë përmbajtje duhet të ndajnë me audiencat e tyre.

Lajmet gazetareske vs industria e lajmeve

Të bërit gazetari ka ndryshuar që kur njerëzimi ka hyrë në epokën e zhvillimit industrial, kur Revolucioni Industrial krijoj kalimin nga krijimi i mallrave me dorë në përdorimin e makinerive. Fillimi dhe fundi i tij janë debatuar gjerësisht nga studiuesit, por periudha në përgjithësi u shtri nga rreth 1760 deri në 1840. Pra ashtu siç ndryshuan modelet e biznesit, ashtu ndryshuan edhe modelet për gazetarinë si një ringjallje mes gjetjes së tregut, parave, audiencave dhe konkurrencës. Industrializimi siç duket krijoj edhe industrinë e lajmeve, por edhe e përkeqësoj gazetarinë e mirëfilltë pa i parashikuar dëmet në të cilat po i jetojmë në Epokën Digjitale. Në mes një keq informimi masiv, propaganda dhe manipulimi të një lloji të paparë krahasuar me kohën e gazetave, ekraneve pa ngjyra e deri te Rrjetet Sociale që e kanë përkeqësuar gjendjen, lajmet gjithashtu janë përshpejtuar dhe masivizuar, janë rritur në vëllim dhe janë bërë gjithnjë e më sensacionale, për shkak të industrisë.

“Raportimi tradicional i lajmeve është shpesh i njëanshëm në anën e negativitetit dhe cinizmit, duke harruar të kontekstualizojë lajmet e ditës me kontekstin dhe kërkimin përkatës”, thonë themeluesit e gazetarisë konstruktive.

Raportimet e gazetarëve u tendosen në mes revolucioneve duke pësuar transformime siç ndodhi edhe me Revolucionin digjital, i cili filloi rreth vitit 1980 me internetin dhe më pas me pajisjet celulare, rrjetet sociale që revolucionarizuan praktikat e punës në çdo aspekt.

Ndërsa ndodhemi në një revolucion të pakrahasueshëm të Inteligjencës Artificiale dhe Chatbotëve të cilët po zëvendësojnë punën e njeriut dhe të gazetarëve, gjithashtu. Tash thellësisht ndodhemi në industrinë e lajmeve, ku mjafton një titull që njerëzit të krijojnë histori, narrative, por edhe të nënvlerësojnë situatën apo një çështje të caktuar.

Sondazhet në mbarë botën tregojnë se ajo që publiku beson për vendet e tyre është shpesh larg nga e vërteta. Jeta është më e mirë nga sa mendojnë. Njerëzit e vlerësojnë performancën e shoqërive të tyre shumë më keq sesa realiteti. Kjo ka pasoja për mënyrën se si njerëzit jetojnë, votojnë dhe trajtojnë njëri-tjetrin.

Gazetaria inovative bazohet në zgjidhje dhe promovon demokracinë

Demokracia promovohet dhe mbrohet kur secilit i mundësohet të merr pjesë në zgjidhje dhe të bëhet pjesë në vendimmarrje në një mënyrë apo një tjetër. Ashtu siç është zhanri i Gazetarisë së Gjelbër në Kosovë, ku fokusohet në zgjidhje, në punën e përbashkët pa krijuar situata armiqësore, ofenduese dhe denigruese për askënd. Thjeshtë të gjithë akterët bëhen bashkë për ta zgjidhur problemin e caktuar duke menduar drejt të ardhmes. Nuk mjafton më të ekspozohen problemet dhe të ‘etiketohen problematikët’ apo problemet.

“Qëllimi i gazetarisë konstruktive nuk është të jesh aktivist”, sepse të jesh gazetar dhe aktivist janë si dy anët e medaljes. Aktivistët janë avokues për një çështje, ndërsa gazetarët janë të paanshëm dhe raportojnë për të gjithë, por me të drejt ata qëndrojnë në krahun e viktimave. Njësoj siç është Gazetaria e Gjelbër, e cila promovon Agjendën e Gjelbër, nuk etiketon asnjë njeri për problemin, ofron zgjidhje inovative përmes gjithë përfshirjes. Gazetaria si e kundërta e aktivizimit, raporton dhe ofron zgjidhje në transformimin që bota po e bënë në të mirë të vetës dhe në të mirë Planetit, sepse “Toka është gjithçka çfarë kemi të përbashkët”, pa u bërë palë dhe pa u shndërruar në aktivist.

“Gazetaria modernizohet po aq sa është modernizuar një shoqëri, njëkohësisht është prijëse e debateve dhe ndryshimeve”

Media dhe gazetarët si dy entitete të ndryshme

Pas luftës Kosova nuk arriti të mbajë gjallë gazetën më të madhe më historinë tonë mediale “Rilindja”. Kosova nuk arriti madje të mbaj gjallë asnjë gazetë, dhe është e vetmja në kontinentin evropian që nuk ka gazetë të shtypur. Koncepti medial i instaluar në shoqërinë tonë shumë shpejt nuk do të mund të mbajë gjallë as konceptin televiziv. Duke qenë se mediat aktuale i janë nënshtruar platformave online dhe klikimeve, njësoj siç morën hov gazetat, në të njëjtën frymë janë edhe televizionet. Televizionet do të shuhen njësoj sikurse gazetat, por në një format më ekskluziv për shkak të Inteligjencës Artificiale e cila po i tjetërson në një ‘mënyrë të përjetshme’ dhe të pakthyeshme.

Megjithatë, mbetet akoma një shpresë e vogël për radiot, ani pse ‘bosët e radiove’ e kanë ngatërruar radion me podcast-e. Shumë shpejt koha do ta dëshmoj se podcast-i është diçka tjetër, mediumi radio diçka tjetër. Radio do të rezistoj në shumë transformime teknologjike, inovative dhe mes trendëve botërore, megjithatë nuk është asgjë e sigurt.

‘Secili botues nxori nga një arsye, por asnjëri nuk e tha të vërteten e dhimbshme se si u shuan gazetat’

Pas pavarësisë së Kosovës në vend se të konsolidohej media edhe më shumë, ajo e mori tatëpjetëzën duke u bërë pjesë e propagandës pa menduar për detyrimet profesionale dhe për pasojat që do t’i lërë pas shoqërisë dhe demokracisë.

Redaksitë e mediave tradicionale siç janë radiot, televizionet dhe gazetat nuk punuan me standardet e tyre të profesionit, por ato filluan të rreshtohen karshi shumë portaleve pa pronar dhe pa adresë. Nuk vonoi shumë dhe pasojat ndaj gazetave erdhën furishëm: Ato u shuan përgjithmonë.

Gazetaria u shndërrua në biznes të partive politike të cilat themelonin furishëm ‘redaksi’, dhe po aq furishëm i shuanin ato, ndërsa gazetarët nuk i konsideronin as për ‘mall’. Fabrikimet e lajmeve tjetërsuan prodhimin duke u quajtur më të drejt industri. Shpejt gazetarët si entitet kaluan në biznes, tregti, industri dhe trafik që nënkupton veprimtarinë që ka të bëjë me furnizimin, blerjen, përpunimin dhe shpërndarjen e mallrave. Duket dhe tingëllon e rëndë, por nëse quhet industri e lajmeve, atëherë industrializimi i lajmeve përfundimisht e tjetërsoi gazetarinë.

‘Dikur partitë politike blinin gazeta, tash blejnë portale’

Shit-blerja e lajmeve

Kur të humbë shpresa, humbet e ardhmja, prodhohet pa siguri, referuar studimeve shkencore.

Në mediat televizive dhe në veçanti platformat online shumica e titujve dhe lajmeve janë negative, shpesh gjysmake, shumë prej tyre sensacionale dhe propaganduese, në mediat e Ballkanit këto janë edhe më të theksuara. Në psikologjinë kolektive është krijuar bindja se rajoni nuk mund të ndryshojë dhe gjithmonë do të ketë luftëra, dhe pa mëdyshje, frika është produkti më i shitur për manipulim.

Ndërsa, në rastin e Kosovës si shoqëri e ndarë në dysh ndikimi i mënyrës së raportimit ka një rol të pamatshëm. Në bazë të shpërndarjes së lajmeve krijohet opinioni i përgjithshëm, ose perceptimi për një situatë apo ngjarje të caktuar. Por, nuk është mirë gjendja kudo në botë në këtë aspekt. Klima gazetareske po ndryshon për çdo ditë, por jo për të mirë.

Hulumtimi i fundit i Universitetit të Kalifornisë sugjeron se lajmet mund të na formojnë në mënyra befasuese nga perceptimi ynë i rrezikut tek përmbajtja e ëndrrave tona, tek shanset tona për të pasur madje një atak në zemër.

Një mënyrë që mendohet të ndodhë kjo është përmes “efekteve të kornizës”, në të cilat mënyra se si paraqitet diçka si një fakt ose një zgjedhje ndikon në mënyrën se si mendoni për të. Për shembull, një ilaç që është “95% efektiv” në trajtimin e një sëmundjeje tingëllon më tërheqës se ai që “dështon 5% të rasteve”, thuhet më tej në studim.

Në këtë studim, kur shkencëtarët u paraqitën pjesëmarrësve lajme që përmbanin deklarata të barasvlershme, por të formuluara ndryshe, rreth paqëndrueshmërisë politike ose incidenteve terroriste, ata ishin në gjendje të manipulonin perceptimin e tyre se sa i rrezikshëm dukej ai vend. Për shembull, të thuash se një sulm terrorist ishte shkaktuar nga “Al-Kaeda dhe grupet radikale islamike të lidhura me to” ishte shumë më shqetësuese sesa të thuash “grup separatist rebel vendas” megjithëse të dyja kanë të njëjtin kuptim, sipas artikullit të publikuar në BBC.

Ashtu edhe rasti i Kosovës me sulmin në Banjskë, të huajt të cilët përcjellin ngjarjet po mendojnë se lufta është duke vazhduar dhe Kosova është një vend akoma në luftë dhe nuk ka siguri, sepse shumë lajme që prodhohen dhe shpërndahen për Kosovën janë shumë negative. Të huajt që vijnë në Kosovë si turistë apo edhe si diplomatë befasohen nga ajo çfarë lexojnë nga lajmet dhe raportimet duke e paraqitur një narrativë tjetër për vendin tonë. Duke e ditur që nuk është kohë e largët që kur ka ndodhur lufta në Kosovë 1999 dhe njerëzit akoma i mbajnë në mendje ato pamje; pastaj trazirat e marsit të 2004 me vrasje dhe djegie shtëpish; më pas protestat e 2007 ku vdiqën protestues; më pas djegia dhe sulmet e parlamentit në 2016; dhe në 2023 sulmet brutale ndaj gazetarëve dhe sulmi terrorist në Banjskë.

Duke shpëtuar gazetarinë a mund ta shpëtojmë vendin dhe ta krijojmë të ardhmen?

Në Kosovë temat e sponsoruara mbizotërojnë dit’ e nat’ siç është politika, feja, çështjet gjinore, urrejtja ndaj gazetarëve dhe pavarësia e Kosovës dhe kohë pas kohe të na servohen tema të tipit Kosova e kolonizuar nga SHBA-ja.

Për këto tema në mënyrë të vazhdueshme nxitet dhe shpërndahet gjuha e urrejtjes e mos durimit dhe e dhunës, krejt kjo për shkak se këto janë tema të porositura, në vend që të flitej për ekonomi, zhvillim dhe investime.

Lufta hibride ka filluar para një dekade, ndërsa mediat tona po ‘flirtonin’ me klikime

Sipas Harvard Kennedy Scholl, Programi për Gratë dhe Politikat Publike “Media ka fuqinë të ndikojë në besimet, qëndrimet dhe sjelljet individuale. Kështu, normat shoqërore që ndikojnë dhe inkurajojnë dhunën gjinore janë shënjestruar nga ndërhyrjet e politikave duke përdorur komunikimin masmedia”.

Sipas hulumtimeve të mëparshme sugjerojnë se media ndikon përmes dy efekteve: efektit individual ose të drejtpërdrejtë (privat) ose efektit social ose indirekt (publik).

Në efektin individual, informacioni mediatik për normat e reja mund t’i bindë individët t’i pranojnë ato. Në efektin social, informacioni krijon njohuri të përbashkëta për një normë dhe rrit koordinimin shoqëror pasi individët e pranojnë më lehtë informacionin nëse besojnë se të tjerët e kanë pranuar gjithashtu atë. Ky studim i publikuar në BBC shqyrtoi nëse mekanizmi social i medias ka një ndikim më të fortë se mekanizmi i saj individual në ndryshimin e qëndrimeve të dhunshme ndaj grave.

Kohëve të fundit në shoqërinë tonë është përhapur efekti individual i drejtpërdrejtë (privat), përmes njerëzve ‘të besueshëm’ duke përhapur fjalët nëpër kafene dhe biseda shoqërore se Kosova shumë shpejt mund të hyjë në luftë me Serbinë dhe se burrat dhe djemtë e vendit duhet të rekrutohen në ushtri për ta mbrojtur vendin, ata duhet të lajmërohen nëpër kazerma të FSK-së. Qytetarët e hutuar pyesin nëpër njerëz se si shkon procesi i rekrutimit dhe se ata janë të gatshëm të luftojnë, por pa rikujtuar faktin për ligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës i cili rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë të Kosovës.

‘Gabimet e gazetarëve’ apo platforma të krijuara ekskluzivisht për propagandë?

Efekti propagandues te ne është direkt dhe indirekt në baza ditore përmes televizioneve dhe platformave online. Klerikët fetarë intervistohen nga gazetarët për të drejtat e grave, për martesat e deri te çështjet seksuale. Klerikët fetarë i japin vetës të drejtë të përgjigjen në secilën pyetje, ani pse jeta shoqërore dhe demokratike është formësuar sipas Kushtetutës moderne, liberale dhe laike, pa patur nevojë të interferohet asgjë, as religjioni. Kushtetuta e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore dhe sipas nenit 8 Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.

Kosova dhe Ballkani si tërësi akoma mbeten të papërgatitura për luftën hibride e cila ka filluar që para vitit 2014. Në fund të vitit 2022 State Departamenti publikoj dokumente ku ngriste alarmin se Rusia ka dhënë mbi 300 milionë euro para kesh për individ, politikan, gazetarë, medie, OJQ, Organizata bamirëse, Institute të ndryshme. Këto para sipas dokumentit të SD-së janë dhënë drejtpërdrejt apo tërthorazi për të ndikuar, manipuluar, për ta tjetërsuar narrativen, por mbi të gjitha për të ndikuar përmes njerëzve me eminent të atyre vendeve ku ata veprojnë. Shumë emra eminent janë të ekspozuar edhe te ne dhe në publikun tonë edhe ashtu të përqarë dhe të varfër.

Lufta hibride është përhapur edhe në shtetet evropiane ashtu siç ndodhi edhe në fillim të vitit 2023 ku plani i një grupi gjerman ishte të sulmonte Berlinin, të arrestonte ligjvënësit dhe të ekzekutonte kancelarin. Një princ me prejardhje nga fisnikëria gjermane do të merrte detyrën si kreu i ri i shtetit dhe një ish-deputet i parlamentit të ekstremit të djathtë do të vihej në krye të një spastrimi kombëtar. Për të lehtësuar grushtin e shtetit, rrjeti elektrik do të sabotohej. Telefonat satelitorë për të komunikuar jashtë rrjetit ishin blerë tashmë. Kjo është ajo që prokurorët gjermanë dhe zyrtarët e inteligjencës thanë se një rrjet terrorist i ekstremit të djathtë mbarëkombëtar po komplotonte përpara se 3,000 oficerë policie dhe Forca Speciale shpërthyen në të gjithë vendin gjatë vitit 2023.

Nga ana tjetër, në vitin 2018 është konsideruar si një skandal i lartë kur presidenti rus Vladimir Putin mori pjesë në dasmën e ministres së Jashtme austriake Karin Kneissl. Putini i dha asaj dhurata dhe kërceu me të në dasmën e saj në provincën jugore të Austrisë, Styria. Politikanët e opozitës kishin akuzuar zonjën Kneissl për minimin e politikës së jashtme të BE-së me zgjedhjen e saj të të ftuarit (Vladimir Putin).

Putini mbajti një fjalim në gjermanisht dhe ngriti dolli për nusen dhe dhëndrin. Zonja Kneissl, një akademike e cila u zgjodh si ministre e Jashtme nga Partia e Lirisë së ekstremit të djathtë të Austrisë një partner koalicioni në qeverinë e saj kohe.

Putini në atë kohë u ndal në Austri gjatë rrugës për në Gjermani, zhvilloi bisedime jozyrtare me zonjën Merkel për tre orë në kështjellën Meseberg, në veri të Berlinit. Mediat thanë se ata do të diskutonin për Sirinë dhe Ukrainën, si dhe për furnizimet me gaz rus në Evropë, në kohën kur Gjermania përballej me presionin e SHBA-së për të ndërprerë punën në projektin e gazsjellësit Nord Stream 2. Takimi përfundoi pa një konferencë për shtyp.

Fabrikimet propaganduese

Qëllimet janë mjaft të lehta për t’u përcaktuar nëse propaganduesit thjesht duan të shesin një mall ose shërbim relativisht të sigurt, të dobishëm dhe të thjeshtë. Kur propagandistët synojnë të konvertojnë një numër të madh njerëzish në një fe ose një rend të ri shoqëror ose të nxisin veprime kolektive jashtëzakonisht të rrezikshme si një luftë ose revolucion, megjithatë, përcaktimi i qëllimeve bëhet shumë kompleks, shkruan Britanica.

Dihet botërisht se fabrikimet tashmë kanë kaluar në një tjetër nivel siç është platforma ruse Telegram. Edhe analistët e të dhënave zbuluan se këto kanale të Telegramit pro-Kremlint përdorin pamjet e manipuluara ose të fabrikuara nga media e vendosur për të përhapur informacione të rreme dhe mashtruese dhe amplifikojnë informacionin e rremë të përhapur nga Ministria Ruse e Mbrojtjes. Ndërsa për fatin tonë të keq, në Telegram gjithashtu është formuar një grup me dhjetëra ndjekës i quajtur “Alb King” duke publikuar foto dhe video të vajzave shqiptare, grup me mbi 10 mijë ndjekës i cili edhe nëse mbyllet rigrupohet edhe më fuqishëm pa kaluar 24 orë. Institucione të rëndësishme evropiane Telegramin e kanë cilësuar si shpërndarëse e të pavërtetave, dhe mbrojtëse e grupeve ekstremiste dhe të rrezikshme siç kishte bërë në vitin 2020-2021 duke bërë fushata të vazhdueshme për mos vaksinimin e popullatës kundër Covid-it, por edhe fanatizmit fetar dhe grupeve ekstremiste fetare.

Mediat e përdorura në propagandën e sofistikuar bashkëkohore

Propagandistët bashkëkohorë me para dhe imagjinatë mund të përdorin një gamë shumë të gjerë shenjash, simbolesh dhe mediash për të përcjellë mesazhet e tyre.

Propaganda, shpërndarja e informacionit ‘fakte’, argumente, thashetheme, gjysmë të vërteta ose gënjeshtra për të ndikuar në opinionin publik shpesh përcillet përmes mediave masive. Propaganda është përpjekje pak a shumë sistematike për të manipuluar besimet, qëndrimet ose veprimet e njerëzve të tjerë me anë të simboleve (fjalë, gjeste, banderola, monumente, muzikë, veshje, shenja, modele flokësh, modele në monedha dhe pulla postare, e kështu me radhë), sipas Britanica.

Qëllimi dhe një theks relativisht i madh mbi manipulimin e dallojnë propagandën nga biseda e rastësishme ose shkëmbimi i lirë dhe i lehtë i ideve. Propagandistët kanë një qëllim të caktuar ose grup qëllimesh. Për t’i arritur këto, ata zgjedhin qëllimisht fakte, argumente dhe shfaqje simbolesh dhe i paraqesin ato në mënyra që ata mendojnë se do të kenë efektin më të madh. Për të maksimizuar efektin, ata mund të anashkalojnë ose shtrembërojnë faktet përkatëse ose thjesht të gënjejnë, dhe mund të përpiqen të largojnë vëmendjen e reaktorëve (njerëzve që ata po përpiqen të ndikojnë) nga gjithçka, përveç propagandës së tyre.

Ndikimet ruse në Kosovë përmes mediave italiane

Mediat në Shqipëri edhe pa dashje mund të jenë përfshirë në propagandë, pa pyetur më shumë kur bëhet fjale për marrjen e lajmeve nga mediat italiane, lehtësisht të depërtueshme në Kosovë.

Vitin e kaluar, Matteo Pugliese, një studiues italian i sigurisë dhe terrorizmit në Universitetin e Barcelonës, gjurmoi procesionin e zyrtarëve të qeverisë ruse, ideologëve dhe personaliteteve të medias të organizuara nga rrjetet televizive italiane që nga pushtimi rus. Ata përfshinin ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe zëdhënësen e tij, Maria Zakharova dhe Olga Belova, një gazetare në “Rusia 24” një gazetë që mohoi masakrën e qytetit Bucha të Ukrainës dhe nga ana tjetër Yulia Vityazeva një gazetare në ‘News Front’ me qendër në Krimenë e pushtuar nga Rusia operuar nga shërbimi federal rus i sigurisë, dhe e cila në një postim në Telegram, dëshironte që një bombë të godiste konkursin e këngës në Eurovizion në Torino pas fitores së Ukrainës.

Në vitin 2022, komiteti parlamentar i Italisë për sigurinë, Copasir, nisi një hetim mes shqetësimeve të përhapura për komentuesit rusë të lidhur me Kremlinin që shfaqeshin në kanalet italiane të lajmeve, pasi disa gazetarë ukrainas refuzuan të pranonin ftesa për shfaqje televizive italiane. “Që nga viti 2014 televizionet shtetërore dhe kanalet private, veçanërisht kanalet e Silvio Berlusconit, një mik i ngushtë i Putinit, u kanë thënë italianëve narrativen e rreme të një grusht shteti nazist në Ukrainë që çoi në një ‘luftë civile’”, tha Vladislav Maistrouk, një gazetar ukrainas i rritur në Itali. “Pas bombardimeve ruse në Mariupol, masakrave në Bucha, perceptimi i italianëve për luftën në Ukrainë nga Rusia u përmbys dhe propaganda ruse humbi shumë ‘miq’.

“Megjithatë, propaganda ruse vazhdon të kontaminojë median italiane përmes politikës editoriale ose oportunizmit, duke e kthyer luftën në një shfaqje ku aleancat e paimagjinueshme më parë, midis figurave të ekstremit të djathtë dhe të majtë, mbrojnë Rusinë dhe fajësojnë perëndimin për vdekjen e ukrainasve dhe për Rusofobinë”.

Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew të publikuar në korrik të vitit të kaluar, Italia është ndër vendet në BE ku njerëzit kanë besimin më të ulët te presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy. Sipas mendimit të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, italianët ishin më simpatikët ndaj Rusisë nga vendet anëtare të anketuara, me 27% që fajësuan Ukrainën dhe SHBA-në për luftën.

Gazetaria në epokën digjitale, inteligjenca artificiale dhe akti i shërbimeve digjitale (DSA)

Pse mediat e Kosovës, por edhe ato ballkanike nuk flasin por as nuk e përqafojnë Aktin e Shërbimeve Digjitale (Digital Services Act)?

Akti i Shërbimeve Digjitale krijon mbrojtje më të mirë të të drejtave themelore, më shumë kontroll dhe zgjedhje, mbrojtje më e fortë të fëmijëve në internet, më pak ekspozim ndaj përmbajtjeve të paligjshme. Ndërsa, për ofruesit e shërbimeve dixhitale, siguri juridike, një grup i vetëm rregullash në të gjithë BE-në më e lehtë për fillimin dhe zgjerimin në Evropë.

Ndërsa, për përdoruesit e biznesit të shërbimeve digjitale do të ketë qasje në tregjet në mbarë BE-në përmes platformave, kushte të barabarta kundër ofruesve të përmbajtjes së paligjshme.

Për shoqërinë në përgjithësi DSA-ja do të ketë kontroll dhe mbikëqyrje më të madhe demokratike mbi platformat sistematike, zbutjen e rreziqeve sistematike, të tilla si manipulimi ose dezinformimi.

Rregullat e DSA zbatohen për të gjitha platformat që prej 17 shkurt 2024, ndërsa që nga fundi i gushtit 2023, këto rregulla ishin zbatuar tashmë për platformat e përcaktuara me më shumë se 45 milionë përdorues në BE (10% e popullsisë së BE-së).

Ndikimi i medias në jetën publike dhe nevoja për gazetari të mirëfilltë

Përderisa media po e ‘dorëzon’ pavarësinë editoriale, morale dhe etike te rrjetet sociale të cilat më nuk janë të ‘menaxhueshme” nga redaksitë, por as nga vetë pronarët e mediave, Reuters institute for the Studies of Journalism at Oxford University, thotë se njerëzit po kthehen te lajmet e mediave tradicionale.

Nga ana tjetër Australia e ka detyruar Google-n që t’i paguaj mediat për lajmet që ata shpërndajnë, ndërsa në Kosovë e bëjnë të kundërtën, krijojnë përmbajtje ekskluzive për rrjete sociale që janë në pronësi të Marc Zucerberg, Elon Musk apo Neal Mohan të Youtube etj.

Pronarët e mediave nuk e kanë idenë çka është gazetaria dhe pse ajo duhet t’i shërbej interesave të përbashkëta, por redaktorët dhe gazetarët këtë e dinë shumë mirë.

Platformat online siç është rasti i Australisë paguajnë për përmbajtjet e kronikave gazetareske, ndërsa te ne paguhen platformat për të rritur shikueshmërinë në rrjete sociale apo në platforma të tjera online. Po gazetarët kush i paguan?

Gazetarët e Kosovës janë komuniteti më i varfër dhe më i urryeri, pa përmendur faktin se ata mbeten më të kërcënuarit në mirëqenie, siguri, kontrata pune apo edhe forma të tjera.

Pse është krijuar kjo urrejtje ndaj gazetarëve, por jo ndaj pronarëve të mediave apo menaxherëve?

Gazetaria ju përket gazetarëve po aq sa mjekësia ju përket mjekëve, kushdo që pretendon ndryshe manipulon faktet.

Shpërfaqja e gazetarisë në platforma online ka bërë që gazetarët duhet të vetëdijesohen për punën dhe të drejtat e tyre. Gazetarët, së paku në Kosovë, janë duke u keqpërdorur dhe duke u abuzuar sistematikisht si nga punëdhënësit, pronarët, politikanët, grupet e interesit, por edhe nga publiku.

Megjithatë asgjë nuk ka ndodhur rastësisht. Për t’u urryer gazetarët është bërë një luftë speciale për një periudhë të gjatë si nga politikanët ashtu edhe nga grupe para-politike dhe grupe të interesit si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Gazetarët punojnë për televizionin, radion, web-faqet dhe platformat sociale, por ata paguhen vetëm për njërën prej këtyre platformave, ndërsa pronarët i marrin të gjitha.

Në këto rrethana të reja mund të numërohen tri kategori të gazetarëve: të varfër, të pasur dhe inovativ. Të varfër me rroga të vogla ku puna e tyre shpesh ‘s’vlen as sa një makiato’, duke punuar shumë, të poshtëruar nga puna dhe nga hallet e jetës, të pasurit që në kurriz të profesionit fitojnë në çdo mënyrë, në kurriz të kolegëve, në kurriz të fjalës së lirë dhe shit-blerjes së lajmeve ata janë pasuruar. Ndërsa inovativët janë ata që rimodelojnë punën, përshtatën dhe sjellin risitë e botës, por që nuk mund të pranohen lehtësisht nga turmat e industrisë së lajmeve me trendët që po vijnë.

Gazetarët përballë dezinforimit dhe manipulimit online

Përballë një breshërie dezinformimi dhe manipulimi online, besimi në media dhe në gazetarë është në rënie, ndërsa lajmet industriale po rriten, gazetarët po përpiqen të gjejnë mënyra për të financuar gazetarinë, po përpiqen të sjellin inovacione në njërën dorë, dhe në dorën tjetër të mbajnë gjallë traditën.

Nëse pronarët e mediave në Kosovë nuk e marrin shembullin e Australisë siç bëri në vitin 2021, hapi terren të ri duke përdorur ligjin e konkurrencës për të shtyrë Google dhe Facebook të paguajnë botuesit e lajmeve për përdorimin e përmbajtjes së lajmeve të konsumuara në platformat e tyre, mediat tona do të bankrotojnë përgjithmonë në çdo aspekt. Jo vetëm duke ua lënë në dorë autorësinë e përmbajtjeve, por edhe pavarësinë dhe aspektin financiar. Nocioni se firmat e mëdha të teknologjisë duhet të paguajnë për përmbajtjen e lajmeve të konsumuara në platformat e tyre është përhapur, me Kanadanë që miratoi një ligj të ngjashëm në vitin 2023 dhe Afrika e Jugut së fundmi hapi një hetim nëse Google dhe Facebook kanë shkelur konkurrencën. Nga ana tjetër Indonezia, Japonia, Zelanda e Re dhe Zvicra po konsiderojnë gjithashtu futjen e ligjeve të ngjashme me ato të miratuara në Australi dhe Kanada. Në Brazil, përpjekjet për të futur legjislacion të ngjashëm u ndërprenë në maj 2023, por aktualisht janë duke u ringjallur.

Në SHBA, Akti i Konkurrencës dhe Ruajtjes së Gazetarisë, i cili do t’i lejonte botuesit e lajmeve të negocionin kolektivisht me kompanitë e mëdha të teknologjisë, u prezantua në mars 2023 nga Senatorja Demokratike e Minesotës, Amy Klobuëar. Më 1 qershor 2023 Asambleja e Shtetit të Kalifornisë miratoi Aktin e ruajtjes së gazetarisë në Kaliforni. Ky projektligj do të kërkonte që kompanitë e mëdha të teknologjisë të ndajnë të ardhurat e tyre nga reklamat me mediat. Megjithatë, projektligji është lënë në pritje deri në vitin 2024.

Akti evropian për lirinë e mediave mbron gazetarët dhe gazetarinë

Duke qenë se ligjet e Kosovës duhet të harmonizohen me ligjet e Bashkimit Evropian, në tetor 2023 gazetarët e Kosovës përmes një vizite studimore në programin “Marrëdhëniet e BE-së me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimorë” patën rastin të takojnë dhe të dëgjojnë dhe të diskutojnë nga afër me zyrtarët dhe institucionet më të larta të BE-së.

Në këtë program gazetarët e Kosovës u informuan për mënyrën së si dezinformimi, manipulimi dhe ndërhyrja e informacionit të huaj tashmë po prek mediet dhe raportimet gazetareske (EU relations with Kosovo and the Western Balkans, EU response to FIMI and disinformation).

Nga ky program gazetarët mësuan se institucionet e BE-së kanë krijuar aftësitë për të identifikuar analizën dhe vlerësimin e manipulimit dhe ndërhyrjes së informacionit të huaj (FIMI). Qëllimi është të lehtësohet një përgjigje më e synuar dhe më efektive ndaj FIMI për të mbrojtur proceset demokratike, sigurinë dhe qytetarët e BE-së.

Si pikë kryesore e kësaj vizite studimore ishte njohja paraprake me Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) – fokusimi në media dhe Dezinformata, në Ligjin për Lirinë e Medias, Tranzicionin dhe Agjendën e Gjelbër si dhe raportet BE – Kosovë: Raporti dhe komunikimi 2023.

Në fillim të muajit mars 2024 deputetet evropianë dhanë dritën e gjelbër për të mbrojtur gazetarët dhe mediat e BE -së nga ndërhyrjet politike dhe ekonomike. Ligjet novatore të BE-së për të mbrojtur pavarësinë e redaksive morën vulën përfundimtare të miratimit nga Parlamenti evropian që përshtatën Aktin e Lirisë së Medias. Sipas ligjit të ri, të miratuar me 464 vota në favor të 92 kundër dhe 65 abstenime, shtetet anëtare do të jenë të detyruara të mbrojnë pavarësinë e mediave dhe të gjitha format e ndërhyrjeve në vendimet editoriale do të ndalohen.

Autoritetet do të ndalohen të shtypin gazetarët dhe redaktorët që të zbulojnë burimet e tyre, duke i ndaluar ata t’ju vejnë sanksione, kërkime në zyra ose duke instaluar softuer mbikëqyrës ndërhyrës në pajisjet e tyre elektronike.

Parlamenti shtoi masa mbrojtëse të konsiderueshme për të lejuar përdorimin e spywere, i cili do të jetë i mundur vetëm në rast se do t’i nënshtrohet autorizimit nga një autoritet gjyqësor që heton krime të rënda, të dënueshme. Edhe në këto raste, subjektet do të kenë të drejtë të informohen pasi të ketë ndodhur mbikëqyrja dhe do të jenë në gjendje ta sfidojnë atë në gjykatë.

Media publike në Aktin e Lirisë së Medias

Akti i Lirisë së Medias parandalon që mediat publike të përdoren për qëllime politike, krerët e tyre dhe anëtarët e bordit duhet të zgjidhen përmes procedurave transparente dhe jo diskriminuese. Nuk do të jetë e mundur t’i hedhësh poshtë ato para sa të përfundojë kontrata e tyre, përveç nëse nuk i plotësojnë më kriteret profesionale. Media publike do të duhet të financohet duke përdorur procedura transparente dhe objektive, dhe financimi duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm.

Për t’i mundësuar publikut të dijë se kush kontrollon mediat dhe çfarë interesash mund të ndikojnë në raportim, të gjitha daljet e lajmeve dhe çështjeve aktuale, pavarësisht nga madhësia e tyre do të duhet të botojnë informacione për pronarët e tyre në një bazë të dhënash kombëtare, përfshirë nëse ato janë direkt ose indirekt në pronësi të shtetit.

Media gjithashtu do të duhet të raportojë për fondet e marra nga reklamimi shtetëror dhe për mbështetjen financiare të shtetit, përfshirë nga vendet jashtë BE-së.

Fondet publike për media ose platformat në internet do të duhet të ndahen përmes kritereve publike, proporcionale dhe jo diskriminuese. Informacioni mbi shpenzimet e reklamimit shtetëror do të jetë publik, përfshirë shumën totale vjetore dhe shumën për dalje.

Përmbajtja e mediave në rrjete sociale

Parlamenti Evropian u sigurua të përfshijë një mekanizëm për të parandaluar platforma shumë të mëdha në internet, të tilla si Facebook, X (dikur Twitter) ose Instagram, nga kufizimi në mënyrë arbitrare ose fshirja e përmbajtjes së pavarur të mediave. Platformat së pari do të duhet të dallojnë mediat e pavarura nga burime jo të pavarura. Media do të njoftohej kur platforma synon të fshijë ose kufizojë përmbajtjen e tyre dhe të ketë 24 orë për t’u përgjigjur. Vetëm pas përgjigjes (ose në mungesë të saj) platforma mund të fshijë ose të kufizojë përmbajtjen nëse ende nuk përputhet me kushtet e saj.

Media do të ketë mundësinë që ta sjellë çështjen në një organ të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve jashtë gjyqit dhe të kërkojë një mendim nga Bordi Evropian për Shërbimet e Mediave (një Bord i ri i Rregullatorëve Kombëtarë të BE-së që do të krijohet nga EMFA).

Gazetarët mbrojtësit e demokracisë, lirisë dhe interesave të shoqërisë

Në Kosovë gazetarët ‘pa fajin’ e tyre ia kanë dorëzuar punën, pavarësinë, autoritetin dhe profesionalizimin platformave online, në vend që t’i mbrojnë radiot dhe televizionet e tyre, atyre po u merret profesionin i tyre. Të ardhurat nga reklamat e Google dhe Metës janë rritur, ndërsa ato të mediave tradicionale, të cilave u kërkohet të financojnë lajmet cilësore dhe gazetarinë hulumtuese kanë rënë.

Ndërsa mediat fitojnë nga të gjitha anët, kjo nuk ndodhë me gazetarët. Gazetarët mbeten më të keq paguarit, ndërsa vlera e tyre dhe nevoja e tyre për demokracinë dhe lirinë e shprehjes dhe mbrojtjes së qytetarëve është jetike.

Kjo nuk është rastësi, pasi që një pjesë gjithnjë e më e madhe e individëve i marrin lajmet e tyre përmes mediave sociale dhe bashkë me këto kanë hyrë të ardhura të mëdha nga reklamat për kompanitë e teknologjisë. Google dhe Facebook citojnë këtë fakt për të argumentuar se gazetat duhet të jenë mirënjohëse për trafikun që platformat e mëdha të teknologjisë drejtojnë në përmbajtjen e botuesve të lajmeve.

Raportimi dhe forma e raportimit ka ndryshuar përgjithmonë, por roli i gazetarëve dhe i medias është vetë jeta dhe zhvillimi i shoqërisë. Puna-pavarësia e gazetarëve dhe medies duhet të mbrohet dhe respektohet nga të gjithë. Jeta jonë pa medie dhe pa gazetarë do të ishte një errësirë, prandaj shoqëria demokratike ka nevojë për medie të lirë dhe të pavarur.

Imagjinojeni sa e trishtueshme do të ishte jeta pa medie, pa gazetarë, pa lajme dhe pa informim.

‘Gazetarët paraqesin faktet, ndërsa qytetarët paraqesin ndjenjat’

Zgjidhjet e mundshme:

Rikthimi(rimodelimi) i redaksive tradicionale

Shumë medie në Evropë dhe përtej po raportojnë se lexuesit po kthehen te mediat tradicionale, gazetat, radiot dhe televizionet, që nënkupton edhe rikthimin e redaksive ajo çfarë i përket gazetarëve, ku diskutohen temat e përditshme dhe raportimet nga terreni. Rrjetet sociale ashtu siç janë sipërfaqësore, ashtu e kanë shndërruar edhe gazetarinë jo vetëm të duket pa përmbajtje, por më shumë që të krijoj sensacion. Rimodelimi i redaksive do t’i mbante nën përgjegjësi gazetarët si për nga mënyra e raportimit ashtu edhe për burimet e raportimeve gazetareske dhe rolin e tyre në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e shoqërisë. Rikthimi ose rimodelimi i redaksive qoftë edhe me redaksi të tipit konstruktiv si në rastin e Danimarkës do t’i sillte shoqërisë dhe vendit një tjetër perspektivë, duke ndarë me njëri-tjetrin përvojat dhe dijen.

Praktikat e mira evropiane

Mediat e Kosovës duhet t’i marrin seriozisht praktikat e mira evropiane dhe të krijojnë modele të mira të raportimit bazuar në etikë, në ligje me norma profesionale dhe shoqërore si dhe mbrojtjen dhe ruajtjen e lirisë dhe të drejtave të njeriut. Vetëm duke u përshtatur me aktet dhe normativat evropiane gazetarët e Kosovës mund të punojnë të sigurt. Gazetarëve do t’u mbrohet së pari e drejta e tyre profesionale e më pas ajo financiare si dhe integriteti personal dhe profesional.

Gazetarët e Kosovë sidomos gjeneratat e reja duhet që të bashkëpunojnë me redaksitë e mediave evropiane për të marrë jo vetëm përvoja, por edhe njohuri dhe mënyrën e punës në epokën digjitale sidomos në zhvillimin më të hovshëm dhe të pakthyeshëm që është duke e bërë Inteligjenca Artificiale.

Adaptimi i Aktit të Lirisë së Medies

Gazetaria e shkruar është baza dhe thelbi pse gazetaria ekziston, prandaj edhe nevojitet me urgjencë që mediat e Kosovës të përqafojnë Aktin Evropian të Lirisë së Medias, gjithashtu edhe si kusht për t’u bërë pjesë e BE-së. Duke respektuar të drejtat themelore të gazetarëve dhe mbrojtjen e tyre, shoqëria do të arrijë t’i përqafojë vlerat evropiane më shpejt dhe në mënyrë të drejtë edhe si kusht për integrim në BE.
Mbrojtja dhe siguria e gazetarëve është mbrojtja e demokracisë dhe zhvillimit të shtetit në të gjitha aspektet. Në fakt është detyrë e gazetarëve të mbrojnë lirinë e tyre dhe lirinë e të tjerëve.

Transparenca financiare dhe mbrojtja e gazetarëve

Për t’u mbrojtur gazetarët nga ndërhyrjet e jashtme dhe sulmet ndaj tyre fillimisht mediat ku ata punojnë duhet të krijojnë kushte të punës, ambient miqësorë dhe garanci për punën e tyre. Pronarët dhe eprorët duhet të krijojnë kushte që vetë brenda medies gazetarët të trajtohen me dinjitet dhe të mos u shkelet integriteti i tyre personal dhe profesional. Mediat gjithashtu duhet të jenë transparente në pronësi dhe kush i financon ato, kjo për të lejuar gazetarët të orientohen në karrierën e tyre, por edhe të dinë nga vijnë pagat e tyre dhe nga kush janë të punësuar. Mbrojta financiare e tyre do të thotë edhe besim para publikut dhe raportimit të tyre. Edhe në gazetari vlen fjala “Ti vlen aq sa paguhesh”, gazetarët në Kosovë janë ndër kategoritë shoqërore më të nënvlerësuarit dhe më pak të paguarit. Transparenca financiare do të rriste vlerën e tyre dhe do të rritej vlera e gazetarisë.

Gazetarët dhe mediat si dy entitete të ndara

Për të mos ndërhyrë në punën e njëra tjetrës gazetaria dhe media lirisht mund të funksionojnë në dy entitete të pavarura brenda një platforme, por gjithnjë duke u zhvilluar krahas njëra tjetrës dhe duke e ndihmuar njëra-tjetrën. Media në vete përfshinë argëtim dhe marketing, ndërsa thelbi i gazetarisë është informimi. Marketingu është koncept propagandues për të shitur çfarëdo lloj produkti, ndërsa gazetaria ekzistencën e vet e bazon në informim, zbulimin e të vërtetës dhe propagandës.

Derisa të gjithë sektorët janë në shërbim të vetë platformës, gazetaria si entitet dhe gazetarët si komunitet në vete nuk mund të bëjnë të njëjtën detyrë si një agjent marketingu, një punonjës administrate apo një menaxher i rrjeteve sociale. Misioni i gazetarëve është që të paraqesin të vërteten te publiku dhe ta mbrojnë interesin e publikut, ndërsa në rastin e agjentëve të shitjes detyra e tyre është vetëm shitja e produktit. Duke e ruajtur si entitet të posaçëm gazetarinë, ajo mund t’i mbajë gjallë të gjithë sektorët vital të medies për aq kohë sa ekziston mediumi. Nuk mund të ketë medium pa gazetarë dhe gazetari, por mund të ketë kudo agjenci marketingu, zyre ligjore, shërbime administrative, por ato nuk janë mediume. Prandaj pronarët dhe menaxherët e mediave duhet me patjetër të mbajnë në mënyrë të pavarur ekipet gazetareske.

Pagesat e gazetarëve sipas shpërndarjes së punës së tyre

Roli i gazetarëve është i pazëvendësueshëm, në të njëjtën lartësi duhet të jetë edhe pagesa e tyre. Gazetar të pavarur, të përkushtuar dhe të trajtuar mirë janë vetëm atëherë kur trajtohen për rolin, vlerën dhe misionin që kanë. Gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet kështu vlera e punës matet me vlerën e pagës. Gazetarët janë komuniteti më i shpërfillur dhe më pak i paguari përkundër rolit që e kanë në shoqëri. Gazetarët aktualisht nuk paguhen më as si ‘mall’, puna e tyre është zhvlerësuar deri në atë pikë sa secili beson se mund ta bëjë punën e gazetarit. Për ta ndalur degradimin e gazetarisë dhe të vetë medies, duhet të mbahen në lartësinë e tyre gazetarët dhe redaksitë.

Vetë mediat tradicionale punën e gazetarëve janë duke e zhvlerësuar, duke i paguar me rroga të vogla, ndërsa puna e tyre shpërndahet në të gjitha platformat online. Përfitimet i marrin pronarët dhe platformat online në kurriz të punës së gazetarëve. Mediat në Kosovë paguajnë platformat online për reklama, por nuk paguajnë gazetarët. Bota perëndimore i ka detyruar platformat online të paguajnë për përmbajtjen e lajmeve, ndërsa Kosova po e bënë të kundërtën duke paguar para ekstra për reklama dhe promocione në rrjete sociale. Kjo ka për t’ju hakmarrë mediave dhe vetë gazetarisë. Pa gazetarë jeta e qytetarëve do të ishte e errët dhe e frikshme.

Rritja dhe shkollimi i gazetarëve

Redaksitë serioze e kanë për obligim të shkollojnë gazetarët dhe t’i orientojnë në gazetari të profilizuara, sipas trendeve, zhvillimeve dhe inovacionit në vend, rajon dhe në botë. Gazetarëve fillestarë duhet t’ju mundësohet të krijojnë praktikat e para me redaksi serioze dhe me integritet të lartë, në të kundërtën nuk do të zhvillohen dhe as të përgatiten mirë. Përgatitja e gazetarëve me trendët teknologjike dhe inovative për t’u përshtatur në tregun botërorë medial është e domosdoshme. Të gjithë të punësuarit në medie, por në mënyrë specifike gazetarët e të gjitha redaksive në mënyrë të vazhdueshme duhet të përgatiten dhe të përshtatën për trendet e reja digjtiale, inovative dhe profesionale.

Gazetaria e terrenit dhe Inteligjenca Artificiale

Përderisa kanë filluar redaksi të shumta të prodhojnë përmbajtje përmes Inteligjencës Artificiale, ajo çfarë do ta shpëtoj gazetarinë të paktën derisa roboti nuk e zëvendëson njeriun, të orientojnë pjesën dërrmuese të punës në terren. Nga atje ka lindur gazetaria dhe e vetmja do ta mbaj gjallë. Rrjetet sociale janë vetëm shpërndarëse të përmbajtjeve, ndërsa gazetarët pyesin deri në paraqitjen e tërë pikëpamjeve të një çështje të caktuar, prandaj rolin e gazetarit nuk mund ta zëvendësojë roboti për aq kohë sa do të jetë krahas qytetarëve dhe jetës së tyre.

Gazetaria Konstruktive

Në medie mund të punojë secili, por secili nuk mund të bëhet gazetar. Nëse vazhdon të degradohet gazetaria askush më s’do të dojë të bëhet gazetar.

Mungesa e ndërgjegjësimit për rolin që e ka gazetaria dhe gazetari në furinë e platformave shoqërore po bënë që të lexojmë shumë lajme negative dhe të njëanshme, duke rrëshqitur në propagandë, në manipulim dhe në lajme të rrejshme. Gazetari konstruktive është kur nuk raporton me kualifikime, ofendime, emra e përemra pa u verifikuar deri në fund nëse dikush është hajdut, vrasës, i sëmurë apo një kualifikim tjetër. Duke eliminuar raportimin e një anshëm dhe manipulativ, do të zvogëlohet edhe gjuha e urrejtjes, do të zvogëlohen mesazhet dhe komentet negative në rrjete sociale. Gazetaria është e nevojshme për të mbajtur gjallë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për informim.

Gazetaria e Gjelbër

Bota është duke u transformuar në mënyrë intensive kjo për shkak të ndryshimeve klimatike dhe problemeve që vetë njeriu ia ka krijuar mjedisit ku jeton. Për të ecur drejtë BE-së Kosovës i duhen medie dhe mendje inovative, duke e parë vendin si pjesë të Bashkimit Evropian duke krijuar redaksi për gazetari të gjelbër dhe të profilizojnë gazetarë që dinë të raportojnë për Agjendën e Gjelbër dhe ekonominë e qëndrueshme. Mediat e kanë fuqinë për të ndikuar në popullatë dhe më pas qeveritë nxiten nga kërkesat dhe interesit e qytetarëve. Gazetaria inovative sjellë ide, e Gazetaria e Gjelbër është e tillë. Gazetaria e Gjelbër është Diplomaci e Gjelbër dhe komunikimi më masiv me publikun, është forma më e mirë për gazetari konstruktive që bazohet në punë të përbashkët dhe në zgjidhje.

Referencat:

https://www.theguardian.com/world/2024/jan/09/italy-urged-cancel-pro-russian-events-accused-spreading-propaganda https://www.britannica.com/topic/propaganda/The-components-of-propaganda https://commission.europa.eu/strategy-and-policy/priorities-2019-2024/europe-fit-digital-age/digital-services-act_en https://www.europarl.europa.eu/doceo/document/E-9-2021-003722_EN.html                  https://www.koha.net/en/arboretum/409983/the-British-report-talks-about-the-building-of-Russian-capacities-for-the-destabilization-of-Europe%2C-Kosovo-is-mentioned/ https://www.genroe.com/blog/social-media-statistics-australia/13492 https://www.bbc.com/future/article/20200512-hoë-the-neës-çanges-the-way-we-think-and-behave https://gap.hks.harvard.edu/hoë-does-media-influence-social-norms-field-experiment-role-common-knowledge https://www.pewresearch.org/global/2022/12/06/vieës-of-social-media-and-its-impacts-on-society-in-advanced-economies-2022/ https://www.rferl.org/a/germany-arrest-russia-espionage/32240549.html https://www.nytimes.com/2022/12/07/world/europe/germany-coup-arrests.html https://www.bbc.com/news/world-europe-45229235 https://www.isdglobal.org/digital_dispatches/a-false-picture-for-many-audiences-how-russian-language-pro-kremlin-telegram-çannels-spread-propaganda-and-disinformation-about-refugees-from-ukraine/#:~:text=Analysts%20also%20found%20that%20these,the%20Russian%20Ministry%20of%20Defense. https://www.dw.com/en/german-president-frank-walter-steinmeier-under-fire-for-russia-ties/a-61344699 https://constructiveinstitute.org/who/the-team/

Behare Bajraktari – gazetare, publiciste dhe themeluese e gazetarisë së gjelbër

Me përvojë 25 vjeçare në gazetarinë e radiofonikë, të shkruar dhe në gazetarinë televizive. E shkolluar brenda dhe jashtë vendit në shumë programe të ndryshme gazetareske, mediale dhe të Marrëdhënies me Publikun. E kandiduar nga BE-ja “European of the Year” si pioniere dhe themeluese e Gazetarisë së Gjelbër në Kosovë. E specializuar si të raportohet për ndryshimet klimatike nga Universiteti Uninettuno bashkë nënshkruar nga COPEAM dhe European Invesment Bank. E trajnuar në programe gazetareske për tranzicionin energjetik, mjedisin, Agjendën e Gjelbër, Gazetarinë Konstruktive, ndër të tjera.

Prej vitit 2005 është pjesë e mediumit publik RTK e cila në Radio Kosovë ka realizuar mbi 5 mijë emisione, me qindra reportazhe, intervista dhe transmetime të drejtpërdrejta.

Gazetarja e vetme ku prej 14 vitesh në emisionin “ON AIR” kishte integruar çështjet mjedisore dhe Agjendën e Gjelbër duke e bërë pjesë të përditshme të audiencës brenda dhe jashtë Kosovës. Së fundmi ka filluar emisionin RTK GREEN në Radio Televizionin Publik të Kosovës, dedikuar mjedisit dhe Agjendës së Gjelbër.

Vazhdon të shkruajë për tema të ndryshme sociale, të jetë prezente në jetën publike dhe mediale në Kosovë dhe më gjerë, si dhe të shkruaj dhe raportoj për ndryshimet klimatike dhe çështjet e mjedisit.

Magjia e radios! Behare Bajraktari, themeluesja e Gazetarisë së Gjelbër në Kosovë
Lexo po ashtu Magjia e radios! Behare Bajraktari, themeluesja e Gazetarisë së Gjelbër në Kosovë

BEHARJA, PËRTEJ ËNDRRAVE TË RADIOS
Lexo po ashtu BEHARJA, PËRTEJ ËNDRRAVE TË RADIOS

/Telegrafi/