Deputetja e LVV-së, Tinka Kurti ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës do ta ketë dhomën e gjidhënies, duke u bërë kështu institucioni i parë në Kosovë që ka këtë dhomë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Tinka Kurti, ka njoftuar se Kuvendi i Kosovës do të ketë dhomën e veçantë për gjidhënie.
Si kryetare e Grupit të Grave Deputete (GGD), Kurti ka thënë se është e lumtur që kjo kërkesë e saj për formimin e kësaj dhome tashmë është realizuar, kështu duke u bërë Kuvendi si institucioni i parë me këtë dhomë.
“Jam fort e lumtur që Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari e kanë aprovuar dhe kjo tashmë është duke u realizuar. Deputetet dhe të punësuarat e Kuvendit të cilat kanë nevojë t’i ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gjiri do ta kenë së shpejti këtë hapësirë të veçantë e cila po bëhet sipas rekomandive të OBSH-së”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka theksuar se tjetër rekomandim i kësaj organizate është edhe hartimi i politikave përkrahëse dhe zbatimi i tyre nga politikanet e politikanët.
Ajo ka thënë se një kërkesë e tillë do t’u dërgohet edhe institucioneve të tjera publike dhe private.
“Kjo është e rëndësishme për të drejtat e grave në punë. Është e rëndësishme për mirëqenien e grave gjidhënëse e të punësuara dhe nganjëherë jetike për fëmijën.
Gjidhënia është mirëqenie. Gjidhënia është politike”, ka përfunduar ajo.