Site icon Telegrafi

Kurti viziton investimet në efiçiencë të energjisë në dy reparte të Spitalit të Prizrenit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me bashkëpunëtorë dhe me drejtuesit e Spitalit të përgjithshëm të Prizrenit kanë vizituar ndërtesat e reparteve të Fizioterapisë dhe të Patologjisë, të cilat janë rinovuar në kuadër të projektit të MZHE-së për efiçiencë të energjisë.

Investimet në efiçiencë të energjisë, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, përfshijnë rinovimin e ngrohjes qendrore, dhe termoizolimet e mureve, dyerve, dritareve dhe kulmeve, si dhe ndriçimin e objekteve, me qëllim sigurimin e mjedisit më të përshtatshëm të punës dhe kursimin e energjisë elektrike.

“Vetëm në Komunën e Prizrenit investimet e këtij lloji arrijnë vlerën e mbi 1.3 milionë euro në shtatë objekte publike, që përfshijnë shkolla, fakultete, objekteve spitalore dhe të administratës. Kurse në Rajonin e Prizrenit në përgjithësi, vlera totale kap shumën prej afër 2 milionë euro të investimeve dhe përfshijnë gjithsej 20 ndërtesa publike”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast kryeministri Kurti ka falënderuar drejtuesit, punonjësit shëndetësorë dhe stafin e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit për punën dhe bashkëpunimin e mirë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version