Poezi nga: Vjollca Bajraj
Kujdes kur flet
me një grua që ka jetuar
me një poet
ke kujdes se ajo i njeh thellësitë
e oqeaneve e deteve më mirë
se çdo kush
ajo e njeh tërbimin e lumenjve të shpirtit
kur rebelohen e marrin çdo gjë me vete
e njeh rënkimin e Qiellit para se të bie shiu
e, pastaj ylberin me ngjyrat më magjike
E njeh urrejtjen për botën në mënyrën
më të egër
ajo është ulur, ballë për ballë me vdekjen
ka kuvenduar gjatë
ka fjetur me të
ajo e njeh dashurinë në mënyrën
me hyjnore që ekziston
e njeh lindjen e Diellit
në formën më brilante
e njeh muzikën e shiut
cicërimën e zogjve
në një mënyrë ndryshe nga të tjerët
ajo di të lexojë trishtimin e syve
edhe kur mungojnë lotët
të ndjejë dhimbjen edhe
kur nuk dëgjon rënkimin
ajo e njeh botën në një mijë dimensione
sepse ajo ka jetuar me nji poet
me atë që jetën e zakonshme
ta shndërron në të jashtëzakonshme.