Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka publikuar këtë veprim në një video në profilin e tij në Facebook, duke theksuar se ky akt është një shenjë e respektit dhe solidaritetit ndaj atyre që po përballen me humbjen e të dashurve të tyre.

“Në këtë ditë përkujtimi, jemi pranë tyre, me respekt të thellë për qëndresën, forcën dhe përkushtimin e tyre të palëkundur për zbardhjen e së vërtetës,” ka shkruar Rama.


27 prilli shënon Ditën Kombëtare për Personat e Pagjetur në Kosovë, një ditë që i kushtohet kujtimit të 1,577 personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit.

Në përfundim të procesit të fundit të identifikimeve, janë regjistruar 11 raste të reja, ndërkohë që sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 1,407 persona janë zhdukur si pasojë e luftës, ndërsa 6,682 të tjerë janë plagosur. Po ashtu, 3,312 persona janë burgosur dhe 193,765 individë kanë pësuar tortura dhe dhunë, duke përfshirë pasoja psikologjike të rëndë.

Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ende mungojnë informacionet për 1,636 persona të zhdukur.

Në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zbatimin e plotë të Deklaratës për Personat e Pagjetur, një marrëveshje që kishte për qëllim angazhimin e dy shteteve për të ofruar qasje të plotë në informacionet që mund të ndihmojnë në zbulimin e fatit të të pagjeturve.

Deklarata, e miratuar në maj të vitit 2023, përmban angazhime për shkëmbim informacioni, përfshirë dokumente të klasifikuara, dhe krijimin e një komisioni të përbashkët që do të drejtohet nga Bashkimi Europian.

Përkujtojmë se kjo ditë është një mundësi për të nderuar të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre gjatë periudhës së luftës dhe për të shprehur mbështetje ndaj kërkesave për drejtësi dhe zbulimin e së vërtetës.