Kryeministri i Koresë së Jugut viziton ishullin kufitar

Kryeministri Chung Hong Won u bëri thirrje banorëve të ishullit që të ruajnë qetësinë, ndërsa ushtrisë që të jetë në “gatishmëri të lartë” përballë provokimeve të Penianit.
Katër koreano-jugorë humbën jetën në ishullin në fjalë, Jeonpjeong, kur Veriu qëlloi me raketa ndaj tij në vitin 2010. Peniani zyrtar ka deklaruar kohët e fundit se do të shkelë armëpushimin korean dhe do t’i japë fund paktit paqësor me Seulin.
Gjithashtu, qeveria ka ndërprerë linjat që lidhin dy vendet në përgjigje ndaj sanksioneve të reja të vendosura pas kryerjes së testit të tretë bërthamor dhe ndaj stërvitjes ushtarake SHBA-Kore e Jugut.
Gjatë vizitës së tij Chung deklaroi se ushtria e Koresë së Jugut duhet të jetë në gatishmëri të lartë për t’iu përgjigjur çdo lloj provokimi nga Veriu, raporton agjencia “Yonhap”, transmeton TCH.
Dy Koretë mbeten teknikisht në luftë sepse konflikti i viteve 1950-53 përfundoi me një armëpushim dhe jo një traktat. Jugu ka deklaruar se Veriu nuk mund ta shfuqizojë në mënyrë të njëanshme armëpushimin dhe i ka bërë thirrje Penianit që të ulë tonet e tij retorike. /Telegrafi/





















































