Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus, njëherësh njohës i punës së Kuvendit të Kosovës, ka shprehur shqetësime lidhur me mënyrën se si është udhëhequr seanca konstituive e Kuvendit nga Avni Dehari, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një postim në Facebook, Krasniqi e ka cilësuar ndërprerjen e seancës si veprim arbitrar dhe në kundërshtim me obligimet kushtetuese të kryesuesit.


“Kryesuesi i seancës konstituive veproi në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me obligimet kushtetuese duke e ndërprerë seancën pa lejuar zhvillimin e votimit”, shkroi ai.

Krasniqi gjithashtu theksoi se votimi i deputetëve nuk mund të paragjykohet mbi bazën e deklarimeve në media, duke kritikuar qëndrimet që duket se janë përdorur për të justifikuar ndërprerjen e procesit.

Sipas tij, ndërprerja e seancës përbën një përpjekje të qëllimtë për të bllokuar konstituimin e Kuvendit, duke vënë në pah shqetësimet për ndikimin e mundshëm të partive politike në këtë proces./Telegrafi/