Site icon Telegrafi

​KosovaPress: Kjo është e dyshuara e arrestuar për spiunazh, që e zbuloi AKI

Sot, në regjionin e Mitrovicës është arrestuar një grua, për shkak të dyshimit të bazuar, se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Spiunazhi”. 

Merret vesh se gruaja e arrestuar është me inicialet J.Dj (J.Gj.) dhe vjen nga radhët e komunitetit serb.

Agjencia e lajmeve KosovaPress ka siguruar edhe një fotografi të së arrestuarës.

Bëhet e ditur se e dyshuara për spiunazh është punonjëse e OSBE-së, dhe se dyshohet se i ka shërbyer shërbimeve të inteligjencës serbe (BIA).

“Zyrtarë të OSBE-së po bëjnë presion që e dyshuara për spiunim të lirohet menjëherë”, ka thënë i njëjti burim për KP.

Detaje për këtë rast ka dhënë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Ai ka deklaruar se e arrestuara dyshohet për një aktivitet kriminal.

“Pak më parë kemi marr një informacion se një person i gjinisë femërore është arrestuar në pikën kufitare, për shkak që ka qenë e dyshimtë, për një aktivitet kriminal, edhe e njëjta do të përcillet për procedurë të mëtutjeshme nga Prokuroria Speciale”, ka thënë ai.

Lexo po ashtu Mitrovicë, arrestohet një grua e dyshuar për spiunazh

Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka njoftuar se “pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës është arrestuar një person, për shkak të dyshimit të bazuar, se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale ‘Spiunazhi’, nga neni 124 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.”

Sipas njoftimit të Prokurorisë, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale, serbja e arrestuar është ndaluar për 48-orë.

Po ashtu, është bërë e ditur se njësitet relevante të Policisë së Kosovës kanë kryer bastisje në banesën e të dyshuarës, me qëllim të sigurimit edhe të provave tjera materiale. /KP/

Exit mobile version