Komuna e Deçanit ka njoftuar se do të mbahet afati i dytë i testit Shtetëror për maturantët më 31 gusht, në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.
Drejtoria e Arsimit në Deçan, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se janë marrë të gjitha masat për organizimin e këtij testi.
Sipas njoftimit, nxënësit duhet të arrijnë në oborrin e shkollës nga ora 8:30 deri në 9:00. Hyrja në qendrën e testimit dhe sistemimi nëpër klasa do të bëhet nga ora 9:00 deri në 9:30, ndërsa udhëzimet për testin do të jepen nga administratorët nga ora 9:30 deri në 10:00.
Testimi do të fillojë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.
Drejtoria thekson rëndësinë e respektimit të rregullave të testimit, duke përfshirë sjelljen e një lapsi grafik HB, dokumentin zyrtar të identifikimit dhe fletëparaqitjen elektronike të provimit të maturës. Çdo nxënës që nuk respekton rregullat rrezikon përjashtimin dhe anulimin e rezultateve të testit.
“Mosrespektimi i cilësdo nga rregullat e lartpërmendura nga nxënësit gjatë kohës së testimit rezulton me përjashtim të nxënësve nga testimi dhe anulim të tërësishëm të rezultateve të tyre”, kanë shkruar ndër të tjera ata, transmeton Telegrafi.
DKA në Deçan siguron se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit të testimit.