Nga: Francis Agustin / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Paramendoni të zgjoheni në një mëngjes që duket krejt i zakonshëm në planetin Tokë, vetëm për të zbuluar se planeti është gati të shkatërrohet. Pikërisht aty nis tregimi i shkrimtarit britanik Douglas Adams në Udhërrëfyesi i autostopistit për galaktikën [The Hitchhiker’s Guide to the Galaxy]. Gjatë dekadave që pasuan, historia mori jetë më vete, duke u shndërruar në një franqizë që sot përfshin një seri librash bestseller, një serial televiziv, një film artistik, shfaqje teatrale, stripa dhe madje edhe një videolojë. Ai gjithashtu ka nxitur një debat të pafund filozofik për universin dhe ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në kulturën pop. Dhe, e gjitha nisi si një komedi e vogël në radion e BBC-së.
Lexo po ashtu: Douglas Adams dhe parashikimi i tij për të ardhmen
Udhërrëfyesi i autostopistit për galaktikën zhvillohet rreth aventurave të çuditshme të Artur Dentit, një burrë i zakonshëm nga një fshat i qetë anglez, që mëson se disa burokratë jashtëtokësorë kanë vendosur të shuajnë Tokën për të bërë vend për një autostrade ndëryjore. Denti arratiset me një anije kozmike, bashkë me mikun e tij, Ford Prefekt – një jashtëtokësor i maskuar si njeri. Së bashku me një president hapësinor me dy koka, një tjetër të mbijetuar nga Toka dhe një robot të dëshpëruar, ata enden nëpër galaktikë duke mbledhur të dhëna për një enciklopedi ndëryjore, të quajtur pikërisht Udhërrëfyesi i autostopistit.
Megjithëse tregimi përfshin hollësi shkencore dhe shtresa të ndërlikuara ideologjike, ideja për këtë i erdhi Adamsit në vitin 1971, kur, siç tregoi ai vetë në emisionin e Terry Woganit në BBC në vitin 1986, po rrinte “i dehur, i shtrirë në një fushë në Insbruk”. Nën yjet që rrotulloheshin dhe me një kopje në dorë të Udhërrëfyesit të autostopistit për Evropën, Adamsi mendoi se dikush duhet të krijonte një udhërrëfyes të ngjashëm për të gjithë Rrugën e Qumështit.
Deri në vitin 1977, Adamsi kishte shkruar për disa emisione radiofonike dhe iu dha mundësia të propozonte një ide të vetën për BBC-në. Ideja e tij fillestare ishte një antologji prej gjashtë episodësh me titull Fundet e Tokës [The Ends of the Earth], ku në secilin episod Toka do të përfundonte në një tjetër mënyrë. Adamsi më vonë u rikthye te ideja e Udhërrëfyesit si boshti i tregimit. “Nuk e kam menduar kurrë veten si shkrimtar të zhanrit të fantashkencës”, i tha Woganit. “E shihja veten si shkrimtar humori, dhe u bëra shkrimtar i fantashkencës vetëm sepse i ekzagjeroja gjërat”.
Ky ishte programi i parë radiofonik i komedisë që u realizua në stereo, në vend që të xhirohej para një audience të gjallë. Projekti u kategorizua përkohësisht si dramë radiofonike, pasi BBC-ja lejonte që vetëm dramat të regjistroheshin në stereo. “Adamsi e njihte muzikën, e dinte çfarë zëri donte, e dinte si do të tingëllonte fundi i botës”, tregoi producenti Simon Brett për BBC Bookclub në vitin 2000. Adamsi dhe Brett zgjodhën aktorët Simon Jones dhe Geoffrey McGivern për rolet e Artur Dentit dhe Ford Prefektit, ndërsa Peter Jones ishte narratori i pjesës së quajtur “Libri”.
Programi u transmetua për herë të parë pa shumë bujë, vonë në mbrëmje të një të mërkure të muajit mars 1978, dhe pati reagime të përziera. Një dëgjues ankohej te Radio Times-i, duke e quajtur episodin “të pakuptimtë, të marrë, fëminor, pa sens, një budallallëk i pastër”. Por, gjithashtu u vlerësua për konceptin interesant dhe për muzikën e tij novatore me efekte të pasura.
Kompania BBC e refuzoi mundësinë për të botuar një roman të bazuar në serialin radiofonik, por Nick Webb, redaktor në shtëpinë botuese Pan Books, i kërkoi Adamsit ta përshtaste tregimin në formë libri. “Mendova se [Udhërrëfyesi] ishte i zgjuar, plot me shaka filozofike – dhe unë kam dobësi për shakatë filozofike – por, kishte edhe aftësinë që të merrte diçka dhe ta çonte, në mënyrë krejtësisht logjike, deri në çmenduri”, ka thënë Webb për BBC Bookclub. “Dhe, pastaj, do kruaje kokën dhe të pasmet duke menduar: ‘Çfarë dredhie intelektuale më është bërë këtu’? Sepse, hap pas hapi gjithçka ka kuptim, por përfundon në një absurditet surealist”.
Në fund, Adamsi ka shkruar pesë libra të Udhërrëfyesit, përveç dy serialeve radiofonike dhe një seriali televiziv. Franqiza fitoi ndjekës të përkushtuar – edhe pse adhuruesit jo gjithmonë ishin të hapur për ta pranuar, pasi në vitet ’80 të shekullit XX zhanri konsiderohej si specifik. “Njerëzit nuk e pranojnë këtë lehtë”, tha Adams. “Sa herë bëj sesione autografesh … vijnë burra dhe thonë: ‘A mund të ma nënshkruani, ju lutem? Është për djalin tim të vogël’. Dhe, pastaj vijnë djem të vegjël dhe thonë: ‘A mund të ma nënshkruani, ju lutem? Është për babin tim’”.
Megjithatë, Udhërrëfyesi i autostopistit për galaktikën ka tashmë ndjekës të përkushtuar në mbarë botën dhe është përkthyer në më shumë se 30 gjuhë. Adhuruesit e përkushtuar e festojnë çdo vit Ditën e Peshqirit [Towel Day] më 25 maj, si një homazh për Adamsin, i cili shkroi: “Peshqiri është gjëja më e dobishme që një autostopist ndërplanetar mund të ketë”. Në vitin 1999, Adamsi themeloi një forum komuniteti të quajtur h2g2, ose Udhërrëfyesi i autostopistit për galaktikën: Edicioni tokësor, ku njerëzit mund të kontribuonin me shkrime për një enciklopedi, në kohë reale, me rrëfenja për jetën në Tokë.
Disa adhuruesit tërhiqen pikërisht nga reflektimet filozofike dhe lidhjet me teknologjitë e së ardhmes. Laboratori i kërkimeve për inteligjencën artificiale i Google-it, DeepMind, u emërtua në nderim të Deep Thought-it, superkompjuterit nga libri që llogarit përgjigjen për Pyetjen përfundimtare mbi jetën, universin dhe gjithçka. Një nga shakatë më të famshme të serisë është se përgjigjja është: numri 42 – një përgjigje që, në fakt, s’ndihmon aspak.
Themeluesi i Tesla-s, Elon Musk, nuk është treguar aspak i turpshëm për adhurimin që ka ndaj Adamsit, duke e quajtur shkrimtarin “filozofi më i mirë ndonjëherë” dhe duke thënë se tregimi është “aq i thellë, sa njerëzit nuk e kuptojnë fare”. Libri, siç i tregoi ai gazetares Alison van Diggelen në vitin 2013, e ndihmoi Muskun gjatë një krize ekzistenciale në adoleshencë. “Ai tregim theksonte një pikë shumë të rëndësishme: shpeshherë pyetja është më e vështirë se përgjigjja”, ka thënë ai. Historia ushqeu ambiciet e tij të mëdha për të ardhmen multiplanetare të njerëzimit dhe në vitin 2018 Musku lëshoi në hapësirë një makinë Tesla me një kopje të romanit në kasetën e dorezave dhe me një tabelë në pult që shfaqte një nga frazat kyçe të librit: “Mos bëni panik”! Megjithatë, kritikët kanë argumentuar se Musku e ka keqkuptuar thelbin e veprës së Adamsit. Historiania e Harvardit, Jill Lepore, shkroi në The New Yorker se Udhërrëfyesi është një “sulm i mprehtë satirik ndaj imperializmit”.
Në vitin 2001, Douglas Adams ndërroi jetë në moshën 49-vjeçare, nga një sulm në zemër. Në atë kohë, ai ishte duke punuar në skenarin për filmin e parë artistik të gjatë bazuar në tregimin e tij, i cili do të realizohej pas vdekjes së tij, në vitin 2005. Pas vdekjes së Adamsit, BBC-ja porositi edhe katër seri të tjera të radioserialit Udhërrëfyesi. Në vitin 2009, shkrimtari Eoin Colfer, me mbështetjen e trashëgimisë së Adamsit, shkroi librin e gjashtë të serisë, Dhe një tjetër gjë …
Fryma e komedisë kozmike të Adamsit vazhdon të jetojë në forma të tjera të kulturës popullore. Motive të tilla si numri 42 dhe fraza “Mos bëni panik” shfaqen në vepra të ndryshme fantastiko-shkencore (përfshirë Doctor Who, Star Trek, Lost dhe The X-Files). Fryma e tij jeton edhe në teknologji, pasi shpikjet imagjinare të Adamsit vazhdojnë të marrin jetë në botën reale. “Nuk shqetësohem shumë nëse diçka që shpik do të ndodhë realisht apo jo”. pati thënë ai. “Unë po tallem me njerëzit të cilët pastaj do ta përdorin atë”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëManastiri i Deçanit, ku ruhet shandani i dhuruar nga Skënderbeu

“National Geographic”, më 1980: Shqipëria, e vetme përballë botës
Citatet më të “zgjuara” të Alan Fordit: Mos i beso gruas që gënjen!

Pesëdhjetë vjet nga filmi më qesharak në botë!
Luftërat politike dhe ideologjike, me eshtrat e vëllezërve Frashëri

QIELLI BLU

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

A po përgatitet SHBA-ja për sulm ndaj Iranit - imazhet satelitore tregojnë grumbullimin e bombarduesve të padukshëm B-2

Barcelona ishte e vetëdijshme për thyerjen e rregullave ndaj Osasunas – pse nuk morën masa?

Çka e shkaktoi tërmetin e Myanmarit - dhe pse bëri që një kullë të shembet në Bangkok?

Rama prezanton modelin e pasaportës shqiptare evropiane

Zëvendëskryeprokurori apo Prokuroria Speciale dhe Këshilli Prokurorial, kush po e thotë të vërtetën?

Shefi i klubit të njohur anglez e pranon haptas se po synojnë transferimin e Arda Guler