Kica-Xhelili e thotë për herë të parë se pse opozita nuk po e krijon Qeverinë

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili ka treguar për herë të parë se pse nuk ka një Qeveri të opozitës në Kosovë.
Doarsa Kica-Xhelili tha se për të formuar qeveri nuk i ka numrat as opozita dhe as VV.
“Paritë e tjera nuk kanë dashur qartazi të thonë se nuk kanë vota. Sepse shpesh kur na thonë po e bllokoni një qeveri të opozitës dhe unë them po mirë m’i bëj votat. Hajde zbërthemi si i keni votat ju të tjerët dhe pastaj ta shtrojmë diskutimin a po e bllokon dikush apo jo. Dhe ne i kemi dy deklarime të përfaqësuesve minoritar që thonë se LDK është parti shoviniste, ata nuk mund të hyjnë në koalicion me LDK. Ke pastaj akterë brenda LDK-së, që nuk do ta votonte një qeveri të opozitës, një deri tani”, tha Kica – Xhelili në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Ajo nënvizoi se LDK nuk ndikohen nga propaganda e LVV dhe se në fushatë kanë premtuar se do ta mbajnë fjalën dhe tha se LDK po e bën këtë.
“Kemi qenë partia më e sulmuar nga LVV, deri në një pikë kur mendoja që ata e kanë përshtypjen se janë vetëm ne dhe ata në skenën politike në Kosovë”, tha Kica – Xhelili.
Ajo ka folur për refuzimin e LDK-së për koalicion me VV-në, ku ka thënë se qëndrimet e kësaj partie para fushatës ishin shumë të qarta.
Kica-Xhelili tha se ka përshtypjen se një pjesë e njerëzve nuk u kanë besuar se do të jenë kaq stoik në qëndrimet e tyre.
“Në momentin kur e kishim mundësinë të dëshmojmë që ne atë që ia themi votuesit, kemi vendosur ta nderojmë dhe respektojmë, filloi mandej të na bëhet një gjykim se ‘pse jeni kaq refuzues’”.
“Ne nuk jemi refuzues, por jemi përfaqësues. As unë nuk jam individ në LDK, jam përfaqësuese e votuesve të mi, siç janë të tjerët përfaqësues të votuesve të vet, dhe e dimë saktësisht se çfarë komunikimi kemi pasur me votuesin tonë”, tha ajo.
Më tej, ajo u shpreh se para fushatës u kanë thënë votuesve të LDK-së se kanë hendek të madh me Vetëvendosjen për shkak të mendësisë qeverisëse, asaj kundër-kushtetuese, kundër-shtetare e për shkak të mendësisë kundër aleancave qenësore të Kosovës.
“Para fushatës i kemi thënë votuesit tonë se kemi hendek aq të madh me Vetëvendosjen, për shkak të mendësisë qeverisëse, për shkak të mendësisë kundër-kushtetuese, për shkak të mendësisë kundër-shtetare dhe për shkak të mendësisë kundër aleancave qenësore të Kosovës”.
“Mendoj që të gjitha këto që po i them janë zbërthyer në mandat katër vjecar në veprimet që i ka bërë kjo qeveri. Tani, duke i marrë parasysh të gjitha këto, kemi thënë se mënyra e funksionimit të tyre, që rrjedh dhe buron nga ajo se si këta mendojnë, nuk ndryshon brenda natës sepse ata si duket e kanë qenësore mënyrën se si veprojnë”, u shpreh ajo.
Kica-Xheli, e përmendi edhe gjuhen që e ka përdorur Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës, gjë e cila tha se ka ndikuar në rritjen e hendekut mes tyre.









































