Site icon Telegrafi

Këto janë 42 kontratat që PDK thotë se Ministria e Infrastrukturës keqpërdori mbi 9 milionë euro

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri bashkë me deputeten Eliza Hoxha dhe anëtarin e Kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj kanë denoncuar dyshimet për siç i kanë quajtur aferat korruptive të Qeverisë së Kosovës.

Sipas PDK-së, kjo aferë zbulon keqpërdorim të mbi 9 milionë euro për 42 kontrata njëburimore nga Ministria e Infrastrukturës.

“Ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu dhe bashkë hisedari i tij Hysen Durmishi, për një vit, kanë lidhur gjithsej 42 kontrata për punë shtesë në vlerë mbi 9 milionë euro, të cilat nuk janë zhvilluar përmes procedurave të rregullta të prokurimit. Në këtë sipërmarrje korruptive, ekipet tona të juristëve dhe ekonomistëve kanë evidentuar një numër të konsiderueshëm të shkeljeve, të cilat jo vetëm që shkelin dispozitat e ligjit, por përbëjnë aktivitet të hapur korruptiv dhe vepër të pastër penale, dhe të cilat do të duhej e do të duhet të trajtohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, tha Tahiri.

Lexo po ashtu PDK: Ministria e Infrastrukturës keqpërdori mbi 9 milionë euro, nënshkroi 42 kontrata një burimore 

Ai ka potencuar se ky është një rast i paprecedent, duke shtuar se në MI nuk ka pasur procese prokurimi, por tenderomani pa procedura tenderësh.

“Të shpenzohen 9 milionë euro në mënyrë të negocime në punë të paparashikuara është një dëm jashtëzakonisht i madh”, ka shtuar Tahiri.

Kurse, deputetja Eliza Hoxha ka argumentuar shkeljet e Ligjit për Prokurimin Publik të bëra nga MI-ja, ku sipas saj 90 për qind e kontratave të lidhura e kanë tejkaluar vlerën e kontratës, duke i shkaktuar dëme buxhetit shtetëror prej 10 për qind të vlerës së kontratave bazë.

“Mbi 90 për qind e këtyre kontratave e kanë kaluar vlerën, gjë që dëshmon për procese të montuara, keq planifikim, tejkalim të kufirit buxhetor, duke i shkaktuar kështu buxhetit dëme prej 10 për qind të kontratave bazë, e kjo vlerë nënkupton mbi 9 milionë euro. Në shtatë kontrata të kësaj ministrie janë të plotësuar paraprakisht çmimet, madje në njërën prej tyre, përveç çmimit është e shënuar edhe emri i kompanisë që duhet t’i jepet kontrata”, tha Hoxha.

Ajo theksoi se shumica e këtyre kontratave janë nënshkruar nga zëvendësministri Hysen Durmishi, derisa legjislacioni në fuqi nuk e parasheh këtë.

“Shkelje tjetër ligjore, që karakterizon katër kontrata është mospublikimi i tyre së bashku me kushtet e kontratës. Si shkelje tjetër është edhe nënshkrimi i shumicës së kontratave nga zëvendësministri Hysen Durmishi”, theksoi Hoxha.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj tha se kjo është një super aferë e Qeverisë Kurti, në të cilën pushtetarët kanë ndarë nën tavolinë, rreth 9 milionë euro nga taksat e qytetarëve. /Telegrafi/

Exit mobile version