LAJMI I FUNDIT:

Katër tablo të piktorit Leon Zherom

Katër tablo të piktorit Leon Zherom
Jean-Léon Gérôme (1824-1904)

Nga: Ferid Hudhri (botuar në gazetën Drita, më 1 korrik 1984)

Emri dhe fama aq e madhe e Ezhen Delakruasë [Eugène Delacroix] ka bërë që disa piktorë të tjerë romantikë të mos e gëzojnë atë popullaritet të mjeshtrit të madh. Megjithatë, në historinë e artit të vendit të tyre, madje edhe në atë botërore, ata zënë një vend të rëndësishëm për vlerat artistike që arritën. Nuk është e rastit që për piktorin Aleksandër Gabriel Deka [Alexandre-Gabriel Decamps], autor i tablosë Valltarët shqiptarë, të shkruhet se në disa vepra ishte po aq gjeni sa edhe Ezhen Delakrua. Edhe piktorë të tjerë, me ekspozita apo vepra në periudha të veçanta të krijimtarisë, arrijnë “maja të larta”, duke mos mbetur pas atij mjeshtri. Një ndër ta ishte edhe piktori Leon Zherom [Jean-Léon Gérôme].

Lexo po ashtu:
Rizbulimi i Shqipërisë nga artistët evropianë
Veprat e piktorit të njohur francez, me pushtetarët shqiptarë të Orientit

Në Ekspozitën Universale të Parisit më 1855 ai mori një nga vlerësimet më të larta. Tablotë që paraqiti aty u çmuan më shumë se peizazhet e Korosë [Jean-Baptiste-Camille Corot], madje edhe kërkesat për veprat e tij nga Anglia e vende të tjera ishin më të mëdha se edhe për autorë të shquar. Pas kësaj ekspozite ai vlerësohej si një nga mjeshtërit më të mëdhenj të shekullit XIX.


Shqiptarë duke luajtur shah

Leon Zherom (1824-1904) ka qenë nxënës i piktorit të njohur Pol Delarosh [Paul Delaroche]. Por, ai u shqua edhe vetë si mjeshtër që në krijimet e para. Pas udhëtimeve që bëri në Lindje, ku e tërhoqën shumë ngjyrat e bukuria e kostumeve si dhe peizazhi plot dritë, ai e përqendroi krijimtarinë e tij mbi ato motive. Realizoi shumë tablo dhe sa herë që i ekspozonte fitonte admirimin e shikuesve, të studiuesve dhe historianëve të artit që vazhdimisht shkruanin për “mjeshtërinë e këtij piktori që sillte me vërtetësi skena interesante nga Lindja”. Tablotë e tij me ato motive, përgjithësisht në përmasa të vogla, janë vlerësuar si “mjaft piktorike, të kompozuara bukur dhe me një fakturë të pasur” (“Petit Larousse de la peinture”, v. 1, f. 709, Paris, 1979). Në vitin 1863 ai u bë profesor i pikturës në Shkollën e Arteve të Bukura të Parisit dhe prej studios së tij kanë dalë disa piktorë të njohur. Në krijimtarinë e L. Zheromit bëjnë pjesë edhe disa skulptura të bukura.

Gjatë udhëtimeve që bëri në Lindje, piktori kaloi edhe në vendin tonë dhe realizoi disa tablo, me katër prej të cilave u njohëm nëpërmjet riprodhimeve në fotogravurë, sipas origjinaleve. Njëra prej tablove me motive nga Shqipëria mbahet edhe si një nga veprat më të bukura të autorit me temën e Lindjes.

Shqiptarë duke u falur

Në të katër veprat ndihet menjëherë mjedisi shqiptar. Figurat me qëndrimin, psikologjinë, kostumet e orenditë përreth si dhe objekte të tjera japin qartë veçoritë kombëtare. Sapo sheh tablotë bindesh edhe për vlerësimin e një studiuesi të piktorit që thotë se në pikturat e Zheromit “shqiptari, turku, siriani njihen që me vështrimin e parë, pasi në shprehjen e tij etnografike autori është gjithnjë i vërtetë” (“Gerome”, Nju-Jork 1881, f. 5). Për krijimet me motive nga Lindja, ku bëjnë pjesë edhe ato kushtuar vendit tonë, shkrimtari dhe kritiku i njohur i letërsisë së artit francez Theofil Gotje [Théophile Gautier] ka shkruar se “Zherom ka një sy të shpejtë dhe të saktë, një dorë që punon me zgjuarsi dhe siguri, duke dhënë me detaje, po aq me besnikëri sa edhe një fotograf dhe mbi të gjitha, ai ka një sens që ne do ta quanim ekzotik, i cili e ndihmon të dallojë ndryshimet karakteristike të secilit komb” (“Gerome”, f. 6).

Shqiptarë duke kënduar

Tablotë me temë nga vendi ynë, veç vlerave artistike, janë të rëndësishme edhe për motivet që trajtohen. Njëra titullohet Shqiptarë duke luajtur shah. Është realizim i vitit 1859. Në të katër tablotë shihet një interes i madh për pikturimin me besnikëri të kostumeve kombëtare. I çmuar për gjithë krijimtarinë e tij si një realist i madh, mund të themi se Zheromi është autori i huaj që na i pasqyron më saktë e më qartë kostumet tona kombëtare, duke pikturuar deri në detaje të imëta pjesë të veçanta e stolisje të vogla, të cilat veç një sy i vëmendshëm dhe një dorë e sigurt si e atij mjeshtri mund t’i realizonte me aq vërtetësi. Nëpërmjet veprave të tij, ku paraqiten me dhjetëra figura shqiptarësh, jepen edhe shumë variante kostumesh të plota me të gjitha elementet, që nga çorapet e deri te shamitë e kokës e veshje të tjera të ndryshme. Por. me gjithë këtë saktësi të pikturimit të kostumeve dhe elementeve të tjera piktori, si një mjeshtër i vërtetë, nuk krijon tablo të karakterit etnografik. Ato janë plot jetë dhe me natyrshmëri të tërheqin në atmosferë intime e jetësore. Vendosja e figurave në mjedise të gjera, me hapësira të mëdha, ku jepet mundësia për të dhënë një përfytyrim më të plotë të jetës shqiptare të atyre viteve, bën të ndalesh më gjatë në tablotë e tij për të soditur jetën e njerëzve.

Në krahasim me veprat e Delakruasë, Dekasë etj., në tablotë e Zheromit shqiptarët jepen në çaste të qeta. Megjithatë, ndihet edhe atmosfera e viteve kur ata luftonin për trojet e tyre. Në të katër tablotë, ndonëse paraqiten çaste intime, figurat kanë armë, që janë gjithashtu të stolisura si dhe kostumet. Madje edhe në tablonë që titullohet Shqiptarë duke u falur piktori në sfondin e një muri të pastër, në një sipërfaqe të gjerë ka pikturuar nëntë pushkë që u përkasin shqiptarëve që falen, midis tyre edhe një djaloshi të vogël. Armë të varura në mure dhe pranë këmbëve shihen edhe në tablonë Shqiptarë duke kënduar, ku në plan të parë është një djalosh që këndon me çifteli, si dhe në tablonë e titulluar Shqiptarë, ku paraqiten dy figura (ndoshta atë e bir) para portës së shtëpisë.

Shqiptarë

Me këto vepra (është e mundur që të ketë edhe të tjera) piktori Leon Zherom duhet vlerësuar si një nga autorët më kryesorë që ka trajtuar temën shqiptare, jo vetëm për numrin e tablove dhe rëndësinë e personalitetit të tij, por edhe për realizimin e bukur artistik të tyre. Veç vlerave të tjera, aty janë skalitur dhjetëra tipa të veçantë, ndihet dashuria e autorit për të dhënë veçoritë karakteristike nëpërmjet një gjuhe piktorike të qartë dhe tërheqëse. Nëpërmjet veprave bindesh se autori e ka njohur mirë botën shqiptare të atyre viteve, historinë shqiptare. Bagazhi i tij artistik ka qenë i pasur. Për realizimin e tablove ai ka qenë i mbarsur më parë me mbresa të shumta, me skica, etyde dhe studime që përbëjnë gjithashtu një pasuri për kulturën tonë.

Shumë nga veprat e Zheromit, pasi u ekspozuan në Amerikë, mbetën atje duke u bërë pronë e muzeve dhe koleksionistëve privatë. Edhe origjinalet e tablove me motive nga vendi ynë kanë mbetur në muze të Nju-Jorkut. Më 1972 u hap një ekspozitë me gjithë veprat e Zhenomit që ndodhen në Amerikë.