Site icon Telegrafi

Jean Genet dhe tri ditët e kaluara në Shqipëri

Nga: Luan Rama

I nisur nga Brindizi me një anije të linjës së transportit italian, “Rodi”, Jean Genet, ende një shkrimtar i panjohur, por i pasionuar pas Proust-it dhe Baudelaire-it, po i afrohej bregdetit shqiptar, drejt “Santi Quaranta”, siç tregon dhe ai në librin e tij “Ditari i një hajduti” (Journal d’un voleur). Askush nuk e dinte që ishte thjesht një dezertor i ushtrisë franceze në Marok, që si hajdut dhe homoseksual që ishte, nuk mund ta përballonte rreptësinë e ushtrisë, për më tepër që ishte graduar. S’dinte asgjë nga Shqipëria, ky vend i panjohur, përmes të cilit mendonte të depërtonte lehtësisht në pjesën tjetër Evropës, pa u shqetësuar nga policët që mund ta ridërgonin menjëherë në Francë.

Ishte korriku i vitit 1936. Një vapë e madhe nderej në portin e “Santi Quaranta” – siç e quanin në atë kohë, apo Saranda, ku doganieri shqiptar me atë rrobë ushtarake të shqyera fshihej në koliben e tij, i bezdisur nga dielli që digjte. Në zbritje, doganieri që donte të mbaronte shpejt me ata pak udhëtarë, i hodhi një sy librezës ushtarake të tij, duke kuptuar se ishte një francez, në një kohë që në Shqipëri kishin filluar të vinin ca turistë francezë për të parë qytezën e Apollonisë, ku arkeologu Léon Rey vazhdonte çdo verë kërkimet e tij. “Jean Geijetti” – pëshpëriti ai duke duke lexuar emrin dhe duke parë librezën ushtarake të atij udhëtari të çuditshëm dhe të parruar, me një fytyrë vagabondi, i shoqëruar nga një bashkudhëtar, një austriak i quajtur Anton. “Jean Geijetti” – pëshpëriti përsëri ai me dyshim, duke parë dhe katër fleta të shqitura të një pasaporte me viza serbe. Dhe, për këtë nuk gabonte, por kjo ishte punë e Genet-it dhe jo e tij.

Po ç’mund të bënte Genet në Sarandën e zbrazët ku njerëzit ishin futur në shtëpitë e veta për t’i shpëtuar vapës. Kështu, me një barkë me qera, Genet, që kishte vjedhur në zbritje valixhen e një udhëtari, i drejtohet Korfuzit, siç na e tregon vetë ai, ku qëndron gjatë një nate dhe e kthejnë përsëri drejt Sarandës, ndërkohë që një përgjegjës i prefekturës së Parisit, Maurice Toesca, në shënimet e tij mbi “dosjen Genet” nuk shkruan për Sarandën po për Durrësin. Taesca shkruante se ai kishte gjetur mundësinë të merrte një leje-kalim nga konsulli italian në Nice, të përshkonte Italinë, të shkonte në Napoli e Brindizi dhe gjatë pesë ditëve që të shkonte pastaj në Tiranë, ku atje do të ndodhte e papritura e tij … Ideja e Genet-it ishte të qëndronte një natë dhe t’ia mbathte menjëherë drejt Jugosllavisë, ose nga Pogradeci, nga ku shkonin shumë turistë, përmes një rruge më të shkurtër e të këndshme, ose drejt Shkodrës dhe Malit të Zi. Duke ardhur rrotull në sheshin e Tiranës, me sytë e një hajduti që gjithnjë do të dojë të bëjë diçka, një polic e pikas dhe menjëherë e merr me vete në postë.

– Si e keni emrin Zotëri?

– Jean !

– Po mbiemrin?

– Geijetti!

– Pasaportën!

Genet i nxori pasaportën dhe ia dha. Tjetri e shikonte me dyshim.

– Përse keni ardhur në Shqipëri?

– Për turizëm !

– Me çfarë merreni ?

– Pa punë – kishte qeshur Genet … shes libra buzë Senës – kishte shtuar pastaj ai, por e pa që polici s’po e kuptonte.

Polici mendoi një çast dhe i tha të ulej në stolin pranë. Ai hyri dhe pas pak doli me shefin e tij, i cili po e këqyrte nga koka tek këmbët sikur të kishte përpara tij një batakçi apo një vrasës.

– Pra Jean Geijetti? … Pasaporta false! – i kishte bërtitur ai para hundëve dhe kishte tërhequr brenda ndërtesës.

Gjithë atë ditë dhe natën, Genet e kaloi në policinë e Tiranës. Përmes një përkthyesi atij i thanë se hyrja ilegale dhe pa vizë dënohej me burg dhe se duhej të zhdukej brenda 24 orëve. Genet kishte një pamje moskokëçarëse, pasi as që i bënte përshtypje burgu shqiptar, atij që kishte përjetuar që nga fëmijëria e tij veç “shtëpi korrektimi” dhe burgje për vjedhje të vogla.

Kështu Genet iu drejtua kufirit drejt Jugosllavisë, për çka, vetë Genet nuk shkruan rreth kësaj aventure, pasi në librin e tij autobiografik “Ditari i një hajduti” (Journal d’un voleur) këtë peripeci ai e ka kaluar thjeshtë me një fjalë, “Albanie”, pasi peripecitë e tjera nëpër Ballkan e Evropë ishin më pikante. Në fakt, Toesca shkruan se ai kishte tentuar të hynte në Korfuz, por sapo e kishin parë atje, e kishin përzënë për mungesë vize. Letër-kalimi i konsullit italian për grekët ishte i pavlefshëm. Kështu, një ditë më vonë ai kaloi kufirin shqiptar drejt Malit të Zi, meqë u njoh në Mal të Zi me një vajzë malazeze, Olga Barbezet dhe sapo kishte shkuar në Beograd e kishin futur në burg për hyrje ilegale. Por, Genet s’donte t’ia dinte për këto peripeci, madje këto i pëlqenin. Dhe, pas një qëndrimi i mbyllur në një fshat ciganësh në të Serbisë pranë Beogradit, në “Oujitsé-Pojega”, më së fundi, pas një qëndrimi në një qeli me një kroat, ai ia mbathi drejt Austrisë, por aventurat vazhdojnë pasi dhe austriakët e përzënë menjëherë. Më pas rruga e çoi në një mënyrë rokamboleske në Bërno të Çekosllovakisë, në Berlin, Poloni, në Anvers e më së fundi kthehet në Francë, pas një viti bredhjeje fenomenale: 8500 kilometra brenda një viti nëpër Evropë. Dhe, ai e thoshte me mburrje ngado se ishte një homoseksual!

Sapo kthehet në Francë, Genet fillon nga vjedhjet e tij, të librave të rrallë, të cilat i shiste tek “bukinistët” e Senës apo objekteve të vogla si në “Samaritaine”, çarçafë etj. Rreth dhjetë dënime me burg nga viti 1938 më 1943. Pikërisht në burgun e Fresnes, pranë Parisit, ashtu si markezi De Sade, autori i “Justinës”, “Sodomës” etj, ai arriti të shkruante poemën e famshme të tij “Le condamné à mort” (I dënuari me vdekje) dedikuar shokut të tij të burgut, Maurice Pilorge – të dënuar me vdekje, të cilit i pritet koka në gijotinë më 17 mars 1939, çka hajdutin Genet e tronditi shumë.

Por, meqë ai kishte përdorur letrat e administratës së burgut për të shkruar, kur e kishin thërritur në Pallatin e Drejtësisë për një vjedhje të mëparshme, shkrimet ia gjejnë dhe i zhdukin. Atëherë iu desh ta shkruaj dhe njëherë “Notre-Dame-en-fleurs”, një nga kryeveprat e tij, ashtu siç e mbante mend, kësaj radhe në fletore. Ishte kjo fletore që doli nga burgu, u shtyp dhe ra në dorë të shkrimtarit e poetit të famshëm Jean Cocteau. “Nganjëherë më ndodh një mrekulli”, kishte shkruar ai, duke folur për mbresat e mëdha të leximit të kësaj poeme të gjatë. Cocteau e merr në mbrojtje dhe ia prezanton Sartrit. André Gide e të tjerë, më pas dhe Colette e Beauvoir, thoshin se ishte një talent i jashtëzakonshëm. Dhem ashtu ishte. Por, ai do të vidhte sërish dhe e vetmja mbështetje për të ishte Cocteau, i cili mori përsipër të gjitha shpenzimet dhe ditën e gjykimit të tij, për vjedhjen e një koleksioni librash “Festat galante” të poetit Paul Verlaine. Por, ai do të dënohej, edhe pse Cocteau ishte në radhën e parë në gjyq dhe u fliste gjykatësve se “ju po dënoni një Rimbaud” … “një nga shkrimtarët më të mëdhenj të epokës”! Kur e pyesnin për burgjet e tij, Genet përgjigjej: ”Burgu nuk është thjesht një burg, por është dhe një vend i shkëputjes, evazionit, është vetë liria. Atje ti i largohesh botës për të shkruar thelbësoren e jetës” …

Cocteau e lexoi me një etje të madhe “Notre-Dame-des-Fleurs”. Në ditarin e tij ai do të shkruante: “Bomba Genet. Libri është aty, në dhomë, i tmerrshëm, i pamoralshëm, i pabotueshëm, që s’mund t’i shmangesh. Nuk dimë si ta gjykojmë. Ai është, do të jetë … Për mua është një ngjarje e madhe e epokës. Libri më revolton, më neverit dhe më mrekullon … Genet ju sikletos, ju shqetëson. Por, ai ka të drejtë dhe pjesa tjetër e botës gabon. Vallë, madhështia e vërtetë qëndron që të bësh si Mikelanxhelo? Të mashtrosh Papën, të mashtrosh Zotin? Të mbushësh me të fshehta kubetë e kishave dhe sheshet publike. Proust-i a do të ishte aq i madh dhe i qëndrueshëm po të mos gënjente? Gjithçka në këtë libër është e urryer dhe prestigjioze njëkohësisht …”

Pikërisht ky shkrimtar i madh, hajdut dhe homoseksual, më pas do të gjente udhën e jetës së tij dhe do të jetë një intelektual i angazhuar jo vetëm në Francë, por dhe në botë në luftën kundër racizmit, ndalimin e luftës në Vietnam, për çlirimin e gruas etj. Vdiq në një hotel të thjeshtë të Parisit, “Jack’s Hôtel”, por do të varrosej, siç donte ai, në një fshat të Marokut, në Larashe, ku jetonte i dashuri i tij maroken, edhe pse pak vite më vonë i vodhën dhe atë gur varri ku ishte shkruar thjesht vetëm emri i tij: “Jean Genet”.

 

Exit mobile version