LAJMI I FUNDIT:

Ivanova dhe Elezi hapin suksesshëm festivalin “Kosova Kamerfest 2008”

Ivanova dhe Elezi hapin suksesshëm festivalin “Kosova Kamerfest 2008”

Sopranoja bullgare-sllovene, Petya Ivanova dhe pianistja kosovare, Lule Elezi, kanë hapur të dielën mbrëma festivalin "Kosova Kamerfest 2008".

E njohur për interpretimin e aries “Mbretëresha e natës” nga opera “Fyelli Magjik” e kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart, Ivanova ka mahnitur publikun e Prishtinës me interpretimin e saj.

Muzikantët e pranishëm në koncert e kanë cilësuar atë si “Mbretëreshë” të vërtetë të mbrëmjes.

Përveç të tjerave në këtë mbrëmje janë interpretuar edhe vepra nga Verdi, Bellini dhe Donizetti. Përkatësisht artistet intonuan së bashku fragmentet më të vështira të shkëputura nga literatura e muzikës e shkruar për zë koloraturë.


“Ky është program që e interpretoj gjithandej Evropës. Arien ‘Mbretëresha e Natës’ e kam interpretuar në Gjermani, në Austri, në Slloveni e në Bullgari, pastaj edhe Xhildën e kam interpretuar mjaft shumë, por pati edhe arie të cilat i kam futur në program dhe të cilat do t’i interpretojë nëpër koncertet e mia që do t’i kem shumë shpejt në Gjermani. Tani mund të them se më vjen mirë që koncerti shkoj për së mbari dhe publiku ishte i mrekullueshëm. Një këngëtar pas koncertit gjithmonë ndjenë kënaqësi të madhe”, ka thënë Ivanova.

Petya Ivanova aktualisht është primadonë e Operës së Mariborit në Slloveni dhe në të njëjtën kohë është një nga këngëtaret operistike me në zë të Evropës.

Ndërsa, pianistja kosovare, Lule Elezi, përveç si soliste, dallohet edhe për bashkëpunime të suksesshme me artistë ndërkombëtarë dhe vendës. “Kosova Kamerfest” në nëntë mbrëmje përgjatë tetorit do të sjellë në Prishtinë emra të njohur të muzikës klasike nga Italia, Turqia, Norvegjia, Japonia, Maqedonia, SHBA-ja dhe Gjermania.

Festivali është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Raiffeisen Bank, ndërsa sponsor medial është KTV-ja. /ktv/