Site icon Telegrafi

Ish-trajneri i Barcelonës konfirmon se klubi nuk i ka kryer ende obligimet financiare ndaj tij

Ish-trajneri i Barcelonës, Quique Setien, ka thënë se ai ende po pret që Barcelona t’i paguajë atij shumën e plotë të parave që i kanë borxh.

Edhe katër vite pas largimit të tij, ka ende një pjesë të parave që blaugranasit i detyrohen teknikut spanjoll.

Setien, i cili ka qenë në krye të Barcelonës nga janari deri në qershor të vitit 2020, foli në një intervistë për El Larguero, duke shpjeguar se ai nuk ka hequr dorë tërësisht nga futbolli.

Setien fillimisht qartësoi se ai nuk është pensionuar zyrtarisht nga futbolli, por as nuk po i mungon që të rikthehet në stol. Sidoqoftë, ai e ka lënë derën e hapur për një rikthim të mundshëm nëse i ofrohet ndonjë projekt serioz.

Vlen të theksohet se hera e fundit kur ai kishte qenë i punësuar ishte tek Villarreali, një pozitë të cilën e ka mbajtur deri në shtator të vitit 2023, kur edhe u shkarkua.

Tani, vite më vonë, Setien thotë se është ende duke u ballafaquar me pasojat financiare gjatë kohës sa ishte pjesë e blaugranasve.

Ai ka përmendur se pagesa e fundit nga klubi do të bëhet në fund të këtij muaji, një situatë e cila ai ka thënë se është zvarritur më gjatë se sa që pritej.

“Unë ende nuk i kam marrë të gjitha paratë. Pagesa e fundit do të bëhet në fund të këtij muaji”, ka thënë Setien./Telegrafi/

Exit mobile version