India dhe Australia synojnë që të zgjerojnë tregtinë e mineraleve kryesore për t’i ndihmuar vendet që të arrijnë qëllimet e tyre në reduktimin e emetimeve të karbonit, teksa kërkojnë arritjen e një pakti të gjerë tregtar, tha të shtunën Ministri Indian i Tregtisë, Piyush Goyal.
“India ka mungesë të mineraleve kryesore. Australia ka një rezervë të madhe të atyre mineraleve që futen në bateritë e veturave elektrike, të cilat nuk janë plotësisht të përpunuara ose të prodhuara aktualisht”, tha Goyal në një konferencë shtypi pas takimit me ministrin e tregtisë dhe turizmit të Australisë, Don Farrell.
Mineralet kryesore, bashkë me teknologjinë hapësinore dhe mundësitë në sektorin digjital, do të jenë pikat kyçe të marrëveshjes së planifikuar, deklaroi Farrell, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.
Takimi pasoi një samit në Nju Delhi të premten midis kryeministrave të vendeve aziatike, Narendra Modi dhe Anthony Albanese.
India dhe Australia shpresojnë që deri në fund të vitit të përfundojnë një marrëveshje tregtare ambicioze dhe gjithëpërfshirëse që ka ngecur në negociata për më shumë se një dekadë.
Kjo marrëveshje në fakt do të zgjerohej në një marrëveshje të tregtisë së lirë, të cilën këta të dy nënshkruan vitin e kaluar, e cila doli të ishte marrëveshja e parë e nënshkruar në një dekadë midis Indisë dhe një vendi të zhvilluar.
Marrëveshja e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë hyri në fuqi në dhjetor, duke hequr detyrimet mbi 96 për qind të eksporteve indiane në Australi dhe 85 për qind të eksporteve australiane në Indi. /Telegrafi/