Borxhin ndaj lojtarëve dhe stafit e konfirmon edhe trajneri i kësaj skuadre Ismet Munishi. “Tash e shtatë muaj nuk jemi paguar. Klubi ndaj nesh ka borxh katër paga të edicionit të kaluar dhe dy të këtij që sapo ka filluar”, u shpreh fillimisht Ismet Munishi për ‘Sport Plus’.

Edhe pse klubi është në gjendje të vështirë, Munishi thotë se nuk e kanë ndërmend të futen në ‘grevë’. “Ne nuk jemi klub që hyjmë në greva për çdo gjë. Ne kemi luajtur për shkak të qytetarëve të Vushtrrisë, tifozëve ‘Forca’ për t’i gëzuar për herë të parë me titullin e kampionit dhe për këtë nuk jemi aspak pishman”, pohoi ai.


Trajneri tregon se skuadra ka vendosur të luaj pasi që ka marrëveshje me pronarin. “Këtë edicion po luajmë pasi që kemi bërë një marrëveshje me pronarin e klubit Jeton Sadikun, i cili na ka dhënë besën që borxhet do të shlyhen. Duke i parë kushtet ekonomike të vendit tonë, jemi pajtuar që këto vonesa mund të ndodhin”, nënvizoi Munishi.

‘Nuk është i vështirë motivimi’

Për trajnerin Ismet Munishi nuk është i vështirë motivimi i lojtarëve edhe pse nuk e dinë se çfarë është paraja tash e shtatë muaj. “Nuk është e vështirë që t’i motivoj pasi fitorja është në gjakun e këtyre djelmoshave që janë të lidhur shumë për njëri-tjetrin”, deklaroi trajneri kampion. Në pyetjen se nëse kjo gjendje vazhdon kështu a do të largoheni ai u përgjigj: “Jemi duke e pritur pronarin”.

Shoqëria i mban lojtarët të fortë

Njëri ndër më meritorët që Llamkos Kosova u stolis me kurorën e dyfishtë, titull dhe Superkupë, Arbër Prekazi, thotë se deri më tani kanë luajtur pasi një qytet i tërë ka pritur me padurim titullin.

“Kemi luajtur në edicionin e kaluar pasi një qytet i tërë e ka pritur titullin e parë në histori të klubit dhe përkundër faktit që nuk jemi paguar jemi krenar që i kem i bërë të lumtur”.

Ai thotë se për shkak të shoqërisë së mirë dhe atmosferës që mbretëron në skuadër kanë vendosur që të qëndrojnë. “Për shkak të shoqërisë të mirë të gjithë jemi pajtuar që do të vazhdojmë edhe në këtë edicion”, përfundoi Prekazi. /Telegrafi/
 

telegrafi sport app