LAJMI I FUNDIT:

Haxhiu: Agjencia për verifikimin e pasurisë të bëhet përmes ligjit

Haxhiu: Agjencia për verifikimin e pasurisë të bëhet përmes ligjit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se në koncept-dokumentin e projektligjit për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme është paraparë që të krijohet një agjencion i pavarur që do të merret me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve në Kosovë në momentin kur ka shpërputhje. Ky agjencion, sipas saj, do të raportojë para Kuvendit të Kosovës me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme.

Por pikëpyetje për funksionimin e kësaj agjencie dhe fushëveprimatarinë e këtij ligji ka ngritur Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në kuadër të tryezës me temën: “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: Pesë çështje që duhet marrë parasysh gjatë hartimit te projektligjit”.

Në anën tjetër ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme po konsiderohet i rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit në Kosovë.


Ministrja Haxhiu tha se nga opinionet që kanë marrë nga një ish-gjyqtar i Gjykatës së Strasburgut, lejohet që të ketë një autoritet me karakter administrativ që merret me hetimin dhe verifikimin e pasurisë së një zyrtari, por kjo duhet të ndërtohet me ligj.

“Projektligji që ne kemi hartuar ka për qëllim themelimin e një agjencioni të pavarur, i cili merret me verifikimin e pasurisë së zyrtarëve në Kosovë në kuptim që kur një zyrtar ka pasuri në shpërputhje… E ka të drejtën që ta ftojë zyrtarin dhe barra e provës i bie zyrtarit në mënyrë që i njëjti ta justifikojë pasurinë e tij, nëse pas analizave ekspertiza financiare, pasurore që bëhet nga ekspertët e pavarur të agjencionit pasuria nuk mund të justifikohet atëherë agjencioni i bën kërkesë gjykatës për konfiskim të kësaj pasurie… Agjencioni do të jetë i pavarur ne arsyetim, sepse e kemi konsideruar raportimin para Kuvendit me qëllim për ta ndalur ndonjë keqpërdorim të mundshëm në të ardhmen apo ndonjë keqpërdorim të kompetencave në të ardhmen çka ne jemi siguruar që i njëjti parasheh procedura që pamundëson këtë sidomos kur kërkesa për konfiskim i shkon gjykatës, pra është gjykata që vendos për konfiskim të pasurisë të një zyrtari… Në përfundim të ekspertizës së tij theksohet se kjo nuk përbënë cenim të të drejtave të njeriut sipas Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut… Pra, lejon që të ketë një autoritet me karakter administrativ që merret me hetimin dhe verifikimin e pasurisë së një zyrtari e rëndësishme është që organi që merr masa që mund të konsiderohen si ndërhyrje ndaj pronës të jetë parashikuar me ligj, pra me ligj po e themelojmë një agjencion të tillë”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se eksperti u ka sugjeruar që të mos mandatohet Gjykata Penale për trajtimin e këtyre çështjeve pasi i jep karakter penal procedurës dhe ky nuk është qëllimi i këtij projektligjit.

“Eksperti sugjeron që të mos bëjmë diçka të tillë për faktin se thotë se një gjë e tillë padyshim është problematike sa i përket standardin e barrës së provës nga ai civil në një procedurë penale dhe po ashtu sa i përket rezymimit të pafajësisë sepse sipas Kushtetutës së Kosovës por edhe Konventës çdo person i akuzuar rezymohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht. Po ashtu, thekson që nëse do të adaptoj një zgjidhje me tillë në prani të kësaj dispozite, Gjykata Penale mund të kenë tendencë për të zbatuar dispozitat e procedurës penale duke i dhënë procesit një karakter penal, pra që nuk është qëllimi i projektligjit, pra si përfundim eksperti e sheh si problematike përfshirjen e gjykatave penale në zbatim të propozuar”, theksoi Haxhiu.

Drejtori i INL pranë Ambasadës amerikanë në Kosovë, Shawn Waddoups tha se Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është mjet i mirë për ta parandaluar korrupsionin dhe veprat tjera penale në Kosovë. Ai shtoi se ky ligj duhet të bëhet në përputhje me të drejtat e njeriut dhe Komisionin e Venedikut.

“Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme është një mjet i mirë për ta parandaluar korrupsionin dhe veprat e tjera penale. Ne gjithmonë i sugjerojmë Qeverisë që ligjet që hartohen të jenë në përputhshmëri me të drejtat e njeriut. Sa i përket konfiskimit të këtyre aseteve është mirë që të jenë në përputhje edhe me Komisionin e Venedikut dhe dokumentet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ligjin me kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e kështu me radhë, kjo do e shtyjë rrugën drejt një hartimi të suksesshëm të këtij ligji dhe ta parandalojë aktivitetet e paligjshme në të ardhmen sikurse është korrupsioni”, tha ai.

Ndërsa, gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Zyhdi Haziri tha se një pjesë e mirë e gjyqtarëve janë të përgatitur për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

“Një pjesë e mirë e gjyqtarëve janë të përgatitur për konfiskimin e kësaj pasurie duke u bazuar në atë se ne jemi gjyqtarë dhe gjyqtari vendos në bazë të ekspertizave që bëhen nga personat financiar në këtë rast. Ne si gjyqtarë nuk mund ta dimë a ka prejardhje, por caktohen ekspertët e caktuar dhe ata në momentin kur bëjnë ne mund të themi se ka pasuri të pajustifikueshme dhe vazhdon me procedurat”, tha Haziri.

Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka prezantuar pesë çështje kryesore të cilat duhet të rregullohen në projektligjin e ri e që janë fushëveprimi, procedurat e verifikimit të pasurisë së pajustifikueshme, autoritetet kompetente për konfiskim dhe mjetet juridike dhe koha e zbatimit.

Shamolli tha se për zbatimin e këtij projektligji duhet të pritet rreth një vit. Sipas tij, në koncept-dokumentin e miratuar nga Qeveria e Kosovës është propozuar që e gjithë procedura të shkojë në tri faza të mëdha që përfshinë fazën e hetimit, faza gjyqësore dhe ajo e asgjësimit.

Ndërsa, theksoi që për fazën e hetimit është propozuar krijimi i agjencionit, i cili sipas tij ngrit shumë diskutim pasi që agjencione të tilla janë krijuar edhe më parë dhe pyetje do të vije fakti nëse ky agjencion do të arrijë t’i përballojë me 30 njerëz të gjitha procedurat.

Lidhur me atë që Departamenti për Krime të Rënda të merret me këto lëndë, sipas Shamollit më mirë do ishte që të krijohej një divizion i veçantë që do merrej me konfiskimin civil.

“Për fazën e hetimit është propozuar të krijohet një agjenci, e cila ne mendojmë që ngrit disa diskutime… Diskutimi i parë është se një kjo Agjenci mund të krijohet nga Kuvendi me ushtrimin e funksionit mbikëqyrës që ka Kuvendi ndaj institucioneve tjera… Agjencitë e tilla edhe më herët janë krijuar dhe duhet pasur kujdes edhe në aspekte shumë praktike, nëse kjo agjenci mund t’i përballojë me 30 njerëz të gjitha këto procedura. Tek organet gjyqësore, me koncept-dokument, është propozuar që Departamenti për Krime të Rënda të jetë përgjegjës. Është dhënë argumenti goxha i saktë, por që ngrit një diskutim më të gjerë. Procedura që do të ngrihet do të jetë civile dhe ndoshta to të ishte mirë që të krijohet një divizion i veçantë i posaçëm që do të merrej me konfiskimin civil, që të ketë gjyqtar të specializuar si nga gjykata penale ashtu edhe ajo civile”, tha ai.

Në bazë të koncept-dokumentit ky ligj vlen vetëm për zyrtarët publik, ndërsa sipas Shamollit fushëveprimtaria e këtij projektligji duhet të jetë më e gjerë.

“Kur jemi te fushëveprimi, ende nuk ka diçka përfundimtare. Diskutimet janë se për kë duhet të vlejë ligji, të kufizohet te persona zyrtarë dhe ata që kanë afërsi me këta persona dhe personat e tretë që mund t’u kalohet pasuria. Në këtë aspekt si GLPS, por edhe si OJQ tjera të shoqërisë civile, më shumë jemi për një fushëveprim të gjerë të ligjit. Duke pasur parasysh natyrën e grumbullimit të pasurisë së pajustifikueshme është vështirë e argumentueshme që e njëjta të përkufizohet me një rreth të caktuar për persona. Është vështirë e argumentueshme për krimet që nuk lidhen me ushtrimin e detyrës zyrtare siç është terrorizmi, prostitucioni trafikimi me lëndë narkotike”, tha Shamolli.

Shamolli tha se me sekuestrimin e pasurisë së pajustifikueshme mund të bëjë edhe agjencia aktuale për administrimin e pasurisë së sekuestruar.

Tryeza për “Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme-Pesë çështjet që duhen marrë parasysh gjatë hartimit të projektligjit”, është organizuar në kuadër të projektit “Nxitja e kërkesës për drejtësi në Kosovë përmes qytetarisë aktive”, përkrahur nga Departamenti Amerikan I Shtetit.

Në prill të këtij viti Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për pasurinë e pajustifikueshme./kp/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
Në rastin

Në rastin "Kobra", babai i viktimës: Më ka ik fëmija në moshën më të mirë, arma nuk përdoret tek vëllezërit

Drejtësi
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Tiranë, publikohen pamje të reja nga ekzekutimi i 28-vjeçarit

Tiranë, publikohen pamje të reja nga ekzekutimi i 28-vjeçarit

Lajme
Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro

Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro

Lajme
Kalo në kategori