Gjatë ditës së sotme në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri është promovuar libri “Harrova të jetoj” i autores Ymrije Beqiri.
Libri “Harrova të jetoj” u promovua mes miqve, kolegëve, artistëve, qytetarëve e figurave politike qendrore dhe lokale, shkruan Telegrafi.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, drejtori për Arsim në Komunën e Vushtrrisë, Albanez Tahiraj, drejtori i Kulturës në këtë komunë, Gëzim Saraqi, aktori i mirënjohur, Shaqir Bejta, etj.
Libri “Harrova të jetoj” është libri i 22-të i autores Ymrije Beqiri. Ky libër përmban 53 poezi, e që ky numër simbolizon edhe moshën e autores, e cila sot kishte mbushur 53 vjet.
Beqiri ka shkruar shumë libra me poezi, libra për të rritur e deri tek librat që trajtonin tematika historike e kombëtare.
Ajo u shpreh falënderuese për të gjithë të pranishmit që kishin gjetur kohën të jenë prezent në promovimin e librit të saj, transmeton Telegrafi.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se e kishte gjetur shumë vetën tek titulli i librit dhe se gjatë kohës kur ajo po ballafaqohej me një problem shëndetësor e kishte mësuar se në fakt “kishte harruar të jetoj”.
Musliu dha mesazhin që t’i shijojmë momentet e vogla, derisa theksoi faktin se gjatë kohës kur po jetojmë në epokën e digjitalizimit, çdo ditë e më shumë “po humb” emocioni dhe empatia.
Ndërsa, drejtori për Arsim në Komunën e Vushtrrisë, Albanez Tahiraj, e ka përgëzuar autoren Ymrije Beqiri për librin “Harrova të jetoj”.
Tahiraj është shprehur se autorja Beqiri për qytetin e Vushtrrisë është një “thesar i çmuar”, derisa i dhuroi edhe një mirënjohje.
Ai tha se i mbështesin shkrimtarët e qytetit.
Redaktori i librit, Bekim Kelmendi, ka thënë se në librin “Harrova të jetoj” ka gjetur diçka që është pjesë e gjithsecilit.
Ai u shpreh se ky libër e ngrit autoren në piedestalin më të lartë të arritshmërisë poetike. /Telegrafi/