Emma Heming Willis ka postuar fotografi dhe video në llogarinë e saj në Instagram nga rinovimi i betimeve me Bruce Willis në rastin e 14 vjetorit të martesës.
Videoja është realizuar në vitin 2019 dhe është xhiruar nga ish-bashkëshortja e aktorit, Demi Moore, me të cilën janë ende në marrëdhënie të mira.
Në sfondin e videos dëgjohet kënga “Fix You” e grupit Coldplay, e cila shfaq Emman duke ecur drejt altarit së bashku me dy vajzat e saj, Mabel dhe Evelyn.
Miku i vjetër i Bruce, Stephen Eads, drejtoi ceremoninë ndërsa dy nga vajzat e tjera të yllit hollivudian, Rumer dhe Scout Willis, kënduan në rinovimin e betimeve. Në fund të videos, çifti konfirmoi betimin me një puthje dhe në fund të gjithë bënë një fotografi të përbashkët.
“Në përvjetorin tonë të 10-të të martesës, ne vendosëm t’i rinovojmë betimet në të njëjtin vend ku thamë ‘Po’ në vitin 2009. Jam shumë e lumtur që e bëmë atë”.
“Shfrytëzo çdo mundësi për t’u bashkuar dhe festuar me familjen dhe miqtë. Këto janë momentet dhe kujtimet e bukura që mund t’i ruash gjithë jetën, ndërsa ne duhet t’i mbajmë ato kujtime të sigurta dhe të gjalla për ata që mund të mos jenë në gjendje që ta bëjnë këtë”, shkruan Emma në postimin e saj.
Aktori festoi ditëlindjen e 68-të më 19 mars të këtij viti, ndërsa ish-gruaja e tij, Demi Moore, ndau videon e festës që në fakt, ishte xhirimi i parë, në të cilin aktori dëgjohet duke folur qëkur familja e tij njoftoi para një viti se ai vuan nga një çrregullim gjuhësor – afazia, ndërsa së fundi u njoftua se ishte diagnostikuar edhe me demencë. /Telegrafi/