LAJMI I FUNDIT:

Gjuha përcakton mënyrën se si e shohim botën

Gjuha përcakton mënyrën se si e shohim botën
Ilustrim

Nga: Nayantara Dutta/BBC
Përktheu: Telegrafi.com

Në këtë vit, çdo të mërkurë në mbrëmje e mësoja sërish hindishten, gjuhën time të tretë pas bengalishtes dhe anglishtes. Edhe pse ishte gjë e mirë të jem më e lidhur me kulturën time, u befasova dhe disi isha e zhgënjyer kur e zbulova strukturën gjinore të gjuhës time amtare. Anglishtja ka qenë gjithmonë parazgjedhja ime, meqë nuk ka aq shumë dallime të bazuara në gjini, kështu që me hindishten më është dashur të mësoj si të mendoj dhe si të flas në një mënyrë të re, në një mënyrë ku vazhdimisht jam e vetëdijshme për gjininë.

Historikisht, bota e ka gjininë mashkullore si të paracaktuar, një konstrukt që përforcohet përmes gjuhës. Si njerëz, identiteti ynë kolektiv kuptohet si mashkullor; ne e përdorim ‘njeriun’ për të përshkruar speciet tona, si dhe ‘njerëzimin’ si mënyrë për të na bashkuar. Në librin e saj “Gratë e padukshme: Paragjykimi i të dhënave në një botë të krijuar për burra”, Caroline Criado Perez shkruan: “Të shohësh burrat si parazgjedhje, është thelbësore për strukturën e shoqërisë njerëzore”. Kultura dhe gjuha jonë e ndjekin një kornizë të përgjithshme mashkullore, ku, siç shpjegon ajo, “paragjykimi i mashkullores është ngulitur aq fort në psikikën tonë sa që edhe fjalët, me të vërtetë të paanshme gjinore (si doktor ose aktori), lexohen si mashkullore”. Në disa raste, forma mashkullore flet për të gjitha gjinitë: për shembull, në sistemin juridik të Indisë, dokumentet shkruhen në gjininë mashkullore, gjë që konsiderohet se përfshin gratë, përveç nëse specifikohet ndryshe. Në shumë mënyra, gjuha i reflekton dhe i krijon pabarazitë gjinore që ekzistojnë në shoqëri. Se si flasim kjo ndikon në mënyrën se si mendojmë dhe se si e interpretojmë botën përreth nesh. Pra, teksa jemi duke punuar për të riimagjinuar parazgjedhjet tona rreth gjinisë, për të ndërtuar një kulturë më të ndërgjegjshme, më të vetëdijshme e më përfshirëse shoqërore, ne gjithashtu duhet të llogarisim në gjuhën.


Gjuhët globale ndahen në tri kategori, në lidhje me gjininë: gjuhët gjinore si spanjishtja (ku emrat dhe përemrat kanë një gjini), gjuhët pa gjini si ajo mandarine (ku emrat dhe përemrat nuk kanë gjini të shënuar), si dhe gjuhët gjinore natyrore si anglishtja (me përemra gjinorë dhe emra pa gjini). Struktura gjinore e gjuhës që flasim do ta ketë efektin që të na bëjë pak a shumë të vetëdijshëm për gjininë. Me gjuhë gjinore duhet të mendojmë për gjininë teksa bashkojmë një folje ose përdorim një emër, ndaj ka mundësi që stereotipat me bazë gjinore dhe strukturat e pushtetit gjinor të kenë më shumë gjasa të ndikojnë në mendimet dhe opinionet tona në lidhje me gjinitë?

Teksa e mësoja hindishten, një gjuhë gjinore, kuptova se duhej të tregoja respekt për burrat, ndonjëherë më shumë sesa për gratë. Nuk më lejohej të flisja me shokët dhe shoqet e mia të klasës në të njëjtën mënyrë: Me burrat u mësova ta përdorja shumësin e nderuar (“Aap kya kar rahe hain?” mbi “Tu kya kar raha hai?” që të pyes se “çfarë po bën?”), por mund të tregojë respekt për gratë vetëm duke përdorur mbaresa femërore (“Aap kya kar rahin hain?” mbi “Tu kya kar rahi hai?”). Megjithëse mund t’i adresojmë me respekt të dy gjinitë, nuk mund të përdorim të njëjtën strukturë gjuhësore, gjë që tërheq vëmendjen për gjininë e personit me të cilin po flasim.

Në varësi të asaj se prej nga jemi dhe se si e mësuam gjuhën, kjo mund të na mësojë të tregojmë respekt të barabartë ndaj burrave dhe grave, ose t’i trajtojmë ndryshe. Megjithëse gjuha zyrtare mund të lidhet me respektin, gjuha joformale mund të përdoret gjithashtu për të shprehur intimitet ose afeksion. Me hindishten, disa gra përdorin “aap”, mënyrën me respekt për të thënë “ju”, për t’iu referuar burrave të tyre, ndërsa burrat përdorin “tum”, “ti” joformale për gratë e tyre dhe çiftet e tjera përdorin të njëjtën përemër për njëri-tjetrin.

Katër gjuhët më të folura gjinore në botë janë hindishtja, spanjishtja, frëngjishtja dhe arabishtja. Ato ndajnë shumë prej të njëjtave modele gjinore: mashkullore si gjinia e paracaktuar gramatikore, grupe me gjini të përziera që përdorin mbaresa mashkullore dhe emra femërorë që rrjedhin nga versionet mashkullore. Përmes strukturës së tyre, ato theksojnë vëzhgimin e Criado Perezit për parazgjedhjen mashkullore.

Për shembull, spanjishtja ndjek një mashkullore gjenerike kur është e paqartë nëse subjekti është mashkull apo femër; një shok mashkull është amigo dhe një shoqe (femër) është amiga, por një grup shokësh janë amigos. Paracaktimi mashkullor vlen edhe për grupet me gjini të përziera, si amigos, të cilat përdorin mbaresa mashkullore. E njëjta gjë vlen edhe për mbiemrat: një grup shoqesh të mira (femra) janë “buenas amigas”, por posa të jetë një mashkull në grup do të jenë “buenos amigos”. Është gjithashtu e qartë se mashkullorja është gjinia standarde në spanjishte, pasi është forma e paracaktuar që përdoret në fjalorë.

Në arabisht, origjina e të gjitha fjalëve është versioni i tyre mashkullor. Kur u referoheni grave, fjalëve u shtohet mbaresa femërore “taa marbuta” (ة), e cila tingëllon si “h”. Fjalët si Kateb, “shkrimtar”, nuk kërkojnë dallime kur përshkruajnë burrat, por nëse flasim për një shkrimtare, për femër, duhet të shtojmë fundin femëror “taa marbuta” (ة), Katebah, “shkrimtare femër”. Pra, kur jemi duke folur me ose për gratë, jemi më të vetëdijshëm për identitetin e tyre gjinor, sepse nuk mund të përdorim mashkulloren e paracaktuar dhe duhet të ndryshojmë mënyrën e të folurit. Për më tepër, bashkimi mashkullor i fjalëve përdoret gjithashtu kur i referohemi çdo grupi që ka një mashkull të vetëm, pavarësisht nga gjinia e shumicës së grupit. Pra, kur i referohemi një grupi me një shkrimtar mashkull dhe 100 shkrimtare femra, janë “shkrimtarë meshkuj” (Kottab), jo “shkrimtare femra” (Katebat).

Gjuhët që flasim ndikojnë në mënyrën se si e ndërtojmë shoqërinë, madje mund të krijojnë precedentin për barazinë gjinore në sistemet tona shoqërore. Në një studim të vitit 2011, Jennifer Prewitt-Freilino, profesoreshë e asociuar në Shkollën e Dizajnit në Rod Ajllënd, së bashku me koleget zbuloi se vendet me gjuhë gjinore përjetuan pabarazi mesatare më të lartë gjinore. Studimi zbuloi gjithashtu se gjuhët natyrore gjinore, si anglishtja, përjetuan më së shumti barazi, megjithëse mund të pritet që gjuhët pa gjini të jenë më të barabarta.

“Historikisht, gjuha pa gjini mund të bëjë që mendjet e njerëzve të hidhen në mashkullore, pa e thirrur atë në mënyrë specifike (sikur kur supozojmë se termi “kongresist” i referohet një burri)”, thotë Prewitt-Freilino. “Kjo është arsyeja se pse kemi gjetur se gjuhët natyrore gjinore janë më të mira për këtë, sepse kur ato krijojnë gjuhë të reformuar, ndërtojnë fjalë të reja neutrale gjinore në gjuhën gjinore, e cila tërheq vëmendjen për korrigjimin e sistemit gjinor (dhe e bën më lehtë të njohësh paragjykimin]”.

Ishin disa avokime rreth reformës gjuhësore në vitet e fundit, veçanërisht në lidhje me frëngjishten dhe spanjishten, të cilat janë gjuhë shumë gjinore pa forma neutrale. Në disa vende që flasin spanjisht, njerëzit kanë krijuar mundësi neutrale gjinore për t’i bërë spanjishtet e tyre më përfshirëse përmes mbaresave si “-e”, “-@” dhe “-x”, të cilat sigurojnë fleksibilitet përtej binarit gjinor. Në Spanjë është një nismë për të rishkruar Kushtetutën duke përdorur gjuhë neutrale gjinore (në vend të formës ekzistuese mashkullore) e që ka arritur deri në qeveri. Në Francë aktivistët kanë futur një stil të përzier gjinor të quajtur “écriture inclusive”, që ia shton të dy mbaresat gjinore një fjale për ta bërë neutrale ndaj gjinisë (ami·e·s). Institucionet gjithashtu po tregojnë mbështetje, bashkë me Bashkimin Evropian, duke krijuar një organ autonom të quajtur Instituti Evropian për Barazinë Gjinore që punon për të zbatuar politikën e bazuar në barazinë gjinore dhe madje financon hulumtimet rreth reformës gjuhësore.

“Gjuha është proces në zhvillim e sipër, por njerëzit kanë ndjenjë se ekziston një e drejtë dhe një e gabuar. Problemi është se jo të gjithë bien dakord se si duhet të jetë ajo gjuhë. Traditat po lëvizin aq shpejt sa që është e vështirë për këdo që rrijë anash”, shton Prewitt-Freilino. “Mund të përdoret gjithashtu si mekanizëm mbrojtës i ‘a je për a kundër?’ pa e njohur diskutimin pse njerëz të ndryshëm vlerësojnë terma të ndryshëm rreth identitetit dhe se duhet të jetë gjithmonë një diskutim”.

Ka pasur një bashkëveprim të rëndësishëm midis bisedave rreth gjinisë dhe identitetit dhe mënyrës se si ato përfaqësohen në gjuhë. Për vite me radhë, komuniteti i Amerikës Latine në ShBA ka diskutuar terma të ndryshëm të identitetit – së pari duke iu kundërvënë ‘hispanikes’ e cila u pa si fjalë koloniale që promovon trashëgiminë spanjolle, pastaj duke përdorur “latino/a” si mënyrë për të bërë bashkë në mënyrë domethënëse grupet e ndryshme etnike, dhe tani po punojnë për të reformuar termat gjinorë përmes etiketës ‘Latinx’. Por, megjithëse “Latinx” po përdoret nga disa të rinj në ShBA, shumë njerëz me origjinë latino-amerikane në vendet e tjera, nuk identifikohen me të.

“Edhe nëse nuk është miratuar plotësisht, tani është pjesë e diskutimeve”, thotë psikologu politik, Efren O Perez. “Është zbavitëse kur e shpalos atë si shkencëtar social. Mund të flisni se si nuk ju pëlqen fjala apo jo, por, pasi ta përdorni, në të vërtetë ndikon në mënyrën se si mendoni për politikën”.

Njerëzit mund të heqin dorë nga gjuha neutrale gjinore, duke e parë atë si të panevojshme ose thjesht ideologjike, por hulumtimi i Perezit tregon se në të vërtetë ndikon në opinionin publik. Studimi i tij i vitit 2019, me Margit Tavitsin, zbuloi se përdorimi i përemrave neutralë gjinorë shton qëndrimet pozitive ndaj grave dhe personave LGBTQ+, përmes zvogëlimit të rëndësisë së identitetit mashkullor dhe më pas duke shkaktuar më pak paragjykime të bazuara në gjini.

“Gjuha jonë në fakt e drejton vëmendjen tonë te disa aspekte të realitetit dhe larg aspekteve tjera të realitetit. Nëse flas anglisht, kam më pak të ngjarë të bëj dallime mashkull/femër sesa nëse flas spanjisht”, shpjegon Pérez. “Nuk mund ta ndryshoni kulturën, por siç zbulojnë disa nga këta terma neutralë gjinorë, mund të përshtatni termat që përdorni. Ndoshta nuk mund të ndryshojmë fjalorë të tërë, por pasi të keni futur disa opsione të paanshme gjinore në masën që njerëzit t’i zbatojnë apo pajtohen në to, kjo ka rëndësi”.

Njerëzit gjithashtu kanë gjetur mënyra për të krijuar mundësi neutrale gjinore brenda strukturave ekzistuese gjuhësore. Shweta Vaidya, shkrimtare transgjinore me qendër në Mumbai, përdor formën shumëse “hum” (ne) të hindishtes si një alternativë asnjanëse gjinore.

“Shmang gjininë time duke përdorur një zë pasiv, dhe nëse dua të pohoj përemrat e mi femërorë, e bëj, por nganjëherë është më e lehtë të jesh asnjanëse në aspektin gjinor”, thotë Vaidya. “Kur përdor ‘hum’, nuk kam pse të përdor mbaresa gjinore dhe nuk është e çuditshme në hindisht, sepse njerëzit flasin kështu në vendet si Kanpur, Chhattisgarh dhe Madhya Pradesh në Indinë Qendrore”.

Identiteti dhe shprehjet gjinore janë unike në çdo kulturë, por gjuha përreth është ende e kufizuar. Përkufizimet perëndimore të dallimeve gjinore kanë tendencë të lënë në hije mënyrën se si ne e shohim identitetin gjinor, madje edhe në pjesë të tjera të botës. “Të jesh transeksual në fjalorin perëndimor, ky është sistemi që po ndjekim tani, i cili ka disa kufizime në atë që njerëzit e perceptojnë si normë. Gjinia është kolonizuar – pakicat gjinore si komuniteti Faʻafafine në Samoa, janë përfaqësuar si burra homoseksualë, kur ata kanë kuptimin e tyre të identitetit gjinor”, shton Vaidya. “E dimë që ka pasur një përshtatje të gjuhës, ku nuancat kulturore rreth gjinisë kanë humbur në përkthim, por ne nuk i kemi korrigjuar gabimet tona. Përkthimi nuk është i lehtë, veçanërisht kur përpiqesh të përkthesh përvojat kulturore në identitete”.

Por, edhe nëse kulturat kanë gjuhë për dallimet gjinore, kjo nuk garanton mirëkuptim ose pranim. “Hijras” – grup sociokulturor i grave transgjinore dhe njerëzve interseksualë të përshkruar si “gjinia e tretë” – kanë një histori të gjatë në kulturën e Azisë Jugore. Por, për shekuj me radhë, “hijra”-t dhe “transgjinorët” janë përdorur në vend të njëjtë, gjë që ka çuar në keqkuptimin dhe nënvlerësimin e komunitetit transgjinor të Indisë. Kur Bill i Personave Transgjinorë u miratua vitin e kaluar, përkthimi në Hindisht përdori termin ubhaylingi (hermafrodit) për të përfaqësuar njerëzit trans, kështu që ligji nuk mbron ose njeh të gjithë komunitetin. “Ashtu si shumë njerëz trans kanë pyetur në mënyrë të përsëritur, ‘Nëse supozohet të jemi gjinia e tretë, kush do të jetë i pari?'” Shpjegon Vaidya. Në këtë mënyrë, gjuha ka një ndikim të pamohueshëm se kush mund të ketë të drejta të barabarta.

Reforma në gjuhë është e mundur, por kërkon kohë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht çmontim i sistemeve ekzistuese, por të lësh hapësirë për opsione më përfshirëse. Në vend që të lejojmë gjuhën të ndërtojë mënyrën se si e shohim botën, mund të shkojmë në drejtimin tjetër, duke hulumtuar se si mund ta pasqyrojmë botën përmes zgjedhjes sonë të gjuhës.

“Është e vështirë të mendosh për sistemet e gjuhës, pa menduar për kontekstin më të globalizuar në të cilin jemi duke ekzistuar”, thotë Prewitt-Freilino. “Mendoj se është merr e jep – se cilët terma krijohen; si gjuha zhvendoset dhe si përdoret në mënyra të ndryshme. Ajo që është me të vërtetë interesante, për mua, është se çka marrin gjuha dhe kultura nga njëra-tjetra”. /Telegrafi/