Kur kanë mbetur edhe një javë deri në grumbullimin e kombëtareve, Shqipëria ka marrë një lajm të keq nga dueli Napoli – Atalanta.
Berat Gjimshiti është një nga liderët e Kombëtares së Shqipërisë dhe qendërmbrojtësi ka pësuar një lëndim në sfidën ndaj napolitanëve.
Ishte minuta e 44-të e ndeshjes, kur Gjimshiti u ul në tokë dhe kërkoi menjëherë ndihmën e mjekësve dhe zëvendësim pasi ndjente probleme.
Ai la fushën menjëherë dhe sipas mediave italiane, ka një problem muskulor në kofshën e majtë.
Reprezentuesi shqiptare deri në ato momente po bënte një ndeshje shumë të mirë, duke mos lejuar Osimhen që të prekte topin dhe duke kontrolluar mirë nigerianin.
Ende nuk dihet se sa është shkalla e lëndimit dhe koha e rikuperimit, por kjo situatë padyshim do të shqetësojë trajnerin e kombëtares shqiptare Sylvinhon, pasi Gjimshiti shihet si shtylla e kuqezinjve në qendër të mbrojtjes.
Deri më tani as klubi italian Atalanta nuk ka dhënë ndonjë njoftim për kohën se sa do të mbetet jashtë fushave qendërmbrojtësi nga Tërrnoci i Luginës së Preshevës.
Kuqezinjtë më 27 mars do të përballen me Poloninë në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Evropian. /Telegrafi/