Nga viti 2021, Gjermania do të rrisë kontributin e saj në buxhetin e NATO-s për të qenë në përputhje me ato që paguan SHBA.
Gjermania do të rrisë kontributin e saj në buxhetin e NATO-s me 33 milionë € (36 milionë dollarë) për t’u barazuar me atë që paguan edhe SHBA, njoftuan zyrtarët, transmeton Telegrafi.
Një javë para samitit të tyre të 70 vjetorit në Londër, 29 vendet anëtare të NATO-s ranë dakord për ndryshime në mënyrën se si të mbulohen shpenzimet e aleancës ushtarake.
Duke filluar nga viti 2021, pjesa e buxhetit të NATO-s të mbuluar nga Gjermania do të rritet nga 14.8% në 16.35%, ndërsa pjesa e mbuluar nga SHBA do të ulet nga 22.1% në 16.35%.
Buxheti i aleancës do të përdoret për të investuar në infrastrukturë, si dhe për të financuar selinë e NATO-s në Bruksel, midis projekteve të tjera.
Në vitin 2019, SHBA kontribuan gati 470 milionë € në buxhetin e NATO-s prej 2.12 miliardë eurosh. Kontributi gjerman arriti në 313 milionë €.
Marrëveshja e re nënkupton se kontributi vjetor i Gjermanisë në buxhetin e NATO-s do të rritet me rreth 33 milionë €, ndërsa SHBA do të kursejë rreth 120 milionë €.
Zyrtarët e NATO-s shpresojnë se marrëveshja e re do të lehtësojë disa nga tensionet rreth temës së financimit të NATO-s. Presidenti amerikan Donald Trump është ankuar se SHBA mbulon më shumë sesa duhet për aleancën. /Telegrafi/