Për pilotin e Afrikës së Jugut, Rudolph Erasmus ishte një udhëtim normal, derisa ai vuri re një “pasagjer shtesë” në aeroplanin e tij derisa ishte 11,000 metra në ajër.
Megjithatë, nuk ishte një njeri, por një kobër që rrëshqiste nën ulësen e tij.
“Ishte një moment frike”, ka treguar ai, duke thënë se fillimisht mendoi se ndjenja e të ftohtit në shpinë ishte shishja e tij e ujit, përcjell Telegrafi.
“E ndjeva këtë ndjesi, si një lloj zvarritjeje në këmishën time”, ka rrëfyer ai, duke menduar se mund të mos e kishte mbyllur shishen siç duhet dhe uji mund t’i kishte kulluar në këmishë.
“Ndërsa u ktheva në të majtë dhe shikoja poshtë, pashë kobrën duke e tërhequr kokën mbrapsht poshtë ulëses”.
Ai më pas bëri një ulje emergjente në fluturimin e tij nga Bloemfontein në Pretoria. Aeroplani privat, një Beechcraft Baron 58, mbante katër pasagjerë, si dhe një gjarpër.
Një pickim nga një kobër i tillë, shkruan më tej BBC, është vdekjeprurës dhe mund të vrasë dikë në vetëm 30 minuta, kështu që duke mos dashur të shkaktojë panik, Erasmus thotë se mendoi me kujdes përpara se t’u thoshte me qetësi atyre që ishin në bord se kishte “një udhëtar shtesë të padëshiruar”.
Në fund, ai vendosi t’u tregojë atyre. “Unë i informova pasagjerët: Dëgjoni, që gjarpri është brenda aeroplanit, është poshtë ulëses time, kështu që le të përpiqemi të zbresim në tokë sa më shpejt që të mundemi”.
Por, si reaguan pasagjerët?
Erasmus përshkroi një moment heshtjeje absolute: “Mund të dëgjoje një rënie gjilpëre dhe mendoj se të gjithë ngrinë për pak kohë”.
Pilotët janë trajnuar për shumë skenarë, por sigurisht jo për t’u marrë me gjarpërinjtë në kabinë, tha ai, duke i thënë BBC-së se paniku thjesht do ta kishte përkeqësuar situatën.
Më në fund, aeroplani kishte bërë një ulje emergjente në qytetin Welkom.
Erasmus është cilësuar si hero, me komisionerin e aviacionit civil të Afrikës së Jugut, Poppy Khosa, duke lavdëruar “mjeshtërinë e tij të shkëlqyer ajrore që shpëtoi të gjitha jetët në bord”, sipas faqes News24. /Telegrafi/