Elvana Shala: Nga plagët e heshtura te shpresat e një vendi të ri

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë rrëfen për sfidat, emocionet dhe ëndrrat e saj për një Kosovë më dinjitoze
Në një botë ku fjalët shpesh humbin peshë, zëri i Elvana Shalës është shndërruar në urë mes Kosovës dhe skenës ndërkombëtare. Si Ambasadore e Vullnetit të Mirë pranë Komisionit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, ajo përfaqëson një brez të ri diplomacie që e ndërthur profesionalizmin me humanizmin e thellë. Me një përkushtim të palëkundur ndaj të pambrojturve, Shala mbanë mbi supe jo vetëm një titull diplomatik nderi, por edhe përgjegjësinë e përfaqësimit të një shteti ende në kërkim të njohjes së plotë.
Rruga e saj nuk ka qenë e lehtë. Nga fëmijëria e mbushur me sfida shëndetësore, deri te ballafaqimi me historitë më të dhimbshme të shoqërisë sonë, ajo ka ndërtuar një profil që tejkalon formalitetet diplomatike. Elvana Shala është mishërim i humanizmit aktiv, i përkushtimit ndaj së vërtetës dhe i dashurisë së pakushtëzuar për vendin dhe njerëzit e tij.
Në këtë intervistë ekskluzive për Telegrafin, ajo rrëfen me sinqeritet sfidat, emocionet dhe shpresat që e kanë shoqëruar, nga takimet me liderë botërorë te bisedat me të rinjtë e Kosovës, nga plagët e heshtura të humanizmit te ëndrrat ende të paplotësuara për vendin e saj.
Sot, pas kaq vitesh përvojë në skenën ndërkombëtare, si e përjetoni faktin që shpesh Kosova njihet jashtë përmes zërit tuaj?
Është nderë! Është kënaqësia dhe përmbushja më e madhe jetësore për një diplomat kur Kosova identifikohet në shumë ngjarje me emrin tënd. Të bartësh mbi supe në një moshë shumë të re përfaqësimin e një shteti të ri si Kosova nuk është e lehtë, aq më tepër kur shpesh thyen edhe barrierat më të forta diplomatike, siç kam bërë në shumë vende jo-njohëse të botës. Është thjesht misioni më i bukur jetësor.
Cili ka qenë momenti më i vështirë për ju, kur keni ndjerë se barra e përfaqësimit të Kosovës ishte më e rëndë se supet tuaja, dhe në ato çaste, ndiheni më shumë krenare apo e ngarkuar me përgjegjësi?
Përfaqësimi dhe fjalimet në OKB dhe në vende tjera jo-njohëse. Një rast konkret i sikletshëm, por edhe shumë krenar në fund, ishte një konferencë ndërkombëtare në vitin 2020, kur përfaqësuesit e Rusisë dhe Serbisë lëshuan konferencën në momentin që nisa fjalimin për Kosovën dhe ndër të tjera përmenda historinë e luftës, rolin e UÇK-së dhe gjenocidin e Serbisë. Reagimet ishin të forta, por në fund duartrokitjet ishin për Kosovën dhe rezistencën e saj. Ai moment ishte krenari që nuk jetohet dy herë.
Në mesin e emrave botërorë, ju vini nga një shtet i vogël që ende kërkon njohje të plotë. Si e keni shndërruar këtë sfidë në një avantazh?
Me shumë punë, me një përkushtim të jashtëzakonshëm deri në detajin më të vogël që Kosovën ta paraqes si një vend që mbase cilësohet i vogël, por është tejet i rëndësishëm. Baza e çdo suksesi diplomatik është komunikimi korrekt dhe i sinqertë dhe me fakte të detajuara me përfaqësuesit e shteteve të forta që ke përballë. Sinqerisht kam përdorur çdo armë pozitive nga paraqitja vizuale për veten, fjalimet e shkruara me shumë kujdes dhe detaje fizike që janë simbol i dhimbjes, forcës dhe suksesit të njerëzve të Kosovës. E shumë shpesh kam përdorur edhe historinë personale sfiduese të jetës sime për t’i treguar botës që ne nuk dorëzohemi lehtë. Mendoj që krejt këto kanë ndikuar për t’i vënë Kosovës vendin e merituar dhe kryesor kudo ku shkel personaliteti im.
Në arenën botërore shpesh jeni përfaqësuesja e vetme nga Kosova. Çfarë ndjesie është të mbani mbi supe jo vetëm një titull, por edhe një komb të tërë?
Jo shpesh, por pothuajse gjithmonë jam e vetmja! Është përgjegjësi e madhe sepse nën këtë mision nuk je më individi Elvana - je Republika e Kosovës, je zëri i afro 2 milion banorëve, je historia e dhimbjes dhe suksesit që ka kaluar ky vend, je imazhi i vetëm që krijohet nga audienca në momentin që ngjitesh në skenë. Dhe mbi të gjitha je ajo që tejkalon barrierat politike mes shteteve që s’të njohin fare dhe këtu duhet pasur edhe kujdes të jashtëzakonshëm në qasje me të tjerët. Por mbi të gjitha është krenari dhe privilegj kur ke çka prezanton...
Në këto takime dhe tryeza globale, sa hapësirë i jepni diplomacisë së zemrës krahas diplomacisë klasike?
Në misionin e Ambasadores së Vullnetit të Mirë, gjithçka nis dhe bëhet parimisht me zemër dhe në formë njerëzore. Nuk i ikë dot ndjenjës që buron nga brenda për ta përkthyer në diplomaci pastaj që i sjell përfitim shtetit dhe njerëzve. Sot bota është shumë e fokusuar tek e ashtuquajtura “soft power”, një lidership botëror transformues nga ai që fokusohet në fuqinë e fortë, në një lidership që ndërton besim, nxjerr bashkëpunim dhe promovon stabilitet afatgjatë. Pra, tani jemi në një epokë të re të zhvillimit të diplomacisë mes asaj të “zemrës”, sic e quani ju, dhe asaj klasike.
A ka ndonjë histori e dhimbshme njerëzore që e keni mbajtur me vete dhe që ju ka ndryshuar rrënjësisht si njeri?
Duke qenë se me kërkesën time, misionin e Ambasadores e kam ndarë në dy pjesë, siç e dini, në atë të përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe realizimin e përvitshëm të projekteve që kanë të bëjnë me kategoritë e margjinalizuara të shoqërisë sonë, përgjatë këtyre viteve kam dëgjuar histori nga më të rëndat, më të dhimbshmet, histori ndoshta të paimagjinueshme që mund t’i ndodhin një njeriu. Por e vetmja histori që më ka ndryshuar dhe më ndryshon rrënjësisht si njeri është historia e jetës sime personale. Kam mësuar dhe mësoj çdo ditë nga sfidat e mija, nga gabimet, nga vështirësitë dhe nga sukseset që kam. Mendoj se e kaluara e jonë personale është mësimi dhe formësimi më i mirë i jetës sonë.
Humanizmi shpesh sjell plagë të heshtura. Si arrini ta ruani forcën shpirtërore kur përballeni me fate të thyera?
Punoj me veten shumë në këtë aspekt dhe shpesh edhe me psikologen time personale, Antigona Qenaj Sejdiu, e cila ka vite që më ndihmon ta ruaj balancin shpirtëror me balancin e punës dhe përgjegjësive që kam. Por me qenë e sinqertë, shpesh plagët e heshtura të të tjerëve më kanë bërë të kuptoj rëndësinë e gjërave që i kam në jetë.
Ju shpesh jeni përballë publikut si Ambasadore. Por kush është Elvana kur është vetëm, larg titujve dhe misioneve?
Larg petkut të Ambasadores, Elvana është një vajzë tejet modeste që i pëlqen të jetojë ashtu si ajo do dhe ndihet, e rrethuar me shumë shoqëri që shfaqin vetëm pozitivitet dhe mirëkuptim, bëj një jetë normale sikur çdo qytetar i Kosovës. Por në parim, me qenë e sinqert, pozita e Ambasadores, fama dhe privilegjet që kam nuk kanë arritur të më ndryshojnë si njeri, ani pse jam emëruar vetëm 24 vjeç, përkundrazi e kam kuptuar edhe më mirë se thjeshtësia i bën njerëzit të mëdhenj, andaj nuk besoj se do të ndryshoj ndonjëherë. E vetmja gjë që më dallon është se në detyrën e Ambasadores kam rregulla dhe protokoll strikt dhe nuk më pëlqen të bëj përjashtime, ndërsa në jetë private toleroj shumë, por kur tejkalohen kufijtë nuk ka më kthim prapa.
Kur mbeteni vetëm me veten, cila është frika më e madhe që nuk e ndani zakonisht me të tjerët?
Frika më e madhe që kam në jetë dhe që e mendoj shpesh është dita kur prindërit e mi nuk do të jetojnë më. Ata më kanë përcjellur në çdo hap të jetës sime dhe vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën edhe tani që janë të moshuar, andaj ajo ditë do të doja të mos vinte kurrë, edhe pse e di që kjo gjë është e pamundur.
Edhe mes udhëtimeve dhe angazhimeve të shumta, cila gjë e vogël e përditshme ju sjell lumturi?
Një këngë e mirë, një mesazh i mirë, apo edhe thjesht një përqafim nga ata që i dua ose ata që më vlerësojnë. Më pëlqejnë shumë gjërat e vogla me domethënie shpirtërore të madhe!
A keni një moto personale që ju udhëheq në ditët e vështira, përtej atyre që përmenden në misionet tuaja?
Motoja ime personale që më udhëheq në jetë është: “Asgjë nuk është e pamundur në jetë, ka vetëm njerëz që nuk dinë si ta bëjnë të mundur.”
Fëmijëria juaj nuk ka qenë e lehtë, pasi keni kaluar sfida shëndetësore. Si e kujtoni atë periudhë sot, si një barrë apo si burimin më të madh të forcës suaj?
E kujtoj si një fëmijëri jo të zakonshme dhe jo të lehtë natyrisht, por asnjëherë si barrë! Më shumë ndoshta si burim të forcës dhe asaj që jam sot si personalitet. Sigurisht, mos t’i kisha kaluar ato sfida në jetë, nuk besoj që do ia dija vlerën jetës në nivelin që ia di sot.
A ka ndonjë moment nga e kaluara kur menduat të dorëzoheshit dhe çfarë ju bëri të qëndroni në këmbë?
Po, natyrisht që ka pasur momente që kam menduar të dorëzohem, edhe karshi sfidave shëndetësore, por edhe në detyrën e Ambasadores. As njëra e as tjetra nuk janë të lehta, por nuk jam dorëzuar falë intuitës sime të brendshme që gjithmonë më thoshte “ÇOHU” dhe njerëzve të shumtë që më qëndrojnë afër në situata të tilla, sidomos familja, shoqëria dhe bashkëpunëtorët e ngushtë.
Nëse do të mund t’i flisnit vetes së vogël, asaj Elvane 12-vjeçare që nisi të merrej me çështje humanitare, çfarë do t’i thoshit sot?
Do t’i tregoja që rruga që ke nisur është e gjatë, është një mision jetësor që të përcjellë, do të rrëzohesh e do të ngritesh mijëra herë, por do të TRIUMFOSH! Do të mësosh të duash, të besosh, e do të zhgënjehesh, por mos harro kufijtë e tu. Vendosja e kufijve për të ruajtur dinjitetin tënd njerëzor le të jetë në top listën tënde.
Ju keni ngritur zërin shpesh për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. A mendoni se shoqëria kosovare ka bërë aq sa duhet për t’i kthyer dinjitetin kësaj kategorie?
Mendoj që secili kemi bërë aq sa kemi mundur si individ, por a duhet të bëjmë më shumë, patjetër që po. Kjo kategori për mua është kategoria më e ndjeshme e shoqërisë, kategoria që meriton vëmendjen dhe kujdesin e plotë shoqëror e institucional. Nëse shtrohet pyetja a kanë bërë sa duhet institucionet tona për këtë kategori, përgjigja është JO. Janë ato që duhet të punojnë fort t’i kthejnë dinjitetin kësaj kategorie.
Ku jemi sot, si Kosovë, në raport me barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut, a është përparuar vërtet apo ende po lëvizim ngadalë?
Me bindje të plotë e them që kemi përparuar në këto aspekte në masë të madhe. Mos të harrojmë, jemi vend i ri dhe gjithçka kemi nisur prej zeros. Ndërkohë që sot kemi numër më të madh të grave në politikë, në biznese, dhe në çdo fushë tjetër. Tani nëse flasim në aspekt të përgjithshëm, fusha e të drejtave të njeriut është spektër i gjerë dhe i përditshëm dhe asnjëherë s’mund të themi që kemi bërë mjaft.
Kur prezantoni Kosovën jashtë vendit, cilën anë të medaljes zgjidhni ta tregoni e cila është ajo që ju dhemb më shumë ta fshihni?
Parapëlqej të zgjedh anën e medaljes pozitive, por pa lënë anash as realitetin me të cilin përballemi dhe vështirësitë që kemi si shtet, sepse në fund të ditës, çdo shtet ka vështirësitë e veta. Nuk parapëlqej e as nuk flas për problemet dhe inatet e përditshme të partive politike, sepse kjo është vërtetë e dhimbshme.
A mendoni se të rinjtë e Kosovës janë gati të bëhen ambasadorë të mirëfilltë të vendit të tyre, ashtu siç jeni ju në arenën ndërkombëtare?
Po, pa asnjë dyshim. Vetëm duhet tu jepet mundësia.
Në takimet me të rinjtë, a ndjeni më shumë shpresë apo zhgënjim për të ardhmen e tyre dhe si ndikoni personalisht që shpresa të fitojë?
Varet, në disa takime ka zhgënjime, në disa ka shpresë. E kjo po varet shumë edhe nga situata politike aktuale. Sa i përket ndikimit tim, ai është i madh tek të rinjtë, sepse të shohin si shpresë që përkundër sfidave ka arritur sukses, e kjo më bën shumë të lumtur.
Nëse do të kishit mundësi t’i drejtoheshit me një mesazh direkt institucioneve të Kosovës, cili do të ishte ai?
Unë shpesh kam mundësi t’i drejtohem institucioneve të Kosovës, duke qenë se takimet me krerët e institucioneve i kam shumë të shpeshta. Por mesazhin gjithmonë e jap në takime të veçanta me dyer të mbyllura. Ndërsa nëse më kërkohet ta bëj sot nga kjo intervistë, ai do të ishte: “Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se interesat tuaja personale e partiake. Mbajeni mend, Kosova nuk është laptop që ta bëni restart sa herë që diçka nuk ju pëlqen apo nuk iu konvenon. Kosova duhet të ecë përpara me apo pa pëlqimin e disa individëve politikan.”
Cila është ëndrra për Kosovën dhe për veten që e mbani ende të pathënë?
Ëndrrat e thella preferoj t’i mbaj për vete dhe do të vazhdoj t’i mbaj të pathëna derisa t’i realizoj. /Telegrafi/

























































