E neglizhuar në rastin më të mirë, e përçmuar në rastin më të keq, në biografinë e David Sheffit artistja japoneze shfaqet si një pioniere interesante dhe e ndjeshme.
Nga: Neil McCormick, kritik i muzikës / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
A e mbajti Yoko Ono të bashkuar grupin Beatles, gjatë viteve të tyre të fundit, por të frytshme? Gazetari amerikan i shpërblyer me disa çmime, David Sheff, e hedh këtë ide në biografinë e tij të ngrohtë dhe tërheqëse, Joko [Yoko], që flet për gruan që për shumë kohë mbajti barrën më të madhe të fajit për shpërbërjen e grupit më të dashur në botë. Duke vënë në dukje depresionin dhe ndjesinë e boshllëkut që John Lennon përjetoi përpara lidhjes së tij gjithëpërfshirëse me Onon, Sheff sugjeron se, duke e shoqëruar atë në seancat në studio – “duke i mbajtur fjalë për fjalë dorën, ndonjëherë” – ajo ndihmoi në ruajtjen e angazhimit të Lennonit ndaj Beatles-ave, kur ai tashmë “kishte një këmbë jashtë derës”. “Ka një version të historisë së Beatles-ave”, thotë Sheff, “ku pa Yokon nuk do të ishin [albumet] Let It Be apo Abbey Road”. Tash ka diçka për të menduar.
Lexo po ashtu:
– Historia e panjohur e këngës “Imagine”: Imagjino ta bësh një këngë të bukur, për një botë më të bukur
– Frymëzimi i Yoko Onos nga traumat e fëmijërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore
– Fotografia më e mirë e Allan Tannenbaumit: John Lennoni dhe Yoko Ono, kinse duke bërë dashuri
– Letër dashurie për Yoko Onon
– Miti i rrejshëm për John Lennonin
– “Top-lista” e grupit që ndryshoi muzikën dhe botën
– The Beatles dhe këngët e tyre të nënvlerësuara
Si shumë adhurues të Beatles-ave, shpesh kam menduar se çfarë bënte në të vërtetë ajo figurë enigmatike me të zeza, ulur pranë Lennonit për javë të tëra, duke vështruar pa shprehje kur Beatles-at kompozonin disa nga muzikat më të vlefshme që kemi dëgjuar ndonjëherë. Mllefi, mizogjinia dhe racizmi janë hedhur ndaj kësaj pranie të pakuptueshme, siç u pa në dokumentarin Let It Be të Michael Lindsay-Hoggut në vitin 1970 dhe në rindërtimin gjashtorësh Get Back të Peter Jacksonit më vonë. Megjithatë, shpjegimi i Onos, dhënë Paul Zollos në vitin 1992, ishte goditës: “Thjesht po jetoja në botën time të brendshme. Botë ëndrrash. Rrija aty dhe mendoja për të gjitha gjërat që po bëja në mendjen time. Pra, isha aty dhe në një farë mënyre nuk isha”.
Siç tregon biografia e përzemërt e Sheffit, Ono kishte kaluar gjithë jetën e saj duke ndenjur dhe ëndërruar, për t’i kthyer më pas këto ëndrra në art të guximshëm konceptual. Si 12-vjeçare në Japoni, e varfër dhe e uritur pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ajo zhvilloi truke mendore për të mbijetuar. Një prej tyre ishte krijimi i “gostive imagjinare” për vëllain e saj të vogël, Kei, kur ai qante nga uria, duke i thënë: “Ha këtë mollë imagjinare. Do të të ngopë”. “Mua më ngopte”, i tha Kei, Sheffit. “Ajo ishte e mirë në imagjinatë. Por, ato fjalë nuk më ngopën mua”!
Nxitja për të “imagjinuar” u bë temë qendrore e artit të Onos, që përshkon Grejpfrutin [Grapefruit], librin e saj të vitit 1964 me “udhëzime”, plot me pjesë si këto: “Imagjino që retë po pikojnë, hap një gropë në kopsht për t’i vendosur aty”. Ajo ia dhuroi një kopje Lennonit pas takimit të tyre të parë të shkurtër në vitin 1966, gjatë ekspozitës së saj debutuese në Londër. Ai e mbajti librin pranë shtratit, për dy vjet, para se të bënin lidhje romantike (dhe të martoheshin në vitin 1969). “E lexoja, dhe ndonjëherë më bezdiste shumë”, i tha Lennon revistës Rolling Stone në vitin 1971. “Por, ndonjëherë më kthjellonte. Kalova gjithë fazat që njerëzit kalojnë me veprat e saj”. Në shumë mënyra, libri i Sheffit shërben si një udhëzues për ato ndryshime në perceptim.
Në vitin 1971, Ono ishte ulur pranë Lennonit, tashmë burri i saj i tretë, në një piano në vilën e tyre në Parkun Titënhërst në Berkshër, duke kontribuar me ide tekstesh derisa ai kompozonte një baladë të bazuar mbi veprën e saj. “Nuk isha sa duhet burrë për t’ia njohur meritat”, pranoi Lennoni me pendesë në një intervistë me Sheffin në vitin 1980, pak kohë para se të vritej. Në një ceremoni në vitin 2017, ashtu siç kishte këmbëngulur Lennoni gjatë muajve të tij të fundit, Shoqata Kombëtare e Botuesve të Muzikës në ShBA e njohu Yoko Onon si bashkautore të asaj balade: Imagine [Imagjino].

Edhe pse kjo biografi nuk është e autorizuar, Sheffi pranon se ka njëfarë anshmërie. Si një gazetar 24-vjeçar, ai kaloi javë të tëra duke intervistuar Lennonin dhe Onon për revistën Playboy – gjatë incizimeve të albumit Double Fantasy (1980) – dhe krijoi një miqësi të përjetshme me Onon dhe djalin e saj Sean Lennon pas vrasjes së Johnit. Në vitin 2008, Sheffi botoi kujtimet Djali i mirë [Beautiful Boy: A Father’s Journey Through His Son’s], për përpjekjet e të birit për të kapërcyer varësinë nga drogat dhe për miqtë që ndihmuan në shpëtimin e jetës së tij. “Ata miq”, tregon ai, “ishin Yoko dhe Sean”. Mos i hapni këto faqe duke pritur një sulm përçmues.
As Yoko nuk përfaqëson një hagiografi. Ono është personazh shumë kompleks për një trajtim të tillë. Sheffi nuk shmanget nga përshkrimi i anëve të saj më të veçanta, si: egoizmi i saj mbrojtës, vetëkënaqësia e jashtëzakonshme, besëtytnitë marramendëse – si konsultimi me lexues tarotësh, numerologë dhe mediumë – dhe mënyra në dukje magjike e të menduarit përmes së cilës drejtoi një perandori biznesi që megjithatë u bë shumë e suksesshme. (Pasuria neto e Onos u vlerësua në 500 milionë dollarë – 464 milionë milion euro – në vitin 2024.) “E kam parë në momentet e saj më të këqija”, shkruan Sheff, “kur ishte paranojake, e frikësuar dhe e dëshpëruar, por gjithashtu edhe në anën më të mirë të saj, kur ishte e entuziazmuar, krijuese dhe e frymëzuar, duke shfaqur një lloj mençurie jashtëtokësore të cilën Johni e përshkruante”.
E lindur në vitin 1933, Ono u rrit në një nga familjet më të pasura bankare në Japoni. Ajo ishte një vajzë e privilegjuar që nuk përshtatej, duke u rritur thuajse pa dashuri prindërore apo mbështetje për pavarësinë e saj si grua. Ajo përjetoi tmerrin e luftës nga afër, duke parë Tokion të digjej më 9 mars 1945 – kur amerikanët hodhën 1,665 ton bomba ndezëse mbi kryeqytet. Pas kësaj, ajo u rebelua ndaj presionit prindëror – për të bërë një martesë të pranueshme në aspektin shoqëror – dhe iku në Nju-Jork për të studiuar artin. Burri i saj i parë ishte pianisti eksperimental Toshi Ichiyanagi, i cili më pas u bë një prej kompozitorëve kryesorë japonezë. Prindërit e Onos ia ndërprenë çdo mbështetje financiare; ajo punoi si sekretare dhe përkthyese për të mbajtur gjallë karrierën e saj artistike.
Performanca e parë publike e Onos ndodhi më shumë se 60 vjet më parë, por vetëm në dy dekadat e fundit ajo është pranuar si artiste pioniere feministe; retrospektiva të mëdha janë organizuar së fundmi në galerinë Tejt Modern [Tate Modern] në Londër dhe në Muzeun e Artit Modern [Museum of Modern Art] në Nju-Jork. Por, rrëfimi i përmbledhur i Sheffit, që përfshin rreth 300 faqe, tregon se arritjet e saj rrallëherë janë vënë në dyshim nga bashkëkohësit e saj. Ajo ishte një figurë kyçe në një skenë të vogël, por me ndikim të madh të artit performativ në Nju-Jorkun e viteve ’50 të shekullit XX, që përfshinte figurat si kompozitori John Cage dhe koreografi Merce Cunningham. E trajnuar në mënyrë klasike si pianiste dhe vokaliste, vepra e Onos përfshinte pjesë avangarde muzikore, njërën prej të cilave ajo e interpretoi me virtuozin e madh të xhazit, Ornette Coleman, në Sallën Mbretërore [Royal Albert Hall] në Londër në vitin 1968.
Balada e Johnit dhe Yokos, siç e quan Sheff, është trajtuar në mijëra libra, artikuj dhe dokumentarë, por është interesante të rishikosh historitë e njohura nga këndvështrimi i Onos. Mësojmë, për shembull, se çfarë bëri ajo gjatë të ashtuquajturës “fundjavë e humbur”, kur çifti u nda për 18 muaj ndërsa Lennoni argëtohej në Los Anxhelos me May Pangun, të dashurën që vetë Ono i kishte zgjedhur. Sheffi shpjegon se Ono e përzuri atë për shkak të tradhtisë, pirjes së tepruar të alkoolit dhe mungesës së produktivitetit; ajo donte të ruante perceptimin që kishte për vetveten. Gjatë ndarjes, ajo dilte, lexonte shumë, krijonte art dhe incizoi një album; Lennoni e telefononte pothuajse çdo ditë, duke e lutur që ta pranonte përsëri. Miqtë, nga Elton Johni deri te Paul McCartney, ndërhynin në emër të Lennonit. Përfundimisht ajo pranoi, por vetëm nëse ai do të ndryshonte veset e tij me alkoolin. Lennoni telefonoi Pangun, i tha “Yoko më lejoi të kthehem në shtëpi”, dhe e braktisi menjëherë. Ajo që pasoi duket se sinqerisht ka qenë periudha më e lumtur në jetën e Lennonit dhe Onos.
Vrasja e Lennonit më 8 dhjetor 1980 e trondit këtë libër si një bombë. Nëse për shumicën e dashamirësve të muzikës mbetet një ngjarje e madhe, për Onon ndikimi ishte gjithëpërfshirës. Dhimbja dhe tmerri i atyre kapitujve është tronditës për t’u lexuar: pjesa tjetër e librit të Sheffit është një lloj udhëtimi nëpër një traumë publike post-traumatike. Ai ofron një pasqyrë të dorës së parë për marrëdhënien e ndjeshme që ajo pati me dizajnerin e interierëve Sam Havadtoy – nga viti 1981 deri rreth vitit 2000 – si dhe për lidhjen e fortë që kishte ndërtuar me djalin e saj, Sean; por gjithçka duket si pasojat dhe jehona – një jetë e jetuar në pluhur që nuk pranon të pastrojë.

Perceptimi publik për karakterin dhe karrierën e Yoko Onos, të paktën përjetoi një përmbysje thuajse të plotë gjatë kësaj periudhe. Sot, statusi i saj si një artiste e rëndësishme nuk vihet më në dyshim. Edhe muzika e saj më e çuditshme – ato krijime që dikur konsideroheshin të padëgjueshme – ka fituar statusin e “klasikëve të kultit”: ato dhe vetë ajo janë pranuar si frymëzim për artistët që variojnë nga Patti Smith dhe Siouxsie Sioux, te Sonic Youth dhe Lady Gaga. Askush nuk mund ta quajë veten njohës të plotë të Beatles-ave nëse nuk e zotëron albumin Yoko Ono/Plastic Ono Band të vitit 1970 – një vepër binjake e albumit me të njëjtin titull të Lennonit – në të cilin Johni dhe Ringo ofrojnë tingull të egër panku, ndërsa Ono ulërin me një madhështi të frikshme dhe gazmore. Remikset në stilin dens të veprës së saj i kanë sjellë 13 hite të vendit të parë në top-listën “Billboard Dance” në ShBA.
Ono është tani 92 vjeçe. Jeton në vetmi në një fermë në veri të shtetit të Nju-Jorkut, e rrethuar nga 600 hektarë fusha dhe pyje; ajo vizitohet rregullisht nga fëmijët e saj, Sean dhe Kyoko (kjo e fundit nga martesa e saj e dytë, me Tony Coxin, në vitet ’60 të shekullit XX), dhe nga disa nipër e mbesa. E takova në vitin 1988 dhe mbeta tërësisht i magjepsur. Kishte një të qeshur të bukur, që tingëllonte e qetë dhe interesante gjatë gjithë bisedës sonë, dhe menjëherë ishte e lehtë të perceptoje gruan me intelekt të ndritshëm dhe artistik me të cilën Lennon ishte dashuruar. Nuk mbante syzet e zakonshme të errëta, dhe lotët i shkëlqenin në sy kur fliste për Johnin. Por, edhe në dhimbjen e gjatë si e vejë, ajo rrezatonte një dashuri të hapur për botën.
E pyeta këtë grua të jashtëzakonshme – e cila është shfaqur lakuriq në kopertina albumesh, ka bërtitur brenda thasëve të zinj në skenë dhe ka publikuar incizime të abortit të saj – nëse kishte ndonjë gjë për të cilën ndjente turp kur kujtonte. “Jam shumë emocionale për të menduar në mënyrë objektive”, u përgjigj ajo. “Por, ka periudha kur nuk ishim tamam si duhet”! Qeshi. “E di ti, për gjërat e tilla tani mendoj: ‘Nuk dua ta shoh’! Një valë turpi. Por, kjo jam unë”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Ndahet nga jeta Anita Take

Cezari e Pompeu, dy strategët e mëdhenj që zbarkuan në trojet shqiptare

Studim për himnin kombëtar shqiptar: “Rreth flamurit të përbashkuar”

“National Geographic”, më 1980: Shqipëria, e vetme përballë botës

Shtrembërimi i historisë, plagë e hapur në kujtesën kombëtare

RUBAIRAT

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

A po shuhet përfundimisht dialogu Kosovë-Serbi? - Analistët në Beograd: Kosova s’është më temë

Aksident me fatalitet në Bresje të Fushë-Kosovës, mbyllet përkohësisht rruga Prishtinë-Pejë

Bota ngritet kundër Elon Muskut, 200 protesta në ditë kundër pronarit të Teslas

Goditeni nga rryma sa herë që prekni diçka? Ekspertët zbulojnë pse ndodh kjo dhe si të parandaloni

Prindërit e Gjestit thonë dy fjalë për Egli Takon, i kërkojnë falje familjarëve të saj

Bournemouth vendos çmimin për Antoine Semenyo – kërkohet nga tre klube të mëdha angleze