Alex Sandro i ka dhënë fund aventurës te Juventusi pas nëntë viteve qëndrim te gjiganti italian.
Mbrojtësi veteran brazilian do të largohet nga Zonja e Vjetër më 30 qershor kur edhe i skadon kontrata, derisa ai nuk do të mbetet as në futbollin italian.
33-vjeçari ka tre destinacione të mundshme në horizontin e tij për ta vazhduar karrierën dhe ato janë Fenerbahçe, Besiktas dhe Santos.
Pas nëntë vitesh në Juventus, Alex Sandro ka lënë gjurmë të pashlyeshme, duke barazuar Pavel Nedved si lojtari i huaj me më shumë paraqitje në historinë e klubit, me gjithsej 327 paraqitje.
Fenerbahçe dhe Besiktas, dy nga klubet më të mëdha të Turqisë, janë të interesuar për të marrë shërbimet e mbrojtësit 33-vjeçar.
Të dyja skuadrat shohin te Alex Sandro një mundësi për të forcuar skuadrat e tyre me një lojtar me përvojë të madhe ndërkombëtare dhe një histori të gjatë në garat evropiane.
Nga ana tjetër, si një opsion i mundshëm shfaqet edhe Santos, klubi ku Alex Sandro filloi karrierën e tij profesionale.
Një rikthim në Brazil mund t’i ofrojë atij mundësinë për të përfunduar karrierën e tij në atdhe dhe për të kontribuar përvojën e tij në ekipin ku ai lindi si futbollist. /Telegrafi/