Nga: Nick Duerden / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Më 9 dhjetor 1980, Paul McCartney doli nga një studio incizimi në Londër, ku e priste një turmë gazetarësh. Kishte qenë aty gjatë gjithë ditës, ndërkohë që pjesa tjetër e botës po përpiqej të përballej me lajmin se John Lennon, dikur tandemi i tij në grupin Beatles, ishte vrarë në Nju-Jork një natë më parë. Lennon ishte 40 vjeç. Kur McCartney doli, po përtypte çamçakëz. Shtypi e rrethoi menjëherë me mikrofona të zgjatur, të etur për të ditur si ndihej.
“Eh, e kuptoni … shumë i tronditur. Është lajm i tmerrshëm”, tha këngëtari.
Media e lajmeve mbështetet tek ato deklarata të shkurtra që bëjnë për vete kryetitujt, por McCartney nuk po bashkëpunonte. Përgjigjet e tij ishin të shkurtra dhe të ftohta – një seri ngritjesh supesh me fjalë. Kur u pyet nëse do të merrte pjesë në funeral, u përgjigj: “Nuk e di ende”. Ndërsa për atë nëse do të fliste me anëtarët e mbetur të Beatles-ave, tha: “Ndoshta, po”. Turma këmbënguli. Donin të dinin çfarë kishte bërë në studio. “Thjesht po dëgjoja disa gjëra”, u përgjigj. Shtoi se nuk kishte qëndruar në shtëpi sepse “nuk kisha dëshirë”.
Lexo po ashtu:
– A e shpëtoi Yoko Ono grupin Beatles?
– Sekreti i gjenisë McCartney: Gjithçka ka të bëjë me basin!
– Në “hijen” e burrit: Paul McCartney përzgjedh fotot e gruas së jetës
– Muza që frymëzoi Paul McCartneyn
– Historia e panjohur e këngës “Imagine”: Imagjino ta bësh një këngë të bukur, për një botë më të bukur
– Miti i rrejshëm për John Lennonin
– “Top-lista” e grupit që ndryshoi muzikën dhe botën
– The Beatles dhe këngët e tyre të nënvlerësuara
Mjafton të thuhet se gjithçka po shkonte drejt asgjësë, derisa McCartney papritur tha një fjali që do të bëhej e pavdekshme: “Është zhgënjyese, apo jo?” – shtoi një “OK, kalofshi mirë” dhe u largua ngadalë. Nëse më parë bota kishte qenë e magjepsur nga psikodrama mes dy kompozitorëve më të talentuar të brezit të tyre, përgjigjja indiferente e McCartneyt bëri që askush të mos pushojë kurrë së qeni i intriguar nga kjo dyshe.
Xhoni dhe Poli: Një histori dashurie në këngë [John & Paul: A Love Story in Songs], nga Ian Leslie, hapet pikërisht duke rrëfyer me detaje këtë skenë. Autori e ka bërë këtë, siç më shpjegon sot, jo “për të sugjeruar se Pauli ishte një psikopat”, por për të vendosur në kontekst reagimin e përmbajtur të McCartneyt. “Ishte mekanizmi i tij mbrojtës. Donte ta shtynte mënjanë këtë lajm të tmerrshëm, shkatërrues, dhe ta sublimonte – të bënte sikur nuk po ndodhte – e të përqendrohej te puna”, thotë Leslie. “Kjo është ajo që ai bëri. Paul është një njeri shumë emocional, gjë që nuk duket gjithmonë”,
Gjoni dhe Poli është më i fundit në një mori të pafund librash për Beatles-at, që rrëfejnë se si katër të rinj nga Liverpuli krijuan një nga grupet më të mëdha muzikore në histori. Është një histori për të cilën duket se nuk lodhemi kurrë së dëgjuari dhe që i reziston ritregimit të pafund.
Takoj Leslien në zyrat e botuesit të tij, një pasdite të hershme të shkurtit. Ai sjell me vete një të ftohtë të rëndë dhe një drekë të shpejtë nga Pret, të cilën e ha ndërsa flasim, duke nxjerrë me radhë ushqimet nga një çantë e vogël – sandviç, patatina, kos, lëng molle – ashtu si një magjistar që nxjerr lepuj nga kapela. Është 53 vjeç dhe, me syzet dhe xhaketën e kadifesë, ka pamjen e një studiuesi. Leslie ka punuar më parë në fushën e reklamës, përpara se të largohej për të shkruar libra – ndër të tjera, përse njerëzit gënjejnë dhe përse nuk bien dakord. “Shkruaj për psikologjinë sepse më magjeps, por nuk jam psikolog”, thekson ai.
Pse atëherë Beatles?
“Epo, kishte disa gjëra që doja t’i nxirrja nga vetja”, thotë ai. “Janë shkruar kaq shumë libra për ta gjatë viteve – qindra, në mos mijëra – por për mua, shumë prej tyre kanë qenë zhgënjyese. Doja ta balancoja këtë duke u përqendruar posaçërisht në marrëdhënien midis Johnit dhe Paulit, sepse gjithmonë më ka magjepsur”.
Sigurisht që kishte një bollëk materialesh burimore, dhe ai u mbështet jo vetëm në magjepsjen e tij të vazhdueshme (“Jam adhurues që prej moshës shtatëvjeçare”), por edhe në morinë e informacionit të qasshëm. Dokumentari gjigant prej tetë orësh i Peter Jacksonit, The Beatles: Get Back, nga viti 2021, ofroi një pasuri informacioni dhe perspektivash të reja, dhe i mundësoi Lesliet t’i qasej temës me një seriozitet intelektual. Dhe, megjithëse i afrohet subjektit të tij me syrin kritik të një studiuesi, toni përgjatë gjithë librit është ai i një simpatie të theksuar – madje i një ndjenje të përhershme mahnitjeje. Ai i pëlqen ata, edhe pse pranon se nuk i njeh plotësisht.
Në librin e tij, Leslie shkruan: “Mendojmë se i njohim. Në të vërtetë, nuk i njohim. Narrativa standarde ka shtrembëruar personalitetet e tyre të vërteta”.
Xhoni dhe Poli risjell historinë e njohur të fillimit – klubi i natës në Liverpul [Cavern Club], Hamburgu dhe gjithë ulërimat; pastaj India, Yoko dhe shpërbërja përfundimtare në vitin 1974 – por, gjithë kjo shërben vetëm si sfond për të shqyrtuar me imtësi çfarë ndodhi në të vërtetë midis Johnit dhe Paulit.
Që në fillim të librit, Leslie hap çështjen e seksualitetit, duke cituar një intervistë në të cilën McCartney thuhet se ka deklaruar: “Në mbrëmje kishte një moment kur [nëna ime] kalonte përpara derës së dhomës sonë në të brendshme … dhe unë ndihesha seksualisht i eksituar”. Pjesa më polemike, megjithatë, janë sugjerimet që Leslie bën lidhur me ndjenjat e Lennonit për shokun e tij të grupit – se ato mund të kenë qenë më shumë se sa thjesht platonike. “John ishte gjithmonë kureshtar, dhe nuk jam i pari që e bëj këtë supozim”, thekson Leslie sot. Madje, gjatë sesioneve Get Back, të cilat Leslie i përdori gjerësisht për kërkimet e veta, Lennon i thotë McCartneyt me gjysmë shaka: “Është sikur ne jemi të dashur.”
Seksualiteti i Lennonit ka qenë prej kohësh subjekt kurioziteti për adhuruesit e Beatles-ave. Pas lindjes së djalit të tij të parë, Julian, Lennoni zgjodhi të mos kalojë kohë me familjen, por të shkojë me pushime me menaxherin e grupit, Brian Epstein, i cili ishte homoseksual. “Është disi e njohur që Brian dhe John patën një lloj lidhjeje, shkalla e së cilës nuk do të dihet kurrë”, thotë Leslie. “Por, ka ndodhur – ndoshta. John ishte një lëmsh në shumë mënyra; mendoj se është nënvlerësuar se sa shumë lëmsh ishte ai. Të tjerët në grup vazhdimisht duhej ta menaxhonin për ta mbajtur pjesë të grupit”. Leslie gjithashtu citon një intervistë që Yoko Ono i ka dhënë biografit të Beatles-ave, Philip Norman, në të cilën ajo flet për “ndjenjat shumë pasionante të Johnit për Paulin” dhe në mënyrë të veçantë për mundësinë që “ai të ketë qenë homoseksual” – një tregues, pra, që edhe Yoko e kishte konsideruar këtë si një mundësi.
Sa për atë nëse ndonjëherë ndodhi diçka mes të dyve, Leslie nuk beson se po. “[McCartney] i hodhi poshtë [thashethemet]”, thotë ai. “Nuk ka ndodhur. Ata nuk kanë pasur kurrë një marrëdhënie seksuale … epo, kush e di? Por, nuk mendoj se po. Do të befasohesha. Paul është në mënyrë të qëndrueshme heteroseksual, dhe John ka qenë kryesisht heteroseksual”.
Megjithatë, Leslie shton: “Mendoj se ndoshta ka pasur një komponent erotik në marrëdhënien e tyre, dhe ishin disi të magjepsur nga njëri-tjetri, por nuk besoj se flinin bashkë. Johni, ndoshta, në një moment ka pasur pyetje në mendje nëse duhej ta bënin, por …”, Leslie qesh, “u përplas me murin e heteroseksualitetit të Paulit. Ky është hamendësimi im”.
Siç dëshmojnë librat e tij të mëparshëm (Born Liars, 2011, dhe How to Disagree, 2022), Leslie është i magjepsur nga psikologjia e ndërveprimeve njerëzore – si lidhemi, si shpërbehemi – si dhe nga instinkti ynë për hipokrizi dhe konkurrencë. Prandaj, John dhe Paul ishin subjektet ideale për të. Do ta kishte të vështirë të shkruante një libër të ngjashëm, le të themi, për Liam dhe Noel Gallagherin, por dyshja e Beatles-ave e ngritën përplasjen e tyre personale në nivel arti. Ata e meritojnë çdo analizë të thellë.
Leslie tregon se kjo dyshe, gjatë gjithë kohës së tyre në grup ishin gjithmonë në një nxitje të ndërsjellë – mbështetës, por njëherazi edhe konkurrues të panda. Në vitin 1965, kur Pauli foli për arsyen pse emri i Johnit dilte i pari në partneritetin e tyre si autorë këngësh – pra “Lennon dhe McCartney” në vend të “McCartney dhe Lennon” – ai sugjeroi se, pas suksesit të këngës Yesterday, të cilën e shkroi i vetëm, ngritja e tij në status “e bëri Johnin të ndihej në siklet. U ngjita në nivelin e tij. U bëmë të barabartë. Kjo e bëri të pasigurt. Ai gjithmonë ka qenë i tillë”.
Në vitet ’70 të shekullit XX, McCartney dëshmoi se ishte më shumë se i barabartë me Lennonin, duke arritur sukses global me grupin e tij të ri, Wings, ndërkohë që Lennon, të paktën në fillim, u përball me vështirësi. Në vitin 1971, Lennon shkroi këngën How Do You Sleep?, si reagim ndaj faktit që McCartney e kishte çuar grupin Beatles në gjyq për të shpërbërë ligjërisht partneritetin. Gati një dekadë më vonë, Lennoni vazhdonte të analizonte tekstin e Yesterday, ndoshta pika kulmore e Paulit, duke u ankuar për narrativën e saj: “Në të vërtetë nuk zgjidhet.”
Herë pas here kishte përmirësime të përkohshme në marrëdhënien e tyre, shpesh me nxitjen e bashkëshorteve të tyre shumë më të arsyeshme, por siç e përshkruan qartë Xhoni dhe Poli, marrëdhënia mbeti e ndërlikuar. “Ishte shumë e vështirë për të dy. Askush më parë nuk kishte qenë ish-anëtar i një grupi aq të madh. Gjithë identiteti i tyre ishte i lidhur me të qenët bitëls – dhe si ta përballosh faktin që nuk je më një i tillë? Si e rindërton veten si diçka tjetër?” – thotë Leslie.
Ishte Lennoni ai që vuajti më shumë. “Ndjenja e tij për veten si gjeni ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për të, por ai nuk ishte i sigurt nëse ndihej i tillë kur Pauli nuk ishte pranë. Të qenët me Paulin e përforconte ndjesinë që kishte për veten. Dhe, kur Pauli nuk ishte aty, ai frikësohej se nuk ishte [gjeni]. Gjatë gjithë viteve 1970 e humbi ritmin e vet”.
Nëse ata mbetën gjithmonë brenda orbitës së njëri-tjetrit, kjo ndodhi, sugjeron Leslie, “sepse kur e do dikë kaq thellë, shpreson gjithmonë të kapërcesh pjesët e vështira për të rigjetur ëmbëlsinë. Marrëdhënia e tyre ishte gjithmonë e gjallë. Nuk u shter kurrë plotësisht”.
Koha dhe largësia, si gjithmonë, rezultuan të ishin shëruesit më të mëdhenj, dhe nga fundi i dekadës kishte shenja se ata mund të rilidhnin miqësinë e tyre plotësisht – të paktën në mënyrë platonike. Po flisnin rregullisht sërish dhe, herë pas here, takoheshin për darkë. Por, ngjarjet jashtë ndërtesës Dakota, më 8 dhjetor 1980, i dhanë fund përfundimisht kësaj mundësie.
“Befas,” thotë Leslie, “Johni u vra, u shndërrua në një martir dhe shumë shpejt u pa si gjeniu i madh i grupit Beatles – si një simbol i paqes, një figurë pothuajse e shenjtë”. Po McCartney? “Pauli disi e humbi drejtimin gjatë viteve 1980. Nuk mendoj se doli plotësisht nga hija e Johnit,, deri nga mesi i viteve 1990, me ardhjen e britpopit. Ishte pikërisht kjo lëvizje që e pranoi atë si frymëzim – kështu që u desh një kohë që bota të kuptonte se edhe Pauli ishte gjeni”.
Në të gjithë këtë histori, sigurisht që dy anëtarët e tjerë të grupit – George Harrison dhe Ringo Starr – shpesh anashkalohen. Nëse Lennon dhe McCartney ishin konkurrues, a nuk ishin ndoshta edhe kitaristi dhe bateristi po ashtu? Leslie pranon se po, se kjo është e mundshme, por shton se kjo është një temë për një libër tjetër – jo për të tijin.
“A ndjej keqardhje për ta?” – pyet ai, për rolin relativisht më të vogël të Harrisonit dhe Starrit.
“Jo. Ishin me fat. Loja e tyre u ngrit në një nivel krejt tjetër vetëm sepse ishin rreth Johnit dhe Paulit”. Duke shtyrë anash mbetjet e drekës së tij, Leslie përkulet përpara, i përfshirë gjithnjë e më shumë nga tema. “Është interesante që George më pas do të bënte këngën Here Comes the Sun dhe Something, që janë dy nga këngët më të mira që Beatles kanë bërë ndonjëherë. Nuk besoj se do të kishte shkruar ndonjë gjë të tillë nëse nuk do të kishte qenë me Johnin dhe Paulin, brenda asaj rreze të ngushtë magjike që krijuan së bashku”.
A është kjo ndoshta shembulli i përkryer që tregon se tërësia është më e madhe se shuma e pjesëve të saj?
Leslie tund kokën në shenjë pohimi. “Po. Dhe, në fund, mendoj se tensionet dhe konfliktet – sidomos mes Johnit dhe Paulit – ishin thelbësore për muzikën që ata krijuan. Edhe në momentet më të vështira të marrëdhënies së tyre, ata vazhdonin të bashkëpunonin, ende ishin dëgjuesit e parë të njëri-tjetrit. I gjithë ai tension, të gjitha ato përplasje dhe pasiguri – ushqyen muzikën dhe e bënë më të mirë. Shumëçka nga gjenialiteti i tyre i përbashkët buron nga fakti që ishin si një molekulë e paqëndrueshme. Po të kishin qenë më normalë, më të qetë e më të thjeshtë”, mendon ai, “ndoshta nuk do të kishim pasur Beatles-at siç i njohim. Ndoshta nuk do të kishin krijuar kurrë atë muzikë të jashtëzakonshme. Prandaj, mendoj se kjo është një histori kaq e bukur – në fund të fundit, një histori dashurie”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Dinastia shqiptare që qeverisi Egjiptin për 150 vite: Shqiptar jam e shqiptar do vdes
Burgosja e djalit të Ismail Qemalit dhe denigrimi i trashëgimtarëve të tij nga regjimi komunist në Shqipëri

Një letër pa adresë

ASGJË PËR TË FSHEHUR
Nikos Dimou, autori dhe studiuesi i njohur grek ka thënë: “Flisnim shqip dhe e quanim veten romakë”

Spiuni i harruar britanik i cili u infiltrua në rrethin e ngushtë të Hitlerit

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Pas fitores së Gjestit, Xheneta Fetahu: Shpresoj që të më lënë mua dhe të gjithë familjen time të qetë

“Dje, sot dhe nesër” - Egli poston videon e parë me Gjestin pas daljes nga Big Brother

Skenar i çmendur në Serie A: Ja çfarë ndodhë nëse Interi dhe Napoli përfundojnë sezonin me pikë të barabarta

Schmitt: Shqipëria dhe Kosova po formojnë identitete të veçanta, dallimi kryesor është kultura politike

Si është të jetosh në vendin më të lumtur në botë?

Barcelona po planifikon të shesë dy yje për të financuar blerjen e Gyokeres