“Druri që këndon” – Skulptura që i jep zë erës dhe shpirt natyrës
Skulptura unike “Druri që këndon” ka aftësi të pazakonshme: kur fryn era – ajo këndon, mirëpo nga meloditë e saj mbase ju ngrin gjaku në vena
Në kodrat e largëta të Peninit, mbi qytetin Burnley në Lancashire të Britanisë së Madhe, qëndron një krijesë e jashtëzakonshme prej çeliku që duket sikur ka zbritur nga një përrallë futuriste – apo nga një ëndërr e frikshme. Bëhet fjalë për “Singing Ringing Tree”, e njohur ndryshe si “Druri që këndon”.
Është një strukturë muzikore e ndërtuar në formën e një druri të përkulur nga era, por në vend të degëve e gjethit, është ndërtuar me gypa të hollë çeliku, të vendosur në mënyrë spirale mbi njëri-tjetrin.
Këta gypa janë projektuar me kujdes inxhinierik që, kur fryn era, të prodhojnë tinguj të ndryshëm – një përzierje melodish të lehta, të holla, por shpesh herë edhe të zymta e misterioze, që krijojnë ndjesinë se natyra po flet… ose po qan.
Ajo nuk ka altoparlantë dhe as ndonjë sistem elektronik – të gjitha tingujt janë të gjeneruar natyrshëm, duke e bërë atë një shembull unik të bashkëpunimit midis artit dhe elementeve të natyrës.
Pse quhet “Singing Ringing Tree”?
Titulli i saj është frymëzuar nga një përrallë gjermane me të njëjtin emër, ku një pemë magjike mund të këndojë dhe të ngjallë emocione të fuqishme. Dhe vërtet, kjo strukturë çeliku, edhe pse e ftohtë dhe industriale në pamje, përçon një jetë të veçantë përmes tingujve të saj emocionalë.
Atraksion për syrin dhe shpirtin
Përveçse “këndon”, “Druri që këndon” është një pikë vëzhgimi panoramike, nga ku mund të shijosh një pamje spektakolare të luginës së Burnley dhe kodrave përreth. Është bërë një ndër atraksionet më të vizituara dhe fotografuara në zonë – veçanërisht nga ata që kërkojnë përjetime ndryshe.
Shikoni si tingëllon “Druri që këndon” në video-xhirimin në vazhdim:
/Telegrafi/






























