LAJMI I FUNDIT:

Demolli dhe Balogh flasin për bashkëpunim në fushën e sigurisë

Demolli dhe Balogh flasin për bashkëpunim në fushën e sigurisë

Ministri i FSK-së, Haki Demolli, priti një delegacion nga Ministria e Punëve të Jashtme të Hungarisë të udhëhequr nga Istvan Balogh, drejtor i Departamentit për Politika të Sigurisë.

Demolli me delegacionin hungarez bisedoi lidhur me bashkëpunimin e dy shteteve në fushën e sigurisë dhe perspektiven e integrimeve euro-atlantike.

Me këtë rast, ministri Haki Demolli falënderoi Istvan Baloghin dhe ambasadorin Markusz për mbështetjen dhe përkrahjen që Hungaria dhe Ministria e Mbrojtjes ka ofruar për FSK-në, duke potencuar në veçanti marrëveshjen e mirëkuptimit ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë në fushën e sigurisë.


Demolli shprehu interesimin për të rritur bashkëpunimin në mes dy shteteve dhe dy ministrive në fushat  me interes të dyanshëm, si dhe e vlerësoi si shumë të rëndësishëm angazhimin dhe rolin e Hungarisë në mbështetje të Ministrisë së FSK-së dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku theksoi se disa nga aktivitetet e bashkëpunimit do të përfshihen në planin dypalësh të vitit 2017.

Ndërkaq, Balogh falënderoi ministrin Demolli për pritjen dhe vlerësoi lart bashkëpunimin e ndërsjellë, duke u shprehur mjaft i kënaqur për bashkëpunimin dhe thellimin e tij edhe  në fusha të tjera të sigurisë.

Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për përkrahje edhe në të ardhmen në fushat e cekura në Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, duke premtuar njëherësh edhe mbështetje në procesin e integrimit. /Telegrafi/