Dosja me akuzat e ngritura ndaj tij, i është dorëzuar sot për gjykim, gjykatës së Tiranës dhe pritet që javën e ardhshme te hidhet shorti për të përcaktuar edhe gjyqtarët e çështjes.

Sipas hetimeve, ka qenë Xhuvani ai i cili ka qëlluar për vdekje në drejtim të shtetasve Edison Jaho dhe Enea Xhaj. Po ashtu, është vërtetuar se nga plumbat e armës së përdorur nga i dyshuari Xhuvani, kanë mbetur të vdekur edhe shtetasit Arbër Demiraj dhe Gianpaolo Azzola.


Nga ekspertiza kanë dalë disa detaje të reja të gjuajtjes me armë. Në dorën e djathtë të Xhuvanit janë gjetur elementë të gjuajtjes, duke provuar në këtë mënyrë edhe shkencërisht, se autori i vrasjes së katër personave është Kostandin Xhuvani.

Shtetasi Kostandin Xhuvani ka pasur një grindje të çastit me shtetasit Jaho dhe Xhaj në lokalin. ku ishin ulur ku në tavolina të ndryshme. Pas një bisede me tone të larta, Xhuvani dhe miku i tij, viktima Demiraj, fillimisht kanë dalë nga lokali dhe më pas janë kthyer brenda një kohe shumë të shkurtër.

Pas rikthimit në lokal, Xhuvani u është drejtuar shtetasve Jaho dhe Xhaj “keni ndonjë problem”, dhe menjëherë i ka qëlluar me armë tip pistoletë, duke i lënë të vdekur. Por, nga plumbat e qëlluar prej armës së tij, janë goditur edhe shtetasit Arbër Demiraj, i cili ishte në shoqërinë e Xhuvanit, si edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola, i cili gjendej në lokal në shoqërinë e një personi tjetër dhe që nuk kishin asnjë lidhje me palët në konflikt.

Si rezultat i gjuajtjes më armë, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj, i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij, Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida.

Ky i fundit rezulton se nuk ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin e goditjes me armë, por ka qenë shumë pranë lokalit. Xhuvani ndodhet në burgun e Fushë Krujës në pritje të gjykimit dhe akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “prodhimi dhe mbajtja e armëve pa lej”. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon 25 vjet burg, deri në burgim të përjetshëm. /Shekulli/