LAJMI I FUNDIT:

Çfarë i shtyu francezët, për ta përmbysur monarkinë?

Çfarë i shtyu francezët, për ta përmbysur monarkinë?
"Pema e Krakovit" në kopshtin e Pallatit Mbretëror, ku njerëzit mblidheshin për të dhënë lajmet dhe thashethemet (Archives Charmet/Bridgeman Images)

Historiani Robert Darnton gërmon thellë në Francën e shekullit XVIII, për të gjetur rrënjët e trazirave politike që kulmuan në vitin 1789,

Nga: Tony Barber / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Një kryevepër e lënë pas dore e letërsisë franceze e regjimit të vjetër është Tabloja e Parisit [Tableau de Paris] e Louis-Sébastien Mercierit, një vëzhgim i detajuar i jetës së përditshme në prag të revolucionit të vitit 1789. “Të gjithë duan të jenë autorë apo lexues. Edhe karrocieri lexon veprën e fundit në parmakun e vet. Çdo person, deri te shërbëtorët e shtëpisë dhe bartësit e ujit, është i përfshirë në debat”, shkroi Mercier.


Etja e parisianëve për lajme politike, në vitet 1780, mund t’i atribuohet përhapjes së perceptimit se monarkia është gati për të falimentuar dhe se asaj po i mbaronin opsionet – pasi skandalet gjyqësore u ndezën, çmimet e bukës u rritën dhe kritikët kërkuan reforma.

Megjithatë, siç ilustron Robert Darntoni në Temperamentin revolucionar [The Revolutionary Temper], interesimi për çështjet publike ishte i dukshëm edhe 40 vjet më parë, në kohën kur ishte e çuditshme të parashikoje revolucionin që do të riorganizonte qeverinë dhe shoqërinë franceze nga lart-poshtë.

Pesëdhjetë thënie të Volterit: Është e vështirë t’i çlirosh budallenjtë nga zinxhirët të cilët ata i adhurojnë!
Lexo po ashtu Pesëdhjetë thënie të Volterit: Është e vështirë t’i çlirosh budallenjtë nga zinxhirët të cilët ata i adhurojnë!

Si historian i shquar amerikan i Francës së shekullit XVIII, Darntoni e kishte detyrë jetësore që të gërmojë nën sipërfaqen e ngjarjeve të njohura politike dhe të tendencave intelektuale të asaj kohe, dhe të portretizojë jetën e francezëve nga këndvështrimet e pazakonta dhe stimuluese. Dartoni – autori i veprave klasike si Masakrimi i madh e maceve dhe Bestsellerët e ndaluar të Francës para-revolucionare – ka përdorur ditarët, letrat, gazetat, pamfletet dhe lajmet informale, si dhe proceset gjyqësore dhe traktate iluministe për të prodhuar një tjetër libër të qartë, të argumentuar dhe argëtues.

Në dekadat deri te rënia e Bastiljes në korrik 1789, një lloj i ri i letërsisë protestuese i theksoi të drejtat e qytetarëve, rrezikun e despotizmit dhe autoritetin e kombit francez, shkruan Darntoni. Por, shpeshherë, rrugën deri te parisienët këto ide radikale e gjetën përmes kanaleve indirekte. Vështirë se mund të ishte ndryshe kur kostoja e Enciklopedisë [Encyclopédie], e atij monumenti të arsyes moderne, ishte e barabartë me pagën jetësore të një punëtori.

Në vend të kësaj, revistat më të lira periodike botuan fragmentet që gojarisht arritën te publiku. Me interes të veçantë është Pema e Krakovit – një pemë e madhe e gështenjës në kopshtin e Pallatit Mbretëror [Palais-Royal] në qendër të Parisit – ku shitësit e lajmeve gojore takoheshin për të transmetuar raportet politike dhe thashethemet. Kishte gjithashtu këngë dhe poezi të çuditshme, si vargu anonim për zonjën de Pompadour – dashnoren e Luigjit XV: Louis le mal-aimé/ Fais ton jubilé/ Quitte ta putain/ Et donne-nous du pain (Luixh i padashur/ mbaroje jubileun tënd/ lëre kurvën/ bukë na jep).

“Traktati i tolerancës”: Një himn kundër fanatizmit fetar
Lexo po ashtu “Traktati i tolerancës”: Një himn kundër fanatizmit fetar

Volteri, fshikulluesi i hipokrizisë dhe padrejtësisë, në vëmendjen e publikut solli një prej skandaleve më të mëdha të shekullit, kur shkroi për ekzekutimin e tmerrshëm të vitit 1762 të Jean Calasit, të tregtarit të moshuar protestant të akuzuar në mënyrë të rreme për vrasjen e djalit të vet, sepse ky i fundit donte të konvertohej në katolicizëm. Jean-Jacques Rousseau në një mënyrë tjetër e ktheu opinionin kundër rendit të vendosur: përmes historisë së tij të dashurisë të vitit 1761, Zhulieta ose Eloiza e re [La Nouvelle Héloïse] – bestselleri më i madh francez i shekullit XVIII. “Kurrë nuk derdha lot kaq të shijshëm”, i shkroi një lexues filozofit Rousseau.

Në vitet 1780, lajmet jopolitike mbërthyen parisianët po aq sa politika. Gazetat periodike trumbetuan zbulimet e supozuara shkencore, të tillat si shpikja e nëndetëseve dhe e robotëve që luajnë shah. Turmat e mëdha shikuan fluturimet e para duke përdorur balonat me ajër të nxehtë ose lexuan rreth tyre nëpër fletushkat e lajmeve.

“Kopshti” i Volterit dhe njerëzimi që reziston
Lexo po ashtu “Kopshti” i Volterit dhe njerëzimi që reziston

Megjithatë, në fund ishte një lidhje me politikën. “Bota natyrore ishte e gatshme të dominohej nga ata që mund të deshifronin ligjet e saj të brendshme. Mbase mund të zotërohen edhe ligjet që qeverisin shoqërinë”, ka shkruar Darntoni.

Deri në vitin 1789, shumë francezë – veçanërisht të ashtuquajturat Klasa e Tretë, ose njerëzit që nuk ishin fisnikë apo klerikë – e mendonin veten si qytetarë aktivë të aftë për të imponuar ndryshimin. Siç shkruante Abbé Sieyès në një traktat prej 127 faqeve që kushtonte vetëm 30 susë dhe që edhe sot shtypet: “Çfarë është Klasa e Tretë? Gjithçka. Çfarë ka qenë deri tash në rendin politik? Asgjë. Çfarë kërkon? Për t’u bërë diçka brenda tij”.

Hapësira e lajmeve të Parisit ishte mbushur me tema të tilla, duke lënë pak hapësirë për pikëpamjet pro-qeveritare. Libri i Darntonit është tregim shumë i mirë për atë se si parisianët e shekullit XVIII i pranuan dhe i interpretuan ngjarjet publike, duke i vënë ato në rrugën e revolucionit. /Telegrafi/

Voltaire: Skënderbeun myslimanët e shihnin si besëthyes, të krishterët si hero
Lexo po ashtu Voltaire: Skënderbeun myslimanët e shihnin si besëthyes, të krishterët si hero
Fjalimi i Hygoit, në 100-vjetorin e vdekjes së Volterit
Lexo po ashtu Fjalimi i Hygoit, në 100-vjetorin e vdekjes së Volterit
Fjalimi i Hygoit në varrimin e Balzakut
Lexo po ashtu Fjalimi i Hygoit në varrimin e Balzakut