LAJMI I FUNDIT:

Çfarë dimë për viktimat ruse në Ukrainë?

Çfarë dimë për viktimat ruse në Ukrainë?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar vlerësime të reja rreth viktimave ruse në Ukrainë.

Inteligjenca amerikane sugjeron se rreth njëzet mijë ushtarë rusë janë vrarë në zonën e Bakhmutit që nga dhjetori – me 80 mijë të tjerë të plagosur.

Megjithëse këto shifra nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, nëse janë të vërteta, ato tregojnë një përshpejtim dramatik të humbjeve ruse në muajt e fundit, raporton skynews.


Gjenerali Mark Milley, shefi i “Joint Chiefs of Staff”, deklaroi se mbi 100 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në tetë muajt e parë të luftës.

Phillips P. OBrien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin e St Andrews, pohoi se Rusia ka humbur trupa në Bakhmut “ndoshta sa SHBA-ja në të gjithë Luftën Koreane”.

Profesori Michael McFaul, ish-ambasador i SHBA-së në Rusi, gjithashtu pranoi se vlerësimet e fundit ishin “numra shumë të mëdhenj”.

Çfarë është thënë më parë për viktimat ruse?

Dokumentet e zbuluara të inteligjencës amerikane, të cilat duket se ofrojnë vlerësime të hollësishme mbi luftën në Ukrainë, sugjerojnë se në total Rusia ka pësuar nga 189,500 deri në 223,000 viktima.

Kjo përfshin midis 35,500 dhe 43,000 ushtarë të vrarë në aksion.

Nuk është e qartë se për cilën periudhë bëhet fjalë, por shumë nga dokumentet e zbuluara duket se janë nga fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit.

Ndërkohë, ministria e mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi në muajin shkurt se midis 40- 60 mijë forcave të lidhura me Rusinë ka të ngjarë të ishin vrarë.

Në të njëjtin muaj, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare dha një vlerësim prej 60-70 mijë të vrarë. /Telegrafi/